Çka fshihet pas liberalizimit të vizave!?

Në rrethat normale secili prej nesh do t’i gëzoheshim liberalizimit të vizave, gjegjësisht levizjes së lirë të njerëzve dhe mallërave drejt vendeve të BE-së.
Në situatën kur njerëzve u mungon siguria e kapitalit, shtetit i mungon përspektiva zhvillimore, qytetarët të vetmin shpëtim e shohin largimin nga vendi!
Pas votimit në PE, tek pushtetarët dhe qytetarët e vendit shpërtheu një eufori e paparë, gati sa nuk u shndërrua në festë shtetërore. Në njërën anë festuan pushtetarët për shpërqendrimin total të vëmendjes së opinionit kosovar nga problemet e mëdha të përditshmërisë, ndërsa në tjetrën anë festuan qytetarët, duke e uruar njëri-tjetrin për largimin sa më parë nga ferri që u krijuan pushtetarët në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Padyshim se liberalizimin e vizave është lajm i mirë, mirëpo jo edhe aq ekzaltues, siç po shfaqet tek një pjesë e qytetarëve të vendit, ngase kushtet janë aq rigoroze nga BE-ja, saqë, nëse u referohemi kushteve ekonomike të vendit tonë, atëherë vetëm një pjesë e vogël e popullatës mund ta shijojnë këtë gjysmë-liberalizimi të kushtëzuar.
Pas votimit në Parlamentin Evropian për libaralizim të vizave, Kosova do ta paguaj një çmim tepër të lartë!
Lajm më i mirë dhe shpresëdhënës për qytetarët do të ishte: krijimi i vendeve të punës, investimet kapitale, përmirësimi i sistemit të drejtësisë si kusht për luftimin serioz të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, etj.
Në fakt, ky është liberalizm i kushtëzuar dhe ka një çmim tepër të lartë për Kosovën! Pas ratifikimi të marrëveshjes së Demarkacionit sipas rekomandimit të “ekspertëve” të qeverisë së kaluar, me ç’rast  Malin të Zi ju falen 8200 hektarë tokë, Kosovën po e pret humbja shumëfish më e madhe dhe më e dhimbshme me Serbinë!
Dhënia Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë tokë dhe dhënja Serbisë e Trepës dhe Ujëmanit në këmbim të liberalizimit, është më tepër se “fitore e Pirros” në rastin e liberalizimit, e cila vendit i shkakton tkurrje enorme të integritetit territorial.
Për më keq se kaq, me kushtëzimet e Serbisë për FAK-un me themelimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të vendit, “de facto” dhe “de jure”, Kosova do të pëson debakël të dyfishit politik: humbje të integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror njëkohësisht.
Thënë ndryshe, me krijimin e “Zajednicës” ndodh ndarja e sovranitetit të shtetit në dysh, me çka drejtpërdrejt cenohet rendi kushtetues i vendit. Me këtë kurs qeverisës, politikanët tanë, Kosovën janë duke e dërguar pashmangshëm në greminë, apo në rrugë të pa krye dhe të pambarim, sepse  orekset serbomëdha ndaj Kosovës nuk do të mbarojnë asnjëherë!
Serbia, do të vazhdojë edhe më tutje agresionin politik ndaj shtetit tonë, pasi pushtetarët e papërgjegjshëm kosovarë, integritetin dhe sovranitetin tonë e kanë vënë në “ankand publik”, duke e shndërruar në tortë të shijëshme për orekset garbitëçare, ku secili nga fqinjët dëshiron të merr pjesën që dëshiron!
Rreziku nga tkurrja serike e territorit të vendit
Përderisa fusnota* e Editës hoqi Republikën, fusnotat** e Thaçit e Mustafës hoqën sovranitetin vendit me nënshkrimin e marrëveshjeve në Bruksel për krijimin  e Asociacionit të komunave serbe, me ç’rast nënshkruan ndarjen e sovranitetin e shtetit në dysh mes serbëve dhe shqiptarëve.
Me amnistimin e kriminelëve serb legjitimuan strukturat kriminale në veri,…me vendimin për krijimin Gjykatës speciale për krimet e luftës në Kosovë rrezikuan tjetërsimin e luftës çlirimtare dhe jo vetëm.
Nënshkrimet nga ana e Thaçit dhe Mustafës e (mos) marrëveshjeve me Daçiqin dhe Vuçiqin në Bruksel, Serbinë gjakatare e bënë hisedare në sovranitetin e shtetit të Kosovës në njërën anë, ndërsa në tjetrën i hapën rrugën Serbisë për anëtarësim në BE, përderisa kjo e fundit kosovarëve të viktimizuar ua ofroj  liberalizimin e vizave me kushtin e humbjes së territorit të shtetit,…për ironi të faktit edhe kësaj pushtetarët kosovar po i thojnë sukses!
Po i thonë kështu pushtetarët sepse dështimet dhe rrëshqitjet e njëpasnjëshme janë bërë çelës i suksesit të tyre personal, në pasurimin dhe ngritjen e tyre politike.
Çka fshihet pas votimit në PE!?
Votimi politik në parlamentin evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, pa e plotësuar Kosova kushtin themeltar për liberalizim-atë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e lenë derën hapur për mëdyshje të mëdha!
Liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë, në kohën kur vendi ynë ndodhet në një krizë të madhe socio-ekonomike, pa asnjë përspektivë zhvillimore, jo vetëm që nuk mund të jetë qëllimmirë, mund të shkaktoj zbrazjen e shpejtë të Kosovës nga popullata shqiptare.
Nuk ka si të kuptohet ndryshe, kur e njëjta organizatë (BE) që mbajti të getoizuar për vite të tëra qytetarët e vendit tonë duke u justifikuar me kushtin e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, befasisht brenda natës ndrron qëndrim duke i dhënë dritën jeshile për liberalizim të vizave vendit me nivelin alarmant të korrupsionit dhe krimit të organizuar në kontinentin Evropian!
Liberalizimi i vizave në rrethanat aktuale, shtetin e Kosovës shumë shpejtë nga një Republikë Parlamentare do ta shndërroj në “Republikë të krimit të organizuar, kontrabandimit të substancave narkotike dhe trafikimit me qënje njerëzore”, e mbetur me qytetarë lojalë ndaj krimit dhe dukurive tjera negative!
Ngase, të gjithë atyre që nuk pajtohen me krimin e organizuar, nepotizmin dhe korrupsionin u mbetet vetëm një rrugë-ajo e largimit nga Kosova.
Prapa këtij liberalizimi të kushtëzuar për Kosovën e varfur e të kapur nga grupet kriminale, fshihet qëllimi kryesorë, ai i planit serb për largimin “vullnetarë” të popullatës shqiptare nga Kosova, me qëllim të ndryshimit demogarfik të Kosovës.
Për më tepër se kaq, ikja masive e të rinjëve nga Kosova e zvogëlon në masë të madhe mundësinë e kundërshtimit të marrëveshjeve fatkeqe për vendin, që janë duke u përgatitur në prapaskenën e bisedimeve të Brukselit.
Njeriu nuk ka nevojë të jetë shumë intelegjent për të kuptuar mashtrimin. Askush nuk të falë asgjë pa një arsye të fortë. Liberallizimi i vizave për shtetasit kosovarë, pa përmbushjen kushtit themeltarë nga ana e pushtetarëve, flet qartë për prapaskenat e vendimeve të “mira” për vendin tonë!
Ndryshe, vendimi i PE-së për më shumë se liberalizim i vizave për qytetarët, është liberalizim i krimit dhe korrupsionit, është favorizim i pushtetarëve të korruptuar dhe stimulim i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shantazhuar kosovarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button