TRISHTIM

E dini domethënien e fjalës: aparthejd?

Është doktrinë politiko-shoqërore e lindur në Afrikën e Jugut dhe ka domethënien e ndarjes, veçimit, diferencimit të njerëzve të një shteti në baza racore, etnike, fetare…

Më vin keq ta them, por skena që pashë dje ishte trishtuese dhe e turpshme për të gjithë ne. Ishte diçka që do të duhej t’i takonte të shkuarës. Ishte skenë tipike aparthejdi.

Fillimisht nuk doja ta besoj lajmin, ndaj e verifikova me idenë se do të rezultojë i një kohe tjetër, por, mjerisht, ishte i freskët, kumt që i mëshon fuqishëm ndërgjegjes sonë të fjetur, dinjitetit tonë të nëpërkëmbur kurkushësh, që lejon t’na trajtojnë si robër, si rajë, si gjynahë… në një shekull kur bota e qytetëruar, drejt së cilës marshojmë me tam-tame shurdhuese, pandeh se aparthejdi ka vdekur në Afrikën e Jugut.

Gjithë ditën e kam torturuar veten me pyetjet: Si është e mundur që në shekullin e XXI fëmijëve/ nxënësve shqiptarë të Banjicës së Velesit t’u mohohet shkollimi në Gjuhën e shenjtë të nënës – t’u mohohet abetarja dhe alfabeti i njomur me gjak i shqipes?! Si është e mundur që në shekullin e teknologjisë dixhitale, ne epokën e emancipimit të lirë gjithandej botës, fëmijë me fytyra engjëjsh të detyrohen madje të udhëtojnë në fshatin që s’është i tyre, jo për të marë dije, po për t’u dresuar si shtazë, për të harruar si i thonë nënës, bukës, ujit dhe diellit shqip?!

Ku jetojmë ne? Në xhunglat e Amazonisë? Kush janë ata që tallen me fatin e fëmijëve tanë? Çfarë mësuesish janë ata që pranojnë të japin mësim në shkollat që punojnë me sistem aparthejdi dhe asimilojnë fëmijët e bashkëvendasve dhe fqinjëve të parë të tyre?! Dhe akoma më keq, çfarë jemi ne që tolerojmë kësi lloj fyerjesh që bëhen para syve tanë me trahomë kronike?!

E dhembshme të dëgjosh prindërtit e vogëlushëve të pafat dhe të lënë pa të zot, tek flasin me shpirt të thyer për të ardhmen e engjëjve të tyre, tek lusin për ndihmë burrshtetasit hijerëndë, intelektualët e mëdhenj, profesorët e gjithdijshëm…(respekt përjashtimeve!), të cilët, pa pët syri, kalojnë mbi këto skena për t’iu kthyer krahut tjetër të gjumit, që, pa asnjë dyshim, do t’na ngordhë si etni shumë përpara kohës që na e pret radakja.

Ftoj me këtë rast subjektet politike shqiptare në pushtet që ta mbyllin në çast dosjen e asimilimit dhe gjenocidit shpirtëror që dikush e ushtron ndaj fëmijëve të Banjicës dhe jo vetëm, duke u siguruar atyre abetare, tekste të denja mësimore dhe shkollim cilësor në gjuhën amtare. Ndryshe, para se gjithash ju politikbërësit hijerëndë, bashkë me ne intelektualët e mëdhenj, bashkë me ne profesorët e gjithdijshëm dhe heshtakë, bashkë me ne analistët, ekpertët dhe mediet ngjyrë sarillëku, që merren më shumë me prapanica qeshitesh se sa me shuarjen e shpejtë të etnisë sonë fatkeqe, do të përfundojmë në kamaren e turpit, pa lënë asnjë shteg justifikimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button