Gruevski iku por lufta me gruevizmin nuk ka mbaruar

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Relativizimi, shkurtpamësia dhe harresa janë karakteristika që shpesh shihen tek popujt e Ballkanit. Pikërisht këto karakteristika mundësojnë që regjime si ai i Gruevskit, Vuçiçit e të tjerëve të zgjasin me vite dhe edhe kur shpartallohen të kenë rrezikun e rimëkëmbjes dhe riparaqitjes. Për shumë vite me rradhë ajo që bënte Gruevski relativizohej dhe nuk emërohej me fjalën e duhur. Gjërat fshiheshin dhe përgjegjësia për veprat eklatante penale assesi nuk mbahej. Në një kohë kur pavarësia e gjyqësorit tërësisht u pezullua, kur administrate shtetërore detyrohej të merrte pjesë në mitingjet partiake, kur njerëzit “tërhiqeshin për veshësh” për të dalë në votime, dhe kur shërbimet sekrete ishin pushtetmbajtësit kryesorë që vendosnin për jetën a vdekjen e njerëzve, ndodhi skandali i përgjimit dhe ne u vërtetuam që kemi jetuar në regjim. Gjatë tërë asaj kohe, individë të caktuar relativizonin faktet dhe përgënjeshtronin duke thënë që këto janë të dhëna që Sorosi dhe të tjerë i përhapnin. Mënyra si funksiononte Gruevski ishte shumë e qartë: mbill përçarje mes qytetarëve, fajësoi sa më shumë shqiptarët për gjithçka që nuk shkon në vend, paraqitu si patrioti shpëtimtar dhe mesia i maqedonasve dhe sundo i paprekur për 11 vjet. Sot, 20 muaj pas rënies së këtij regjimi kushtet që i njëjti të ripërtërihet janë evidente.

Urrejtja, përçarja dhe ndasia mes qytetarëve është aq e dukshme sa që mund ta prekësh. Me veprime të tilla si protestat kundër krijimit të qeverisë së re të vitit 2017, me protestat kundër Ligjit për përdorimin e Gjuhëve të vitit 2018 dhe përfundimisht, me kampanjën kundër Marrëveshjes ne Greqinë hendeku mes qytetarëve të konfrontuar sa vjen e shtohet. Këtij procesi i ndihmon shumë edhe fakti se disa nga funksionarët e qeverisë aktuale nuk e kanë fare të qartë se nëpër çfarë momentesh delikate kalojmë. Përkundër të gjitha pritshmërive, ata përfshihen në skandale korrupsioni, që përkrahësve të regjimit të mëparshëm u japin material për të thënë se të gjithë janë të njëjtë, ndërsa atyre që rrëzuan regjimin ua humbin shpresat se ndryshimi vërtetë mund të ketë ndodhur. Një përçarje e përmasave të tilla dihet se në mullirin e kujt çon ujë: të atij që udhëhiqej nga parimi përçaj e sundo, i cili rin në hije dhe pret momentin e rishfaqjes në skenë. Prandaj ajo që nevojitet më shumë se kurrë është që pushteti i tanishëm të mos tolerojë skandalet e korrupsionit në radhët e veta dhe të mare masa të shpejta për ndriçimin e tyre dhe për dënimin e fajtorëve.

Në ndërkohë, kampanja për bojkotim të Referendumit tani më është aktivizuar tërësisht veçanërisht në diasporën e maqedonasve etnikë. Protesta kundër ndryshimit të emrit dhe thirrje për arrestim të kryeministrit Zaev sepse paska bërë tradhti të lartë si dhe thirrje për lirimin e “të burgosurve politikë” të cilët gjykohen për rastet e PSP dhe të 27 Prillit mbahen në kryeqendra evropiane amerikane dhe australiane ku protestuesit që punojnë në vendet perëndimore kërkojnë ndihmën e Rusisë dhe Turqisë për të arritur këto qëllime të shprehura në këto thirrje. Absurdet nuk kanë fund. Deri sa diaspora rumune u kthye në Bukuresht të protestojë kundër shkarkimit të prokurores së tyre speciale dhe kundër ndërhyrjes së qeverisë në pavarësinë e gjyqësorit duke mbajtur parulla që i thonë qeverisë “Ju jeni arsyeja pse ne u larguam” shumica e diasporës së maqedonasve etnikë kërkon rietablimin e regjimit të mëparshëm duke kërkuar që Rusia dhe Turqia të vendosin veto në NATO duke mos lejuar që Maqedonia të anëtarësohet aty duke e ndryshuar emrin.

Dhe pikërisht në këtë tollovi të madhe njeriu e sheh qartazi që lufta me gruevizmin nuk ka mbaruar. Nuk ka mbaruar sepse ende urrejtja ndëretnike gjeneron pikë politike. Nuk ka mbaruar sepse njerëz që duhet të përhapin dije në shoqëri përhapin dezinformata që e hutojnë qytetarin e thjeshtë dhe qëllimisht e manipulojnë dhe e gënjejnë atë. Nuk ka mbaruar lufta me gruevizmin sepse ka ende shumë funksionarë shtetërorë që ëndërrojnë të jetojnë si në kohën e tij dhe të mos bartin përgjegjësi për keqpërdorimin e buxhetit dhe parave të qytetarëve. Kjo luftë do të vazhdojë edhe gjatë kohë. Por shansi i vetëm që në këtë luftë të dalim fitimtarë është që betejat e ardhshme ti kemi brenda NATO-s dhe BE-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP