Mysafirë të lartë

Para vetëm disa viteve ishim vendi i harruar i Ballkanit. Nuk na vizitonte askush, ndërsa presidenti i shtetit bënte do vizita nëpër vende ekzotike të Kaukazit dhe të lindjes. Me perëndimorët, si në rastin e Obamës, përshëndetej nga larg, duke ua mbyllur njërin sy. Presidenti të cilin nuk e di si kemi nerva ende ta mbajmë president, vazhdon të vizitojë vendet e lindjes përkundër atyre ku neve e kemi perspektivën, por sa u përket vizitorëve tanë gjërat kanë ndryshuar, edhe atë në mënyrë radikale.

Para pak kohësh në vizitë zyrtare ishte kryeministrja britanike Tereza Mej, ndërsa javën e kaluar, brenda tri ditëve kishim vizitën e Jens Stoltenbergit, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Sebastian Kurc, kancelarit austriak, si vend që momentalisht kryeson me Këshillin e Unionit Evropian, dhe Angela Merkel, kancelarja gjermane dhe njëra ndër personalitetet me më së shumti ndikim në botë. Dje përcollëm ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, sot e presim Federika Mogerinin ndërsa për fundjavë presim edhe ministrin e mbrojtjes së SHBA. Këtë vëmendje ndërkombëtare asnjëherë nuk e ka pasur ky shtet as në periudhat më të vështira që i ka kaluar. Të gjithë këta persona të rëndësishëm që na nderojnë me kohën dhe prezencën e tyre, japin një mesazh të sinkronizuar dhe shumë të qartë: Dilni dhe votoni për të ardhmen tuaj. Dilni dhe thoni po ardhmërisë evropiane dhe euro-atlantike. Dhe këtë e thonë shumë qartë që gjithsecili ta kuptojë dhe që askush të mos ketë dilema.

Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë tone që të na vizitojë një kancelar gjerman. Dhe këtë vendosi ta bëjë gruaja më e fuqishme në botë, pikërisht në kohën kur na duhet një përkrahje e këtillë ndërkombëtare. Një kolegu im një ditë konstatoi që Mekrel të dedikojë vetëm 5 minuta të kohës së saj për shtetin tonë, ka një rëndësi të madhe, e ku më të vendosë ta bëjë një vizitë kyçe, në momentin kyç historik, pikërisht para referendumit. Dhe vjen Merkel në Shkup dhe e pyet gazetarja: “Përse na kërcënoni? Përse duhet të ndryshojmë domosdoshmërish emrin kur neve nuk duam ta bëjmë një gjë të tillë?” Dhe kancelarja përgjigjet: “Ne nuk kërcënojmë askënd, por duam t’ju shohim si pjesë e familjes së NATO-s dhe familjes evropiane. Rruga për atje është përmes referendumit të suksesshëm”. Shkurt dhe qartë.

Është e çuditshme ndonjëherë si popujt e vegjël nuk arrijnë ta kuptojnë shpejt mesazhin që u jepet. Kështu, njoh shumë të cilët thirren tek vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thonë që kjo që po ndodh është e padrejtë. Por në sferën e politikës ndërkombëtare nuk sundon drejtësia por forca politike. Dhe me atë forcë politike të Greqisë si anëtare edhe e NATO-s edhe e BE-së, neve arritëm një marrëveshje me të cilën ky problem do të zgjidhet në mënyrë dinjitoze. Dhe të vinë gjithë këta njerëz të mëdhenj të na tregojnë se duhet ti hapim sytë, të mos e çojmë kot këtë mundësi për të zgjidhur problemet tona. Dhe megjithatë të themi që ndjehemi të kërcënuar. Çfarë absurditeti!

Në ndërkohë, Unioni Evropian këto ditë na dha edhe një mesazh të qartë. Parlamenti Evropian votoi inicimin e procedurës disiplinore kundër Hungarisë. Ja kjo ndodh kur vendi brenda BE-së shkel parimet e sundimit të ligjit dhe luan diktaturë në vend të demokracisë. Me këtë UE përfundimisht jep mesazh të qartë se krijimi i Orbanëve nuk do të tolerohet. Dhe kjo është përgjigje e mirë për të gjithë ata që thonë se e njëjta mund të ndodhë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, të harrojnë se ku ishin dhe të kërkojnë të kthehen në të kaluarën edhe pas integrimit në UE.

Më e bukura është se shumica e Parlamentit Evropian i takon EPA-së (Partisë Popullore Evropiane), pra djathtistët që deri vonë përkrahnin persona si Orban, tani janë ata që votojnë për sanksione ndaj tij. Nga ana tjetër, herën e fundit që Kurc ishte në Maqedoni ishte në Dhjetor 2016, kur mori pjesë në mitingun parazgjedhor të VMRO-së. Ndërsa tani erdhi të na thotë se e ardhmja është në duart tona dhe se duhet të votojmë “Për” në referendum.

Çfarë tjetër duhet të ndodhë për të kuptuar se edhe vetë përkrahësit e VMRO-së, brenda dhe jashtë vendit, edhe mes radhëve të tyre, thonë qartë që duhet të bartet përgjegjësia historike dhe të përkrahet referendumi që na çon drejt të ardhmes evropiane?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button