Kosova duhet të funksionojë si një familje e mirë

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

(Një vjet nga largimi i prof. Abdullah Zymberit)

Ja, iku edhe një vjet, shkoi padiktueshëm, shpejt, nga largimi nga ne i leksikologut, leksikografit dhe profesorit universitar Abdullah Zymberi. Të shtunën u mbajt një takim pëkujtimor në Prizren, në qytetin ku jetoi dhe veproi. Në këtë përvjetor ishin mbledhur familjarët, kushërinjtë, kolegët e miqtë më të mirë të profesorit dhe i bënë respektet që i kërkon tradita. Dikush, me këtë rast tha se bashkë me Abdullahun iku edhe përpjekja e madhe për ta shpëtuar thesarin burimor të leksikut shqiptar. Me të u tret edhe dashuria e madhe që të institucionalizohet mbrojtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe, zgjidhja e çështjes së toponimeve, bërja e antologjive të këngëve popullore shqiptare dhe vjelja e tërë materialit gjuhësor dhe atij të traditës.

Sa ishte gjallë nuk ndalej së kërkuari fjalë të rralla shqipe, të cilat Fjalori i gjuhës shqipe nuk i kishte ose padrejtësisht i ka lënë jashtë kopertinave të veta ose më shkurt i ka përjashtuar. Në punën e tij fisnike e ka pasur ndihmën e njerëzve të mirë, të dashamirëve të gjuhës shqipe, por jo edhe të institucioneve të cilave u bie ta mbrojnë gjuhën shqipe dhe të kujdesen për pasurimin e saj. Po, ashtu ndodh kur politikisht jemi me decenie në udhëkryq dhe nuk e dimë se kah do të përfundojë kalvari ynë shekullor, se kah do t’ia mbajmë dhe për çfarë të ardhmeje do të luftojmë. Për të nuk ka pasur vend më të shenjtë se hapësira jonë etnike. Ky ishte vend me një gjuhë që ruante një lashtësi monumentale. Dëshira e tij ishte të forcohej kujtesa institucionale dhe ajo librore.

Në këso pozite të zymtë në të cilën na ka sjellë politika grindavece, nuk po realizohen amanetet e figurave të mëdha. Njerëzit shumë lehtë e sakrifikojnë edhe të ardhmen e fëmijëve tanë dhe edhe edhe më lehtë i hedhin në harresë ata  burra të ndershëm të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar përparimit të kombit.

Abdullah Zymberi është njëri nga gjuhëtarët e veçantë dhe nga ato personalitete që asgjë s’ka kursyer për ta shpëtuar çdo fjalë “të harruar” nëpër fshatrat më të thella të hapësirës sonë etnike. Dhe, gjithmonë ka qenë pranë popullit dhe me popullin. Pranë studentëve dhe me studentët, prej të cilëve kërkonte vetëm dije dhe luftë për të vërtetën. Ky qëndrim moral e ka bërë shumë të popullarizuar jo vetëm në mesin e ish nxënësve dhe ish studentëve të tij, por edhe në mesin e fshatarëve ku ka qenë vazhdimisht i pranishëm. Por, edhe ai gjithmonë mahnitej me çdo fjalë të rrallë që e gjente, me çdo shprehje, me çdo këngë dhe me çdo veçanti gjuhësore, me çdo njeri që tregohej i gatshëm të bashkëpunojë për shpëtimin e fjalëve të rrezikuara.

Mrekullinë dhe forcën e gjuhës shqipe e zbuloi nga rrëfimet e pleqve dhe plakave të vendlindjes, nga ndenjat e lojnat dikurshme popullore.

Kush i ka pasur nëpër duar fjalorët e prof. Abdullah ZymberitFjalorth i fjalëve të rralla dhe Fjalori popullor (me rreth 20.000 fjalë) e ka të qartë se çfarë kontributi ka dhënë ai për pasurimin e fjalorit tonë, kurse miqtë e tij e dinë se ai nuk hoqi dorë nga vjelja e fjalëve as në kohën e tiranisë serbe, as kur bandat e Milosheviçit e dëbuan së bashku me tërë popullin shqiptar nga shtëpia e tij në Prizren, por as më vonë kur shëndeti nuk i shërbente si më parë.

Ka edhe diçka të veçantë në personalitetin e këtij studiuesi. Ishte shok i vërtetë, ishte i besës, e donte jetën. Sa herë që kishte kohë derisa nuk e lodhi sëmundja, atë e gjeje në terrenet sportive ku më me dëshirë luante tenis. Luante me lojtarë më të rinj e të stërvitur mirë dhe e bënte atmosferën e këndshme në lojë me humorin e tij të veçantë. Gjithandej atë e prisnin krahëhapur dhe gjithkund e kishte të sigurt kryet e vendit, ngase e donin dhe e respektonin.

U rrit në mesin e popullit shqiptar, kurse ai u kujdes tërë jetën për gjuhën e këtij populli dhe për arsimimin e të rinjve.

Tërë jetën jetoi me kujtimet e njerëzve të mirë që ia “zbulonin” fjalët e mbetura diku nën hijet e lisave të lartë nëpër viset e thella e të harruara shqiptare dhe ku deri në lartësinë e kultit ishte ngritur harmonia familjare. “Edhe Kosova është si një familje… Edhe Shqipëria…”, thoshte prof. Abdullahu. Prandaj, detyra e parë e politikanëve tonë është të gjejnë një gjuhë të përbashkët veprimi për çështjet kruciale kombëtare dhe të ecin drejt përparimit”…

Kështu mendonte ky hulumtues i vlerave kombëtare, ky pedagog i dalluar dhe ky njeri i mirë. Fatkeqësisht politikanët tonë e bëjnë të kundërtën. Thuajse të gjithë ecin në anën e kundërt të rrjedhës së lumit.

Prandaj u mbetet brezave të rinj ta kujtojnë dhe mos të lejojnë që harresa të gëlltisë emra kaq të rëndësishëm të dijes sonë. Njëherësh t’i kthejnë në kahen e mbarë ata që shkojnë në kahen e kundërt të lumit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP