ANALIZË: Taksambledhësit do t’i “gjuajnë” mospaguesit e tatimeve, DHP-ja dhe bankat do të jenë në linjë “të nxehtë”!

Edhe pse qeveria u tërhoq nga njoftimi fillestar për qasje të plotë në llogaritë bankare të qytetarëve dhe në depozitat e tyre, megjithatë mbetet propozimi për t’i inspektuar të ardhurat që derdhen në llogarit bankare të qytetarëve. Sipas ekonomistëve, bëhet fjalë për një vendim politik që ka motiv tatimor –  shteti dëshiron t’i vendosë nën kontroll mospagesuesit e tatimeve, të cilët realizojnë të ardhura. Do të synohen të ardhurat nga qiratë, të ardhurat në formë të rrogave nga jashtë, por jo edhe transferet nga diaspora, komentojnë ekonomistët për Portalb.mk.

Argumentet – “për” dhe “kundër” qasjes në të ardhurat në llogaritë bankare!

Të ardhurat e fituara gjatë punës jashtë vendit për të cilat nuk janë paguar tatimet në vendin ku ato janë fituar, të ardhurat nga honoraret dhe kontratat autoriale që janë derdhur në llogari nga jashtë, të ardhurat nga qiratë, sipas disa ekonomistëve, janë objektivat e masës së shpallur – qasje në llogaritë bankare të qytetarëve, d.t.th. në të ardhurat e tyre, me qëllim që të vendosen në kontroll të ardhurat për të cilat tani paguhen tatime.

“Arsye e përgjithshme dhe iniciale për futjen e këtij mekanizmi është motivi tatimor. Bëhet fjalë për masë për kontrollimin e të ardhurave, gjegjësisht për mekanizëm për verifikimin e saktësisë she qëllimi i dytë është ngushtimi i rripit për ekonominë e zezë, e në këtë rast bëhet fjalë për të ardhurat e padeklaruara të cilat shteti dëshiron t’i fusë nën kontroll, e me këtë edhe nën regjim të tatimimit” – sqaron eksperti tatimor Pavle Gacov.

Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale ka dhënë mendim negativ për ndryshimet e propozuara në Ligjin për banka, e poashtu reagoi edhe ndaj ndryshimeve ligjore me të cilat do të mundësohet që edhe Drejtoria doganore të bllokojë llogari për shkak të doganave të papaguara.

“Me këto ndryshime mundësohet përpunim i tepruar dhe i pakufizuar i të dhënave personale, të cilat për nga madhësia e tyre nuk janë të domosdoshme për përmbushjen e qëllimeve për të cilat përpunohen ato” – njoftuan në mes tjerash nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale dhe theksojnë se DHP-ja do të duhet me të gjitha mekanizmat detyrimisht të sigurojë mbrojtje gjatë mbledhjes, përpunimit dhe ruajtjes së së të dhënave personale.

Kundër ndryshimeve ligjore u deklarua edhe Asociacioni i bankave të Maqedonisë, përfaqësuesit e të cilit kishin takim me zyrtarët e Ministrisë për Financa dhe të Drejtorisë për të hyra publike. Bankierët paralajmëruan se me qasjen në llogaritë bankare të qytetarëve depërtohet në privatësinë e tyre, vihet në pikëpyetje mbrojtja e të dhënave personale dhe humbet fshehtësia bankare. Nga Ministria për Financa thonë se jo vetëm që nuk do të rrezikohet privatësia e qytetarëve, por ajo do të mbrohet në nivel edhe më të lartë se ai aktual.

“Drejtoria edhe me ligjin ekzistues merr të dhëna për llogaritë e qytetarëve me kërkesë me shkrim. Me ndryshimet do të merrej automatikisht vetëm pjesa e të ardhurave, ndërsa për të dhënat e tjera, Drejtoria edhe më tutje do të duhet të parashtrojë kërkesë me shkrim. DHP-ja nuk ka nevojë për shpenzimet e qytetarëve dhe bilancin e llogarisë për të përgatitur formularin e përgatitur paraprakisht tatimor”, – njoftuan nga ministria.

Para do kohësh edhe kryeministri Zoran Zaev deklaroi se qëllimi i ndryshimeve është që të detyrohen atë që realizojnë të ardhura e nuk i paraqesin ato, mbi të gjitha të ardhura të mëdha, t’i paguajnë taksat ndaj shtetit.

“Nuk do të kontrollohet dalja e mjeteve nga llogaritë, kjo bëhet me qëllim të mbledhjes së taksave. Atje ku ka më shumë të ardhura, mbledhja e taksave është më e vogël. U bëj thirrje qytetarëve që të mos kenë frikë, kjo është vetëm mënyrë që DHP-ja t’i mbledhë taksat” – deklaroi para do kohësh kryeministri Zoran Zaev.

Nën kontroll edhe fitimet nga vendet e huaja?

Me mekanizmin për qasje në llogaritë bankare, ndër të tjera, nën kontroll do të vendosen edhe të ardhurat që realizohen, që fitohen jashtë vendit, pavarësisht se a bëhet fjalë për honorar apo rrogë.

“Flasim për honorarë ose të ardhurat për shkak të kontratave autoriale jashtë vendit dhe nëse nuk është paguar tatimi dhe nuk janë paraqitur të ardhurat – atëherë sistemi i ri do ta regjistrojë këtë dhe do të duhet të paguhet tatimi personal. Një shembull tjetër është rroga e fituar në mënyrë të ligjshme jashtë vendit. Nëse është paguar tatimi në vendin ku punon, atëherë duhet të dorëzohet dokument si dëshmi për këtë. Nëse nuk është paguar tatimi në vendin e huaj, atëherë qytetarët do të duhet të paguajnë atë në shtëpi, në vend” – shpjegon ekonomisti Gacov dhe shton:

“Qëllimi përfundimtar është rritja e të ardhurave tatimore, gjegjësisht të ardhurat e padeklaruara deri tani do të regjistrohen dhe do të jenë subjekt i taksimit, që do të thotë se do të kemi rritje të bazës tatimore dhe, rrjedhimisht, edhe të të ardhurave nga pagesa e taksave” – thotë Gacov.

Me ndryshimet ligjore, nëpërmjet automatizimit të shkëmbimit, DHP-ja do të marrë nga bankat të dhëna për të hyrat nga jashtë të qytetarëve që janë banorë të Maqedonisë. Sipas informacioneve paraprake të marra nga bankat, bëhet fjalë për rreth 100,000 transaksione (jo individë), në nivel mujor, por a do të mbeten këto trende edhe në vitet e ardhshme varet nga ajo se sa të ardhura nga jashtë do të kenë qytetarët.

Deri në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave nga Drejtoria për të hyra publike,  në bazë të tatimit në të ardhurat personale, DHP-ja ka arkëtuar rreth 59 milionë euro, që është për 3.6% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Të hyrta nga TVSH-ja, të cilat shtylla kryesore në strukturën e të ardhurave tatimore, arrijnë në 187.4 milionë euro dhe në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017 ka një rënie prej 5.25%.

Transferimet nga diaspora nuk janë “cak” i këtyre masave…

Me masën për qasje në llogaritë bankare nuk do të përfshihen transferimet nga jashtë, shpjegojnë ekonomistët. Ata thonë se duhet bërë dallim midis të ardhurave dhe të hyrave, ndërsa transferimet në këtë rast nuk janë të ardhura dhe për këtë arsye nuk i nënshtrohen regjimit tatimor.

Për t’u realizuar i gjithë operacioni, do të nevojitet logjistikë e madhe dhe e re e mekanizmave dhe e DHP-së, por edhe i bankave. Operacioni, sipas ekspertëve, do të kryhet përmes një sistemi të koduar, dhe ashtu siç do të vijnë të ardhurat, ato do të regjistrohen në DHP. Ky sistem do të duhet t’i “kapë” ata që deri tani nuk i kanë paraqitur të ardhurat dhe nuk i kanë paguar taksat për realizimin e të ardhurave.

Transferimet që vijnë nga jashtë janë të hyra dhe jo të ardhura dhe ato nuk do të përfshihen me këtë masë. Me qasjen në llogaritë bankare do të duhet të “kapen” njerëzit që kanë të ardhura nga, për shembull, qiraja dhe nuk i kanë paraqitur ato. Ata, përveç gjobave, për shkak se ata nuk i paraqitur ato në Fletëparaqitjen vjetore të tatimit, do të jenë të detyruar t’i deklarojnë, gjegjësisht ta paguajnë tatimin.

Ekonomistët për “Portalb“-in thonë se modeli i qasjes së DHP-së në llogaritë bankare të qytetarëve zbatohet në vendet evropiane, por jo edhe në vendet e rajonit, gjegjësisht në në Ballkan. Sipas komenteve të ekspertëve, kjo masë e kontrollit mbi të ardhurat në njëfarë mënyre mund të jetë prelud për taksimin e paralajmëruar progresiv – me qëllim që të bëhet analizë e gjendjeve me të ardhurat e deklaruara dhe të padeklaruara dhe lartësinë e tyre, parametra që do të ishin të rëndësishëm për ndryshimet e mundshme tatimore. Në një ambient të këtillë politik, sipas ekspertëve, priten reagime të ashpra si për taksimin e paralajmëruar progresiv ashtu dhe për masën për qasje në të ardhurat në llogaritë bankare.

“Nuk përjashtohet mundësia që me futjen e kësaj mase dhe duke i parë efektet e saj, mbi të gjitha të ardhurat e rritura tatimore, ka mundësi të prolongohet e taksimin progresiv. Por tani për tani, ky është vetëm një skenar i mundshëm” – komentojnë ekspertët për “Portalb”-in.

Sipas paralajmërimeve, mekanizmi i ri duhet të fillojë nga viti 2019, me ç’rast me fillimin e vitit të ardhshëm sistemi do të fillojë të funksionojë, ndërsa efektet do të pasqyrohen në fletëparaqitjen tatimore taksave në vitin 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button