Edhe partitë do të financohen nga buxheti shtetëror, por kush do t’i kontrollojë donacionet në llogaritë partiake?

Ngushtohet rrethi për donacionet partiake, por rritet buxhetimi i partive nga shteti. Me ndryshimet e fundit në Ligjin për financimin e partive politike u ndryshuan rregullat për financimin e partive politike, mirëpo edhe me këto ndryshime, partitë më të vogla që luftojnë për vota e që janë jashtë Parlamentit mbeten pa “qindarkë”, shkruan Portalb.mk. Sipas disa ekspertëve, ndryshimet në mënyrën e financimit të partive, nuk do të paraqesin përparim cilësor nëse nuk forcohet kontrolli mbi burimet, sidomos në pjesën e donacioneve.

Burimet formale dhe joformale të financimit…

Enti shtetëror për revizion është organi kyç që do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e punës financiare dhe materiale të partive politike dhe kjo do të bëhet një herë në vit, ndërsa llogarinë për punën financiare partitë duhet ta dorëzojnë në tri adresa: Drejtorinë për të hyra publike, Regjistrin qendror dhe Entin shtetëror për revizion. Në të njëjtën kohë, atë do të duhet ta publikojnë edhe në ueb-faqen e partisë” – thuhet në nenin 26 të Kodit të ndryshuar zgjedhor.

“Partitë politike mund të ketë vetëm një xhiro-llogari, ndërsa degët e tyre lokale dhe qendrat hulumtuese-analitike mund të kenë edhe nën-llogari, por ato janë të obliguara që, në rast se ekzistojnë, të dorëzojnë raporte të konsoliduara – të përmbledhura financiare” – thuhet në të njëjtin nen të ligjit.

Me ndryshimet e fundit u ndryshuan edhe rregullat e financimit të partive politike, u zvogëlua lartësia e donacioneve, mirëpo u rritën fondet që duhet të paguhen nga buxheti. Sipas disa analistëve politikë, çështja e parë kryesore është kontrolli dhe financimi transparent i partive, gjë që do ta zvogëlojë mundësinë për korrupsion dhe klientelizëm.

“Kur flasim për donacione private, çështja kryesore është rritja e kontrollit të parave që vinë nga donatorët. Tani flitet për ndryshime të mundshme, të cilat përsëri do të çojnë në rritjen e lartësisë së donacioneve. Kyç është financimi transparent i partive politike dhe kontrolli i plotë i mjeteve të dhuruara” – thotë për Portalb.mk profesori Jove Kekenovski, nga fraksioni demokratik i VMRO-DPMNE-së.

Edhe sipas vlerësimeve të anëtarëve të mëparshëm të Komisionit për antikorrupsion, çështja e kontrollit është e rëndësishme, sidomos paratë që hynë në llogaritë e partive si donacione. Sipas Arif Musës, ish-anëtar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit, është mirë që u zvogëluan shumat e donacioneve, por mbetet e hapur çështja e kontrollit të qarkullimit të parave.

“Si të kontrollohen plotësisht financat, gjegjësisht donacionet në llogaritë e partive është pyetje për “një milionë dollarë”. Me mekanizmat e tanishëm, Enti shtetëror për revizion bën kontroll në dokumentacionin ekzistues, gjegjësisht në atë që është vënë në letër, por jo edhe në atë që nuk është regjistruar. Për shembull, kemi njerëz, raste sociale që japin donacione në fushatë zgjedhore, a mund të arsyetohet kjo logjikisht dhe a është kjo e mundur? Mendoj se për vite me radhë kemi mungesë të kontrollit të mirëfilltë të donacioneve”, thotë për Portalb.mk ish-anëtari i Komisionit për anti-korrupsion, Musa.

Me ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike, në vend të 1.8 milionë eurove të deritanishme, partitë nga buxheti do të marrin 4.5 milionë euro, edhe atë me arsyetimin se qëllimi është që të pengohet korrupsioni dhe donacionet e dyshimta, vlera e mjeteve të dhuruara u ul për 2.5 herë.

“Partitë në një mënyrë tjetër do të duhet të raportojnë për shpenzimet e tyre. Shteti, për shkak se i jep paratë, do të mbajë edhe përgjegjësi për atë që e jep në njëfarë mënyre – do t’i japim fund këtij lloji të kontrollit afarist mbi partitë politike” – deklaroi para do kohësh, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministre e Qeverisë së Maqedonisë.

Me ndryshimet ligjore, u ndryshuan limitet, mirëpo partitë më të vogla politike, që nuk do të fitojnë asnjë deputet, edhe më tutje nuk do të marrin fonde nga buxheti.

“Me ndryshimet e fundit ligjore dukshëm rritet shuma që do t’u ndahet partive politika nga buxheti shtetëror, të cilat në zgjedhje do të fitojnë të paktën një deputet. Kjo do të thotë se partitë gjithnjë e më shumë do të jenë barrë për paratë e popullit. Sipas modelit tonë, partitë marrin një pjesë nga kulaçi shtetëror sipas kritereve të përcaktuara, në mesin e të cilave bëjnë pjesë edhe votat e fituara, gjegjësisht vendet e fituara të deputetëve. Por, çka ndodh me partitë më të vogla, të cilat, për shkak të modelit aktual zgjedhor, kanë fituar vota, por jo edhe deputetë? Pra, akoma mbetemi në konceptin që “lojtarët” aktualë politikë të jenë “fabrika për para”, asgjë të mos punojnë e të marrin para. Përveç kësaj, atyre tani u jepet mundësia të marrin kredi dhe të posedojnë tokë” – thotë për Portalb.mk profesor Kekenovski.

Gjatë muajit maj, partitë i publikuan raportet financiare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2017. Llogari dhanë 34 parti politike, nga të cilat 20 parti raportuan se nuk kanë pasur donatorë. Nga ato që kanë raportuar donacione, në vend të parë është VMRO-DPMNE-ja, pas saj është BDI-ja, ndërsa në vendin e tretë sipas shumës së donacioneve është LSDM-ja. Sipas raporteve financiare, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja nuk ka pranuar donacione.

               Para nga donacionet – zgjedhjet e vitit 2017 

VMRO-DPMNE-ja                908.000 euro

LSDM-ja                                  34.000 euro

BDI-ja                                       26.500 euro

Ekspertët janë të bindur se nevojitet vullnet i mirëfilltë për një luftë të mirëfilltë kundër korrupsionit në pjesën e financimit të partive përmes donacioneve.

“Lartësia e donacioneve duhet të jetë proporcionale me standardin tonë. Mendoj se pas ndryshimeve ligjore për zvogëlimin e lartësisë së donacioneve, aspak nuk guxon të ndryshohet më kjo pjesë, gjegjësisht të mendohet për rritje të sërishme. Në të njëjtën kohë duhet të aktivizohen mekanizmat për kontrollin e burimeve dhe mënyrën e donacioneve. Ekziston mënyrë për t’u bërë kjo, por a do të ndodhë kjo varet nga vullneti politik i pushtetit për t’i aktivizuar të gjitha resurset për ta arritur qëllimin e dëshiruar – luftën kundër korrupsionit – thotë Arif Musa.

Ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike dhe në Kodin zgjedhor u miratuan nga Parlamenti në mënyrë urgjente, pa debat, pasi u arrit marrëveshje politike midis partive kryesore në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button