SHBA zyrtarisht e bën “të pavlefshme” idenë e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, tha sot se vendi i tij ka disa kufizime se çka do të pranohet si marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në një adresim për media, Delawie ka shtuar se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit të Kosovës dhe se Uashingtoni nuk dëshiron ta shohë një marrëveshje që do të krijonte më shumë probleme se sa që do të zgjidhte.

Me këtë deklaratë, Delawie i jep fund hamendësimeve se SHBA mund të pajtohet më një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi për shkëmbim territorit, bashkim të një territori tjetër apo ndarje.

Kjo deklaratë është e fundit sa i përket aleatëve të Kosovë në deklarimet lidhur me idenë e shkëmbimit të komunave veriore të Kosovës me ato të Luginës së Preshevës, shkruan Lajmi.net.

Më herët kishin reaguar edhe Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.

Ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë në një deklarim të përnjëditëshëm kundërshtuan qëndrimet e presidentit Thaçi dhe një pjesë të politikanëve në Kosovës dhe Luginë të Preshevës për ndryshim të kufijve teksa kanë thënë se këto thirrje për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.

“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese”, kishte thënë ambasada britanike.

“Ashtu siç kemi qenë gjithmonë të qartë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”.

“Qeveria britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së vendeve të pavarura brenda kufijve të tashëm. “Ne vazhdojmë ta mbështesim dialogun të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me të cilët përfitojnë të dy vendet.”

Ambasada e Gjermanisë ka thënë se shteti më i fuqishëm brenda BE-së, është kundër ndryshimit të kufijve.

“Ministri i shtetit, Michael Roth, sikurse edhe Ambasadori Heldt në intervista të ndryshme e kanë bërë të qartë pozicionin zyrtar lidhur me dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Me këtë, qëndrimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë është i njohur”, thuhej në një deklaratë të kësaj ambasade.

Sot për mosndryshimin e kufijve në Ballkan ka folur edhe kancelarja Angela Merkel. Ajo doli kundër kësaj ideje në një konferencë të përbashkët me kryeministrin malazez, Dushko Markoviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP