Uçkuret e ngushta mendore

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Kur Zoti vendosi ta krijojë njeriun urdhëroi engjëjt të ndërtojnë kallëpe speciale për ballkanasit dhe t’i përkundin në njërin prej djepeve të parë të qytetërimit njerëzor, duke ua dhuruar privilegjin e posedimit të dritës së mendjes dhe zjarrit të shpirtit të pamposhtur prometean. Qe ky fillimi i pranverës evropiane, ku njerëz të folmesh, tiparesh e fisesh të fisme jetuan në harmoni me njëri-tjetrin dhe gati nuk merrej vesh kush është kush? Kacagjelime pati, po ato u bënë në harmoni me kodet e kohërave që s’janë më, në pajtim me kanunet dhe me burrninë e njerëzve që, në raport me djallëzitë, mëritë, shtazëritë… e mëvonshme, dukeshin si të ishin të gjithë nga Abeli.

Kështu thuhet se ka qenë dikur, gjersa u dyndën pastaj hijena stepash t’acarrta dhe ua mësuan vendasve mjeshtërrinë e kacavjerrjeve majmunore, ngrënien e kokave të njëri-tjetrit dhe zanatin e kubarisë. Që atëherë gjërat morrën së prapthi, i shndërruan ballkanasit në ujt’ e shtonës dhe i lanë të busojnë gërditshëm nëpër kapërcyej mijëvjeçarësh. Më të dobëtit, ia sollën punën të vajtojë në stilin: Ti më ke pas ken nji zonj’ e randë…

Të vetëdijshëm për shkallën e katandisjes dhe pamundësinë e kthimit të shkëlqimit të dikurshëm, pa kapacitete njerëzish që bëjnë historitë, ballkanasit shpikën artin e huazimit, zaptimin e të huajës, përvetësimin e kuotave dhe vlerave të tjetrit, pa ia varur fort metamorfozimit në malukat sfrutonjës, që në pazarin e madh të vjedhjes së miteve, baladave, legjendave, heronjve të lashtësisë, figurave historike, personaliteteve të rëndësishme…, shkojnë mw shumw nga kënaqësia e teleisjes së vetvetes me pendlat e tjetrit, se sa nga lezeti që u krijon lakuriqësimi i fqiut.

Në këtë përshesh tebdilosjesh me pendlat e tjetrit, natyrisht, marrim pjesë dhe ne shqiptarët, po vetëm si dhënës, si dhurues dorëlirë, si rokfelerë që s’çajnë kryet për kusur. Ne nuk huazojmë gjë prej të tjerëve dhe nuk i prekim vlerat/ figurat simbol të tyre, jo pse jemi më të ndryshëm se ata, po pse e vuajmë dermën e gjithmonshme të indiferentizmit që na bën t’i shohim të tepërt edhe thesaret tona pa të cilat nuk ka komb, nuk ka shtet, nuk ka qytetërim. Ne ua dhurojmë ato pa dhimtë të tjerëve për të ndejtur më rehat në pragun e zeros së yshtur me sistem të mos i durojë bjeshkët e vetvetes. Shikojeni pak kahjen e pështymave që poshtërrojnë 24 orë në ditë racën shqiptare – personalitetet, simbolet dhe dinjitetin tonë kolektiv të mbetur në grahmat e mbrame, për ta bërë më mirë dallimin me të tjerët, që nuk bëjnë shaka të tilla as në llogari të nastradinëve të tyre. Në dallim pej nesh, ata i adhurojnë figurat e shquara, bëjnë ç’mos që më të mirët të shpërthejnë muret e vorbës nacionale, madje institucionalisht sajojnë madhështi të rreme e të dyshimta, shpikin lidhje gjaku me figura që s’kanë kurnjë lidhje me maxhirësinë e tyre, sepse, ndryshe prej nesh, duan t’i ndërtojnë gjuhët, kulturat, etnitë dhe atdhetë e tyre.

Shi për këtë, është koha e përballjes me indiferencën tonë që legjitimon zellin e hajnisë së tjetrit dhe lakuriqësimin tonë në shkallë turpi. Është koha ta kuptojmë ku na shpiejnë uçkuret e ngushta mendore dhe noti pa kompas n’oqeanet e salepta afrikane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP