Vrimat e zeza të prokurorisë dhe reformat integruese          

Çfarë mund të jetë më e rëndësishme për shtetin e së drejtës, sesa ndjekja dhe vendosja para drejtësisë e kryerësve të veprave penale?! Asgjë, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa detyra e një prokurori të aftë dhe moralshëm të bëjë me ndershmëri punën e përcaktuar nga ligji. Mbrojtja e popullatës nga kriminaliteti, me mekanizmin inicues të denoncimit, mundëson ngritjen dhe funskionimin e shtetit të së drejtës.

Në një vend me drejtësi, prokurori publik me detyrë zyrtare, heton dhe konstaton shkeljet ligjore, ngre aktin e denoncimit pranë gjykatave kompetente, dhe i njejti vazhdon të bëjë mbrojte sa më të duhur të çështjes së ngritur, deri në dhënien e aktgjykimeve meritore. Në raste të duhura, ai heton dhe denoncon gjykatësit e korruptuar, ata që japin aktgjykime në përfshirje korruptive. Roli i prokurorisë është jetik për shtetin e mirëfilltë juridik, drejtësi që reflekton në punën e çdo institucioni  me përgjegjësi publike që zyrtarisht heton dhe denoncon llojë të specifikuara të veprave penale.

Dëshpërimisht, në R.Maqedonisë roli i prokurorisë është shndërruar në bashkëpunëtorë krimi, veçanërisht në dekadën e fundit, pos ndjekjes dhe dënimit për vjedhje dhe korrupsione të disa individëve pa mbrojtje politiko – financiare; vrasje – plagosjet e rëndomta, ato të zënë me “presh në duar”; burgosjeve të hesapeve politike, ose kryerësit e veprave penale të vetëdorëzuar. Sa i takon vrasjeve të komplikuara, atentateve të ndryshme; vjedhjeve masive nga njerëzit e fuqishëm  politiko – financiar, mbesin vetëm statistike zyrtare, sepse një pjesë e konsiderueshme e prokurorëve tjetërsohen në bashkëpunëtorë krimi.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të vazhdueshme kanë  dhënë alarmin e një prokurorie të korruptuar dhe të politizuar, prandaj, në kusht – plotësimet për integrimet evropiane, reforma në drejtësi është kushti më thelbësor dhe emergjent që duhet të përmbushë Republika e Maqedonisë, ose e ardhmja Republikë e Maqedonisë së Veriut (nëse referendumi për cështjen e emrit kalon me sukses).

Shumë prej prokurorëve, nga të gjitha nivelet e organizmit të prokurorisë, në shtetin e kalbur juridik, si ky i yni, gjatë punës së tyre përfshihen kryesisht  në  pikat e poshtëshënuara, ose thënë figurativisht, në vrimat e zeza të prokurorisë:

Korrupsion me ryshfet – paraje;

Shantazhi jetik;

Paaftësia profesionale;

Shantazhi politik.

Nga treguesit vendor; Barometri Global i Korrupsionit nga Transparency international; përvoja ankuese e popullates, aktet e prokurorëve kanë treguar qartazi ekzistimin real të këtyre vrimave të zeza, të cilat karakterizojnë veprimtarinë e një numri të konsiderueshëm prokurorësh, veçanërisht në dekadën e fundit, gjë e cila ka ndikuar në krijimin dhe shtimin e korrupsionit galopant në R.Maqedonisë.  Puna e dobët dhe korruptuese e Prokurorisë publike, pashmangshëm jep rezultatet negative edhe në sfera tjera kyçe të organizmit shtetëror. Në vitin 2017-të, sipas indeksit të Korrupsionit në sektorin publik dhe politik të Transparency International për 180 vende të botës, në një sistem vlerësimi nga 0 në 100 pikë, ku sa më të ulëta pikët aq më i lartë korrupsioni, Maqedonia ka marrë 35 pikë,  Shqipëria  dhe Bosnjë-Herzegovina 38, Kosova 39, Serbia 41 dhe Mali i Zi 46 pikë. Fjala është për korrupsion në sektorin publik dhe në atë politik. Maqedonia rezulton vendi me korrupsionin më të lartë në rajon, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe  Shqipëria. Skandali i përgjimeve na bëri me dije se korrupsioni në sektorin e biznesit është edhe më i frikshëm, lidhja e biznesit me politikën, pasurimi i një numri të vogël individësh në kurrizin e taksapaguesve. Pastaj stopimi i investitorëve të jashtëm, zhdukja e konkurrencës së barabartë ligjore në biznes, është pasojë në vete.

Sigurisht,  jo të gjithë prokurorët përfshihen në këto vrima të zeza, por janë përfshirë nga Prokuroria publike aq sa kanë mundësuar  përhapjen dhe mos pengimin e kriminalitetit. E gjitha në dëmin e viktimave të veprës penale, pasurisë publike, në një mënyrë apo tjetër, në dëmin e gjithanshëm shoqëror.  Ata të ndershmit e akuzës – prokurorë,  janë lënë në hije; kanë humbur fuqinë e ndikimit pozitiv, në një mënyrë janë izoluar dhe kanë humbur shpresën përballë kolegëve të tyre hajdutë dhe të paaftë, servilë të krimit ekonomiko-politik. Përjashtuar këtu Prokuroria speciale si organ i posaçëm i rregulluar me ligj specifik, i kufizuar në çështjen e skandalit të përgjimeve (organ që doli nga kompromisi politik, bashkarisht me ndihmën ndërkombëtare).

Si mund të korruptohet një prokuror me anë të ryshfetit? Ndoshta në shumicën e opinionit egziston ideja se si ndodh diçka e këtillë. Se si “dhelprat” e drejtësisë keqpërdorin detyrën zyrtare. Ndodh që prokurori drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndërmjetësuesve (zakonisht  përdorin ndërmjetësues, ngase  është më e sigurtë në moszbulim e marrjes së ryshfetit) bën marrëveshje korruptive me palën që rrezikohet  nga sanskioni penal, dënimi me para apo burg. Në këtë mënyrë prokurori, i thirruri i ligjit për hetim  dhe ngritje të veprave penale, cfarë bën?! E zvarrit hetimin dhe ngritjen e denoncimit penal, me qëllim që lënda të kalojë në vjetërsim dhe të mos ketë mundësi të ngrihet aktakuzë, apo t`ju shqiptohet dënimi kryerësve të veprave të dënueshme ligjore. Siç po ndodh aktualisht me disa lëndë të Prokurorisë speciale, nga gjyqtarët bashkëpunëtorë të ish Kryeministrit Gruevski me shokë, të cilët në shumë forma po zvarrisin kalimin në vjetërsim të veprave penale të “padronëve” te tyre. Në këtë rast vjetërsimin e bëjnë gjyqtarët, pasi prokurorët e Prokurorisë publike sigurisht që nuk do të kishin levizur as shikimin për të bërë hetim të ketyre veprave kriminale, e jo më të ngrinin denoncime.

Ky lloj korrupsioni në të shumtën e rasteve është korrupsion vertikal, sidomos në rastet e bujshme të figurave të rëndësishme politiko-financiare. Ryshfet dhënësi drejtëpërdrejt ose tërrthorazi me sekser (të profilit të ndryshëm, politik ose jo), korrupton vertikalen e prokurorëve të sistemit, për lëndën konkrete, që nga shkalla  e parë e prokurorisë e deri në Këshillin e Prokurorëve. Në popull njihet shprehja: “e fut lëndën ndër tavolinë”, dmth bën vjetërsimin e lëndës konform ligjit. Pasi dihet që çdo vepër penale ka afatin e vetë të vjetërsimit dhe ekzekutimit të sanksionit,  ashtu si dhe në ngritjen e aktakuzës. Prandaj ne i shohim përsonat me fuqi politiko- financiare, krimit të organizuar, etj., se si kalojnë “pa u lagur” nga shtëpia e drejtësisë, me gjithë ato veprat penale që u rëndojnë mbi shpinë.

Vjetërsimi i lëndës ka të bëjë si në rastin kur në organin e akuzës është denoncuar një kriminel nga pala e dëmtuar ose ajo me interes juridik; qytetar i cili është i njoftuar me një vepër penale dhe që ka obligim ligjor ta paraqesë të njejtën para organeve kompetente; kur prokurorët nxitur nga presioni shoqëror – mediatik për raste të caktuara, detyrohen të hetojnë dhe ngrenë denoncim penal (si p.sh. ngjarjet e sulmit në parlament); ato të ngritura nga institucionet tjera shtetërore që hetojnë dhe kanë obligim ngritjen e denoncimeve penale, etj. Megjithatë, me metodologjine e vetë të korruptuar, prokurorët zvarrisin procedurat hetimore, në disa raste edhe gjatë procesit penal pranë gjykatave, shkaktojnë qellimisht vjetërsimin, me metodologjinë e përvetësuar ndër vite, atë të palaçove të drejtësisë.

Ne raste te tjera, ryshfeti i nxit prokurorët të bëjnë qëllimisht interpretime të gabuara të Ligjit penal dhe Ligjit të procedurës penale. Pastaj në vertikalen e ryshfetit, i arsyetojnë aktgjykimet për të mbuluar njëri- tjetrin. Mënyra tjetër është kur prokurori ligjërisht obligohet të ndjekë dhe denoncojë kryerësin e një vepre penale, megjithatë bën “sy gjumë”, i mbyll sytë e drejtësisë, e i hap sytë e grykësisë, bashkëpunon me krimin që në  fazën hetuese, ju tregon mundësinë e denoncimit ose dënimit të mundshëm autorëve, njëkohësisht edhe çmimin e nënkuptuar të mosngritjes së këtij denoncimi.  Madje sjell situatën në atë pikë që propozimin e ryshfetit ta bëjë vetë i rrezikuari nga drejtësia,  në formë “mirënjohjeje” për subjektin e drejtësisë – prokurorin.

Vrima e dytë e zezë në organin e akuzës, është shantazhi jetik, kërcënimi i jetës dhe i familjarëve  të prokurorëve kur është në pyetje ndjekja dhe denoncimi  i kriminelëve me rrezikshmëri të lartë. Rreziku mund të jetë edhe i nënkuptuar, kur prokurori nuk e ndërmerr aktin e duhur, nga frika e rrezikshmërisë që i paraqet i kryerësi i veprës antiligjore. Në këtë rast çfarë bën subjekti i drejtësisë?! Struket në “zyrën e tij” – mosveprim, kërkon të gjitha mundësitë  për t`ju shmangur punës së obliguar  ligjore, gjithmonë në dëmin e të mirës publike, por aman në interesin e ruajtes së vendit të punës, karrierës prej prokurori, qoftë ky prokuror kukull. Herë – herë, ndodh që edhe pse prokurori ka ngritur denoncimin penal, gjatë procedurës se metëjshme, nga presioni i frikës, ndryshon kualifikimin e veprës penale, në dobi të krimit, ose heq dorë nga ndjekja penale,  me justifikime antiligjore që pijne ujë vetëm në shtetin e kalbur juridik.

Çështja është a mund të arsyetohet humanisht një veprim i këtillë në rast shantazhi jetik?!, Absolutisht jo, përkundrazi, subjekti i akuzës – prokurori, me këtë akt bën keqpërdorimin e detyrës, shkel ligjin dhe besimin e qytetarëve. Në fund të fundit, si çdo person tjetër që në punën e tij ka rrezik, siç janë policët, ushtarët, zjarrfikësit, minatorët, njësitë speciale, e të tjerë, ashtu edhe prokurorët obligohen ta bëjnë punën me ndershmëri dhe të rrezikojnë nëse duhet, pavarësisht rrethanave të vështira. Në të kundërtën, le të japin dorëheqje nga detyra e caktuar, të bëjnë një punë tjetër, përshtatshëm  me karakterin e tyre e jo të shtrytëzojnë pozitën dhe pagën e prokurorit, në dëmin e shtetit të së drejtës, mirëqenies së pergjithshme. Duhet të dimë dicka që shumë herë kjo llojë frike, është pasojë e paditurisë, injorancës, mungesës së një procesi të drejtë mendor, për idealizimin e veprimtarisë edhe në rrethana të vështira. Kemi parasysh përndjekësin e madh të mafies italiane, gjykatësin hetimor Giovani Falcone, përballësin e fortë kundër kriminalitetit, shkaktari i shkatërrimit të mafias famëkeqe “Cosa nostra”. Pavarësisht se këtë e pagoi me një cmim të lartë, jetën e tij. Falkone,  raportin me frikën dhe kërcënimet i pa në mënyrë dinjitoze. Ai deklaronte:  “Kush hesht dhe kthen kokën mënjanë vdes çdoherë që e bën këtë; kush ecën me kokën lart, vdes veç njëherë”.

Si vrime e tretë e zezë e prokurorëve, na paraqitet paaftësia juridike, atje ku krimi gjen hapësirë të duhur për të vazhduar tutje. Prokuror që nuk kanë lidhje me profesionin e prokurorit, analfabetë juridik që zënë një vend pune. Si mundet ky lloj personi të bëhet avokat i interesit publik, kur ai nuk është i aftë të hetojë dhe ngreje një denoncim të duhur; nuk është i aftë të përpilojë dhe mbrojë me sukses akuzën para gjykatës, edhe nëse shpirtërisht do ta dëshironte dicka të tillë, por thjesht është i pamundshëm, i pashkolluar sa duhet për punën që përfaqson. Aq më tepër me mungesë vullneti për të bërë dicka të tillë.  Një klloun i veshur me postin e njeriut të drejtësisë, kur para hundës së tij bëhen krime, qëndron shurdhmemec!

Në rënditjen e vrimave të zeza të prokurisë, si ajo me rrezikshmja, është padyshim ndikimi politik mbi organin e akuzës. Politika nëpërmjet mekanizmave ligjore ndikon tek veprimtaria e prokurorëve, pasi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthortë, ndikon në emërimin dhe shkarkimin e tyre, duke filluar nga Prokurori i përgjithshëm, prokuroritë themelore, Apelit, e më pastaj te Këshilli gjyqësor. Mjerisht, në katrahurën tonë të jurisprudencës, pavarësia e shtëpisë së drejtësisë është vetëm ilizion, formalitet i shkruar në ligj. Në shtete të dobëta, sic është R.Maqedonisë, raporti mes politikës dhe organit të akuzës, është në një varësi të verbër. Tregues më i vërtetë i kësaj vrime të zezë, janë dëshmitë e dala nga skandali i përgjimeve.

Prokurorët e të gjitha niveleve, ata që bëhen palë me krimin politik, i nënshtrohen presionit të pushtetarëve për interesat karrieriste ose mbajtjes së pozicioneve  nga frika e hakmarrjes së pushtetit, frika e shkarkimit ose delegimit në pozicione më të pavolitshme brenda institucionit të akuzës, me çka shesin dinjitetin e vetes dhe profesionit. Jo rastësisht gjatë gjithë këtyre viteve të ekzistimit të shtetit, nuk kemi politikanë të rëndësishëm të dënuar ose ndjekur penalisht, qoftë edhe të bashkëpunëtorëve të politikës, nga nënktoka e krimit apo biznesit. Përjashtuar lëndët e Prokurorisë speciale, si organ i pavarur nga Prokuroria e përgjithshme, ndër vite, kemi vetëm disa  persona – figura publike,  të dënuar për hesape politike nga partitë në pushtet, asgjë më shumë.

Arsyet e lartpërmendura  – vrimat e zeza të prokurorisë, janë disa prej shkaktarëve më të rëndësishëm në kapjen e organit të akuzës nga kriminaliteti. E nëse një ditë qeveria do të dojë të bëjë reforma prej vërteti, duhet pikërisht të fillojë në asgjësimin e këtyre shkaqeve, me anë të skanerit të figurës së prokurorëve, siç po bën qeveria e R.Shqipërisë me reformën në drejtësi. Eshtë e nevojshme të kuptojmë reformat e dështuara të qeverive të kaluara, mosfunskionimin dhe demagogjinë qeveritare, vetëm atëherë fillojmë të rrugëtojmë në zgjidhjen e vërtetë. Problemi nuk është sistemi më vete, por individi brenda sistemit, është prokurori, korrupsioni dhe paaftësia e tij, më pastaj ky individ e krijon sistemin automatikisht. Shkarkimi  dhe zëvëndësimi i “mollëve të kalbura” – është hapi i parë i reformës serioze, pastaj përgatitja profesionale, që për hir të së vërtetës tek pala shqiptare është në nivel të mjerueshëm, si aspekti i korrupsionit ashtu edhe profesionalizmit, p.sh.,  Prokuroria dhe gjyqësori i Apelit në Gostivar, një “xhungël” e vërtetë e shtëpisë së drejtësisë, e cila fatkeqësisht përfshin me shumicë vendbanimet shqiptare.

I referohemi gjendjes aktuale në shtet, ku edhe gati pas dy vitesh të qeverisë se re, edhe më tej shohim një Prokurori publike të padukshme me reforma, gati me të njëjtat figura të inkriminuara të korrupsionit të mëparshëm, ndoshta me  Prokuror të përgjithshëm më të dobët se paraardhësi i tij (theksojmë qasjen e gabuar  që pati Kryeprokurori, me procesin penal të vrasjes së vogëlushit shqiptar, Almirit)  dhe pavarësisht vullnetit qeveritar për tu ringritur ky sistem, por me këtë mënyrë është e kotë.

Me “mollë të kalbura” nuk ngrihet ky sistem, është si ta spostosh mollën e kalbur brenda shportës së mollëve, nga një cep në tjetrin, ajo përseri do prishë gjithë shportën. Paralajmërimet e radhës së Kryeministrit Zaev, se pas procesit përmbyllës me çështjen e referendumit për emrin, të fillohet me reformat në sistemin e drejtësisë, duket deri diku shpresëdhënëse në ketë tunel të errët kriminaliteti, pavarësisht se kjo reformë nuk do duhej  të anashkalohet nga asnjë proçes tjetër, sado e rëndësishme të jetë.

Patjetër lind nevoja për reforma serioze në organin e akuzës, në shkatërrimin e këtyre vrimave të zeza që gllabërojne drejtësinë, mirëqenien shoqërore. Kërkesa për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike, me prokurori të kapur prej krimit, parasë dhe pushtetit, është absurde. Rivlërësimi i figurës së prokurorit, duhet të jetë bazik në një reformë të mirëfilltë. Rishikimi i procedimeve dhe vendimeve që ka dhënë prokurori në lëndët e bujshme; aftësia profesionale; pasuria e tij dhe familjareve në raport me të ardhurat ligjore; shantazhet politike dhe jetike, të gjitha këto në rishikim nga organe të specializuara me monitorim ndërkombëtar, për të pastruar “mollët e kalbura” nga sistemi i drejtësisë.  Pastrimi i të korruptuarve pastaj le të qëndrojë “vath ne vesh” për prokurorët e rinj që do ti bashkangjiten sistemit, se edhe ata në një të neserme, mund ti nënshtrohen procesit të rivlerësimit të figurës së prokurorit, deklarimit të pasurisë së personit dhe familjarëve të tij; pastërtia e kandidatit për prokuror në çështjet e krimit të organizuar; aftësia profesionalë, heqja dorë nga privatësia (me të cilën prokurori nëpërmjet paisjeve të veçanta të jetë në kontroll të vazhdueshëm nga organe mbykqyrëse).

Korrupsioni i Prokurorise publike, kalb gjithë aparatin shtetëror, varfëron popullatën si pasojë e tërrthortë e saj. Mos flasim pastaj për pasojat psikike që lind situata e rënduar ekonomike, depresionet masive, dhuna dhe devijimet shoqërore që gjeneron ky fenomen i tmerrshëm. Sipas të dhenave statistikore, në R.Maqedonisë jetojnë nën pragun e varfërisë mbi 445.000 njerëz, ndërsa çdo i katërti fëmijë sipas UNICEF- jeton në varfëri.

Në këtë kuptim, është e rëndësishme të ngrihemi, sensibilizojmë dhe përkrahim qeverinë e re, për reforma sa më të duhura në sistemin e drejtësisë së mirëfilltë. Referendumi i suksesshëm mund të jetë sipas të gjitha gjasave, fillimi i mbarë i kësaj reforme të shumëpritur në drejtësi, me mbështetje të parezervë edhe të komunitetit ndërkombëtar, mbështetje e cila vërehet në perkrahjen intensive të Marrëveshjes me Greqinë, stimulit për referendum të suksesshëm, sigurisht edhe në integrimet e nesërme në aleancat ushtarake dhe evropiane, do të jetë e njejta përkrahje.

Bashkëpunimi në krimin e korrupsionit shpesh është indiferenca jonë” – thotë ish politikanja amerikane Bess Majerson. Andaj duhet të jemi aktiv në këtë çështje jetike për shtetin e se drejtës, e jo të shndërohemi në militante të verbër partiak; servilë që nuk i hetojnë as prangat e veta të varfërisë; puthador tërbues për udhëheqës hajdutë, në shpresën e një vendi pune apo “kore buke”. Një popull i dinjitetshëm kërkon asgjesimin e shkaktarëve të së keqes, e nuk pajtohet me kriminalitetin, por dëshiron reforma serioze në sistemin e drejtësisë, në shërbim të mirëqenies mbarë shoqërore. Le të bëhemi të dinjitetshëm,  dashtë i Gjithëmundshmi Zot!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button