“POEZIA E SHPRISHUR”

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

Çfarë moti! Herë vapë, herë freskët, herë vranët e herë shi jashtë. Ngjashëm edhe brenda – në shpirt. Ora edhe disa minuta bëhet njëzet. E pres hënën e kuqe për të cilën folën të gjitha televizionet, po kot. Nuk e lejojnë retë të dalë. Dikush tha: “E pashë!”. E ka parë kur ndonjë re do të jetë grisur dhe në atë plasë reje është shfaqur për pak hëna “e kuqe si gjaku”. “Ish e kuqe si gjaku”. Kështu e përshkroi. Unë në atë çast nuk isha pranë dritares. Mu atëherë dikush trokiti dhe shkova ta hap derën. Eh, më iku ky çast që nuk përsëritet më! Vetëm njëri nga shtëpia jonë e pa. Pak, pak, po e pa.

Pastaj të gjithë të shtëpisë shkojnë për darkë në restorant. Unë nuk dua të shkoj. E mbyll derën pas tyre. Nga dritarja e hapur e dëgjoj pëshpërimën e pikave të shiut, e cila i qetëson zërat e fëmijëve të lagjes që kanë dalë jashtë dhe  presin më kot të dalë hëna e kuqe nga reja dhe të qëndrojë monumentale para tyre. E mbyll edhe dritaren dhe marr tre librat e poetit, studiuesit, eseistit, kritikut letrar dhe prozatorit Ahmet Selmani, të cilat m’i fali vet autori: “Përkapja e nënpoetikës” – studime e kritika letrare, “Poezia e shprishur” – studime e kritika për poezinë shqipe të krijuar ndër arbëreshët dhe “Hija e kalit”, roman. Një tresh artistik i veçantë. Shfleto dhe lexo njërin  për të parë si janë projektuar dhe si janë ndërtuar  faqet e para  të librave – bukuri, shfleto  e lexo tjetrin – po ashtu bukur, shfleto e lexo të tretin s’ka fjalë – përsëri bukur.  Faqet e para të librave dëshmojnë se para vetes kam librat e një dore të një krijuesi me përvojë. Fjalitë të rrjedhshme, pa gabime ortografike dhe çfarë është më me rëndësi teksti i shkruar “të mban në grusht”. Cilit libër t’i qasem? Cilin ta lexoj më së pari, kur faqet e para të secilit dëshmojnë për një shkrim të veçantë, për një punë serioze kërkimore dhe krijuese. Doemos duhet të lexohen të trijat. Por, them, më së pari do ta lexoj “Poezinë e shprishur” për shkak se mua s’më ka rënë kurrë në dorë një libër i këtillë që gjerësisht, ngjeshur  e njëherësh edhe bukur i shpalon vitet e gjata të cilat i kaluan bashkëkombasit tonë arbëreshë duke kujtuar me laps në dorë atdheun dhe duke shpresuar se do të kthehen aty ku Skënderbeu e ngriti flamurin e lirisë. Jo vetëm se desha ta shoh si e ka pasqyruar Ahmet Selmani letërsinë arbëreshe, këtë degë të rëndësishme të pemës letrare arbërore, këtë degë e cila e ka vënë një gur me peshë të veçantë në themelet e krijimit të kombit modern shqiptar, por është kënaqësia e leximit të një vepre të mirë që të mban.

Lexoj, lexoj. Dhe,  jam te trajtimi  serioz që i bën A. Selmani dashurisë për vendin e të parëve, në letërsinë e arbëreshve.  Jam pikërisht te vargjet e Zef Del Gaudios, të cilat i ka vënë si ilustrim të shpjegimeve të veta:

O Shqipëri në dije ti qëkur

kam dëshirë të përqafoj

sot do të më thërrisje duke qarë:

  • qasu, bir, në këtë gji;

qasu, bir, në këtë zemër,

që të pret me dashuri.

Ky është  zjarr i dashurisë arbëreshe që nuk shuhet për Arbërinë dhe për gjuhën e shenjtë shqipe, si atdhe të përbashkët. Kjo është bukuri që doemos duhet ta shijojmë. Ahmet Selmani na e sjell me pasion këtë dhuratë në shuplakë të dorës.

Ndërkaq pa i përfunduar së lexuari këto  vargje,  bie zilja. Kthehen njerëzit e familjes sime. Leximi  i ndërprerë zëvendësohet me bisedë. Një herë u flas me frymëzim për librin që nisa ta lexoj. Meqë asnjëri nga të mitë nuk është në rrjedhë të librit, flasim për autorin. E njohim, po një pjesë e njerëzve të familjes sime nuk e dinë ku punon ky autor i vyeshëm, ky autor i dishëm, me një natyrë pasionante artistike, ky autor me një mori librash të botuar?  Madje libra shumë të mirë?  A e dini ku punon? Nuk e dinë, por të gjithë e dinë se njerëzit e dishëm në këtë vend nuk i lënë lehtë të punojnë atje ku e kanë vendin dhe ku mund të jenë të dobishëm për popullin, prandaj heshtin dhe presin që unë t’u them. E marrin me mend se e kanë lënë diku në margjinat shoqërore. U tregoj se autori i këtyre librave të veçantë punon në Entin për punësim. Në Shkup. Dhe, jeton në Gllumovë. Nuk befasohen. E dinë si funksionon politika e punësimeve. E dinë dhe rolin e Entit për punësim, të cilin unë e quaj enti i kotësisë.

Pastaj bie heshtja. Nuk ka më pyetje të tjera. Heshtja e të gjithëve flet vet. Ajo është dëshpërim, është hidhërim dhe protestë kundër kësaj shoqërie dhe kundër kësaj politike të këtushme diskriminuese që i hedh në margjina potencialet krijuese, duke vendosur nëpër institucione shkencore e institucione të larta arsimore më së shpeshti mediokritete. Vetëm pse kanë bërë tituj “shkencorë”.

Jashtë është vranët. Retë kanë ngjyrën e reve të dimrit. Gjendja politike e shoqërore vazhdon të jetë si moti. Dhe,  këtë e dëshmon folësi i lajmeve televizive. Por, edhe hallet e shumta që kam vetë.

Vetëm diçka është e mirë në këtë pasdarke të zymtë: libri i Ahmetit – “Poezia e shprishur”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP