Referendumi i qytetarëve, për qytetarët

Janë të dukshme tendencat për ta karakterizuar Referendumin e 30 Shtatorit si “punë” mes VMRO-DPNE-së dhe LSDM-së në të cilën të tjerët duhet të kenë interesa dhe kërkesa konkrete për t’u përzier. Kjo është një qasje tërësisht e gabuar dhe shumë e dëmshme për të arritur atë që kemi kohë që e presim dhe shansi i dhënë ose do të kapet dhe do shfrytëzohet me 30 Shtator, ose do të na ikë nga dora përgjithmonë.

Referendumin që do të mbahet me 30 Shtator e ka shpallur Kuvendi i RM-së. Bëhet fjalë për referendum ku qytetarët do të konsultohen për pyetjen e dhënë: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë?”. Nuk bëhet fjalë për zgjedhje parlamentare, presidenciale ose lokale. Bëhet fjalë për preferencat e qytetarëve lidhur me pyetjen e parashtruar, dhe jo për preferencat e tyre lidhur me partitë politike.

Ka njerëz që mendojnë se vota “për” në këtë referendum është votë “për” LSDM-në ose ndonjërën nga partitë tjera qeveritare. Jo. Kjo është votë për ardhmërinë e vendit. Është votë me të cilën çdo qytetar e shpreh mendimin e vet, a dëshiron anëtarësim në NATO dhe BE ose jo. Këto nuk janë zgjedhje, ky është referendum, ku qytetarët konsultohen për mendimin e tyre lidhur me pranimin ose jo të Marrëveshjes me Greqinë si parakusht për anëtarësim në këto dy struktura. Kjo është pyetje që na bashkon të gjithëve si qytetarë të këtij vendi në atë se ku duam ta shohim ardhmërinë, brenda ose jashtë NATO-s, brenda ose jashtë BE-së.

Dhe ky është shansi i vetëm kur mund ta shprehim këtë vullnet. Nëse dikush mendon që edhe sikur ky referendum të dështojë do të ketë tjetër pas disa vitesh dhe prandaj duhet marrë me nge puna dhe tani të shikojmë të realizojmë ndonjë qëllim që se kemi realizuar kurrë më parë e ka shumë gabim. Ky është shans që nuk përsëritet dhe pyetja është shumë e qartë dhe e fokusuar. Nuk është pyetja a duhet të amnistohet kriminaliteti i pjesëtarëve të VMRO-DPMNE-së i viteve të kaluara të cilin e ndjek PSP-ja. Nuk është pyetja a duhet të amnistohet 27 Prilli i vitit 2017. Nuk është pyetja as a duhet shqiptarët të kenë më shumë të drejta. Pyetja është e qartë: A doni ose jo anëtarësim në NATO dhe BE?

A thua vallë si mund të thotë dikush që kjo pyetje dhe ky qëllim nuk i përfshin shqiptarët? A nuk janë shqiptarët qytetarë të këtij vendi që duan të anëtarësohen në NATO, aty ku Shqipëria ka kohë që është anëtarësuar? A nuk janë shqiptarët qytetarë të këtij vendi që duan të anëtarësohen në Unionin Evropian, aty ku çdo familje e jona e ka një pjesë të saj, aty ku ikën të dashurit tanë ndërsa qytetet e fshatrat tona u shprazën? A nuk janë shqiptarët ata të cilët gjithmonë në zemër e kanë pasur Naimin që thotë se për ne dielli lind atje ku perëndon?

Për mua nuk ka asnjë dilemë që kjo pyetje është esenca e ëndrrës së kahëhershme shqiptare për bashkim në një Evropë të bashkuar dhe për mbrojtje dhe siguri brenda NATO-s dhe larg Rusisë dhe lindjes. Prandaj nuk kam asnjë dilemë që kjo është ditë e rëndësishme për të gjithë ne dhe veçanërisht për shqiptarët si qytetarë të këtij shteti. Është dita më e rëndësishme për ta. Kjo ditë është më e rëndësishme se të gjitha zgjedhjet parlamentare, presidenciale e lokale që i kemi pasur deri më tani. Kjo është dita kur ne vendosim për të ardhmen tone. Kjo është dita kur duhet të mobilizohemi sa më shumë dhe të dalim në numër sa më të madh për t’i thënë “po” ardhmërisë evropiane dhe euro-atlantike. Kjo është dita kur diaspora jonë duhet të vijë dhe të votojë ashtu si që vjen dhe voton në zgjedhjet parlamentare ose lokale. Kjo është Dita D të cilën nuk guxojmë ta kalojmë me pasivitet, noshalancë dhe indiferencë. Kjo është dita që o e kapëm sot o s’do kemi më shans ta kapim përsëri.

Dhe përfundimisht, kjo është dita që po nuk e kapëm, fëmijët tanë do të na pyesin se pse nuk e kemi kapur kur kemi pasur mundësi, pse nuk e kemi bërë këtë vend Evropë, kur kemi mundur ta bëjmë. Dhe të jeni të sigurt që do na pyesin, ditën kur do i përcjellim ata për atje, në Evropë, atje, ku duam ose nuk duam, nuk do mund t’i ndalojmë të shkojnë, sepse nuk kemi zemër t’ua ndalojmë mundësitë që i presin atje. E pikërisht në atë ditë, duke i përcjellë ata do ta kuptojmë sa shumë kemi gabuar, sepse kemi i mundur që Evropën ta sjellim këtu, në vend se t’i lëshojmë fëmijët tanë të shkojnë në Evropë.

Prandaj, mendoni për këtë deri me 30 shtator. Mendoni jo vetëm për atë ditë por edhe për ditët, muajt, vitet në vijim. Mendoni për atë që nëse ne tani nuk e sjellim Evropën këtu, do të vijë dita kur do i dërgojmë të gjithë fëmijët tanë më të mençur atje, si flijim për gabimet tona, dhe për shanset që i kemi lëshuar të kalojnë pa u shfrytëzuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button