Kosovë, hapet ekspozita e fotografive “Unë jam shqiptar”

Sot në lapidarin e Muzeut të Kosovës është hapur ekspozita e fotografive “Unë jam shqiptar”, të cilën e realizoi Muzeu Historik Kombëtar i Republikës së Shqipërisë. Ekspozita i është dedikuar diasporës shqiptare përgjatë shekujve, ndërsa është organizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor të Shqipërisë dhe Kosovës, të nënshkruar nga dy ministrat e Kulturës në qershor të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Kujtim Gashi, deklaroi se për Ministrinë në krye të së cilës është ai, bashkëpunimi në sferën e kulturës mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë dhe mbetet prioritet.

“Ekspozita e Muzeut Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, e cila hapet sot në Muzeun e Kosovës trajton përmbajtje e cila ka rëndësi të madhe si për Kosovën, ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozitat e tilla janë dëshmi se ekziston hapësirë e madhe për thellimin e bashkëpunimit dhe realizimin e aksioneve tona të përbashkëta edhe në të ardhmen”, tha Gashi.

Ambasadori i Shqipërisë i Kosovës, Qemal Minxhozi, theksoi se kjo ekspozitë duhet hapur edhe në qytetet tjera anëmbanë botës ku jetojnë shqiptarët, për të ruajtur gjenezën dhe traditën shqiptare dhe për të dhënë shpresë se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme.

“Ky aktivitet është shumë i rëndësishëm meqë tregon se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës në plan të parë kanë marrëdhënie kulturore mes dy anëve të kufirit dhe kanë intensitet rritjeje nga viti në vit”, tha Minxhozi. Ai theksoi se Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të organizojnë dhe mobilizojnë diasporën e përbashkët shqiptare.

Në hapjen ishte i pranishëm edhe ushtruesi i detyrës drejtor i Muzeut të Kosovës Bislim Bislimi dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë Dorian Koçi.

Ekspozita do të zgjasë deri më 31 gusht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP