25 vite të tjera

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

“Kaluan 25 vite deri sa u arrit kjo marrëveshje dhe mund të kalojnë edhe po aq deri sa të sillet një marrëveshje e re po që se kjo nuk kalon” tha Metju Nimic, negociatori kryesor në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit të këtij shteti. E tani pyetja ime është: A kemi ne edhe 25 vite të tjera për t’i hedhur në erë dhe për të menduar edhe më tej si duhet të quhemi? A e kemi luksin të besojmë se koha punon për ne dhe se problemet do të zgjidhen vetvetiu, se Maqedonia ka kohë për të pritur?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: Nuk e kemi një luks të tillë.

Gjeneratës sime i kanë kaluar 25 vite duke pritur një zgjidhje e cila do të na mundësonte një jetë më të mirë. Gjenerata ime ka kaluar në periudhën e tranzicionit, një periudhë e pasigurt dhe plot shqetësime. Një periudhë kur nuk kanë mundur të bëhen plane afatgjate e as të arrihet një mirëqenie dhe siguri e përgjithshme ekonomike dhe sociale. Një periudhë kur gjërat kanë ndryshuar dhe vlerat janë degraduar. Një periudhe ngjyrë hiri ku të gjitha sferat e jetesës janë prekur nga kriminaliteti dhe korrupsioni. Një periudhë gri e jetës tonë që ka filluar që në kohën kur kemi nisur të kuptojmë se ç’është jeta dhe po vazhdon edhe më tej. Një periudhë që nuk e mbajmë mend as për arsim kualitativ, as për shëndetësi efikase, as për siguri. 25 vite të pasigurta kanë kaluar deri më tani, dhe dikush me shumë nonshalancë beson se edhe 25 vite të tjera të tilla nuk do na dëmtonin.

Djali im i madh këto ditë mbush shtat vjet. Pas 25 viteve ai do të ketë 32 vjet. Ato 32 dy vjet nuk do i kalojë më në këtë vend po që se unë vendos të luaj me ardhmërinë e tij edhe për 25 vite të tjera. Ky trend i ikjes nga ky vend ku kaq gjatë mundohemi ta ruajmë identitetin dhe dinjitetin tone të cilin lehtësisht e humbasim sapo e kalojmë kufirin dhe fillojmë të flasim një gjuhë të huaj do të vazhdojë edhe më tej dhe ende më fuqishëm po qe se ne tani vendosim të luajmë rulet rus me mundësinë që na është dhënë. Mundësi kjo e cila vjen në shprehje një herë në 25 vite si që e shohim. Djali im nuk ka të drejtën e votës me 7 vitet e tij, por unë e kam. Dhe unë besoj që me votim pro ardhmërisë evropiane të këtij vendi nesër do të kem fytyrë t’i them atij rri, se ke mundësi edhe këtu të jetosh një jetë evropiane. Rri se ke mundësi të jesh shqiptar dhe të kultivosh identitetin tënd pa u dashur të asimilohesh dhe ta harrosh gjuhën tënde. Rri, se nuk ka nevojë të endesh nëpër botë për të kërkuar perspektivë. Shko kërko dije dhe njohuri gjithkund, por ke gjithmonë mundësinë për të bërë diçka për qytetin tënd, për vendin tënd ku ti jeton. Ke mundësi të jetosh dhe të punosh aty ku ke lindur dhe këtë mund ta bësh, sepse bëhet fjalë për një vend evropian që tani më i plotëson standardet evropiane dhe është i sigurt brenda ombrellës së NATO-s. Këtë do të mund t’ia them unë djalit tim, sepse e kam bartur përgjegjësinë që më takon mua sot lidhur me ardhmërinë e tij.

Çfarë do u thonë fëmijëve të tyre ata që do vendosin të flenë gjumë me 30 shtator? Si do e arsyetojnë gjumin letargjik dhe nonshalancën e tyre lidhur me mundësinë që jepet një herë në jetë? Çfarë do u thonë kur ata të kërkojnë pasaportën bullgare për t’u shpallur qytetar evropian? Çfarë do u thonë fëmijëve kur t’i dërgojnë në shkollë dhe ta shohin se kanë mbetur 3 vetë në klasë dhe se të tjerët janë bërë danezë, suedezë, gjermanë e francezë? Si do e arsyetojnë veprimin e tyre të fjetjes gjumë kur mund të reagonin dhe të krijonin një mundësi sado të vogël që fëmijët e tyre ta gjejnë veten aty ku janë dhe të munden një ditë të punojnë për vendin ku kanë lindur?

Globalizimi është një proces që ne nuk do të mund ta ndalim dhe nuk kemi pse ta ndalojmë. Është proces që na bën të mundur t’i shohim të gjitha mundësitë që bota i ofron. Por globalizimi duhet të jetë një proces të cilin ne e zgjedhim, dhe jo tek i cili detyrohemi të shkojmë për shkak të mungesës së mundësive në vendin tonë. Prandaj, kemi përgjegjësi si qytetarë, që fëmijëve tanë t’u japim mundësinë që nëse duan të qëndrojnë ballëlartë dhe me dinjitet në vendin e vet këtë të mund ta bëjnë. T’u mundësojmë të kenë ku të kthehen pasi ta kenë shijuar globalizmin. T’u mundësojmë që të mos ikin pa kthyer kokën duke qenë të bindur se kjo është gjëja më e mirë që kanë bërë për vetveten. Fundja, detyrë e çdo prindi është që fëmijëve t’u japë krahë të fluturojnë dhe t’i shohin çuditë e botës, por po ashtu t’u japë rrënjë të forta që gjithmonë të mund të kthehen aty ku takojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP