Sporti kundrejt nacionalizmit dhe sektarianizmit

Për një muaj ishim dëshmitarë të Kupës së Botës në futboll, një festë e vërtetë e sportit dhe diversitetit njerëzor, ku shtetet garojnë barabarë me njëri tjetrin dhe pa i bërë dëm askujtë. Fill pas finales, ishim mikpritës të klubit skocez Rejnxhërs, ose më shumë i njohur si Gllasgou Rejnxhërs. Takimi i këtij klubi me KF Shkupin tonë më shtyri të kërkoj më shumë informata për këtë klub, më saktë se çka në fakt ka ndodhur me të, sepse në një thumbnail në Youtube, logoja e këtij klubi më ka dalë në një video për klubet që nuk ekzistojnë më, por doli se nuk është ashtu, ishte thjeshtë një clickbait që të klikosh te videoja.

Megjthatë, kishte diçka që më intrigoi kur lexova për këtë klub. Ishte fakti se rivaliteti me klubin tjetër të qytetit Gllasgou, Selltik FC, nuk është thjeshtë rivalitet “i natyrshëm” i dy klubeve që luftojnë për të njëjtit tituj, por lidhet me etnitë dhe sektet. Më saktë, Rejnxhërs është klub i protestantëve dhe skocezëve autoktonë, ndërsa Selltiku është klub i katolikëve dhe emigrantëve irlandezë.

Një rast tjetër interesant që flet se si në sport vërehen ndarjet në shoqëri, gjindet në Jordani, me rivalitetin në mes klubeve Al-Fejsali dhe Al-Vehdat. I pari është klub që e përkrahin jordanezët autoktonë, i dyti klub i refugjatëve palestinezë.

Në shtetin tonë multietnik, poashtu klubet janë të ndara në etni, dhe tifozeritë shpesh përdorin sllogane fyese në baza etnike, duke i shtuar shembullit të Maqedonisë edhe sllogane ekstreme për vdekje, apo për (vdekje të ngadalshme dhe me dhimbje të madhe nëpër) dhoma gazi.

Në një rrethanë të tillë ndodhi tragjedia me atë djalin Sazdovski. Nuk dihet ende motivi i vrasjes, mendohet se ka të bëjë me fyerjet dhe të nemurat që tashmë i ndjeri ua paska bërë shqiptarëve në facebook-profilin e tij, por dhe në formë reale. Të shohim çfarë do të thonë të akuzuarit (të cilët u gjetën menjëherë, në dallim nga rastet kur viktima është shqiptar dhe organet edhe pas shumë kohe mund të ndodhë që ende “punojnë në rastin”).

Duke i reflektuar ndarjet dhe inatet në shoqëri, shtrohet pyetja se a është sporti katarzë e tensioneve, apo shkaktar i tensioneve të reja; a i zbut sporti tensionet përmes shfryrjes së inatit në një lojë të parrezikshme duke e ruajtur paqen në jetën reale dhe të përditshme, apo tensionet i bartë nga terenet sportive jashtë saj? Normal, për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhen të bëhen studime krahasuese në më shumë vende të botës.

Në Liverpull, ngjashëm si në Gllasgou, klubet Liverpull FC dhe Everton FC historikisht kanë qenë të ndara në sekte, i pari i protestantëve, i dyti i katolikëve, por sot shumica nuk e marrin më parasysh këtë ndarje historike. Pra, përmirësimi i marrëdhënieve në mes dy sekteve ka çuar në një gjë të tillë. A thua nëse në Maqedoni stabilizohen marrëdhëniet ndëretnike, a do të hiqet dimensioni etnik i klubeve? Fillimisht, edhe sot kur shumë gjëra në suaza të marrëdhënieve ndëretnike janë të pazgjidhura, vërehen shenja që çojnë në atë drejtim – te klubet me pronarë të njërës palë ke lojtarë të palës tjetër etnike, dhe çdoherë kur, bie fjala, KF Shkëndija luan me klube të jashtme, ka shumë maqedonas që e përkrahin atë, dhe kur luan në gara me klube të jashtme FK Vardari, ke shumë shqiptarë që e përkrahin atë. Por duke i parë shembujt nga bota, lirisht mund të themi se zhdukja e tërësishme e trashëgimisë etnike apo sektare të një klubi sportiv nuk do të ndodhë asnjëherë. Por me gjasë nga tribunat s’do të dëgjohen më dëshirat për vdekjen e dikujt tjetër!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button