POPULLIZMI

Popullizmi ka qenë i leverdishëm për grupimet politike. Tash e sa vjet. Popullistët kanë folur me gjuhë parullash. Fytyrat e vjetra janë fshehur nën maska të reja. Nëpërmjet diskurseve populliste i kanë ruajtur privilegjet e vjetra dhe ua kanë krijuar privilegje të reja pasardhësve, të cilët bëjnë karrierë në politikë, në biznes, në diplomaci. Popullizmi ka qenë i leverdishëm për partitë e spektrit të djathtë dhe të majtë; për partitë në qeveri dhe në opozitë. Politikanët popullistë, me mjeshtri, i kanë krijuar dhe i kanë shfrytëzuar tensionet në shoqëri. Nëpërmjet tyre e kanë mjegulluar realitetin. Kanë bërë “politikë” për turmat dhe jo për qytetarin. Qytetari nuk është turmë. Qytetari është cilësi, kurse turma është sasi. Qytetari mendon dhe vepron ngadalë. Ai është i përgjegjshëm për veprimet e tij. Turma udhëhiqet nga pasionet, kërkon ndryshime të shpejta, pavarësisht pasojave të shkaktuara dhe nuk e njeh përgjegjësinë personale. Qytetari bindet vështirshëm, kurse turma bindet lehtë. Qytetari nuk joshet nga diskurset populliste, kurse turma ekzaltohet prej tyre.

Popullizmi, sipas studiuesve të shumtë, përkufizohet si lëvizje që thirret në popull dhe në të kaluarën e lavdishme; flet për të ardhmen e ndritur; për mbrojtjen e identitetit dhe traditave; thekson karizmën e liderit ose bazohet në mobilizimin e masave; keqpërdor pakënaqësitë, frikën; thirret në ndryshime të shpejta shoqërore. Altermatt-i gjykon se popullizmi, mes tjerash, është rebelim kundrejt një sistemi politik apo elitave financiare në emër të “njeriut të vogël”; thirret në mbrojtje të bashkësisë tradicionale, shoqërohet me ksenofobi – pra qëndrim kundër të “tjerëve”; e thekson dominimin e parimit të kombëtares mbi parimin e lirisë; e thekson idealizimin e bashkësive rurale, me vetëdije romantike, kundrejt bashkësive urbane dhe me vetëdije kritike; e thekson anti-intelektualizmin, kurse botën e ndan në dy pjesë: në të mirë dhe të këqij.

Për krahasim: politikanët e ambientit tonë, gjithashtu, në vazhdimësi, janë thirrur dhe thirren në emër të kombit, “në të kaluarën e lavdishme”, “në mbrojtjen e identitetit dhe traditave kolektive”. Nëpërmjet diskurseve folklorike e kompensojnë mungesën e ideve të reja. Në këtë nënqiell, gjithashtu, kemi përjashtim të parimeve të lirisë, veçanërisht lirisë individuale; dominim të vetëdijes rurale kundrejt asaj urbane; kemi kundërvënie institucionale ndaj intelektualizmit; kemi ndarje në të mirë dhe të këqij, në patriotë dhe tradhtarë. Përvoja historike dëshmon se kur politikanët thirren në të “kaluarën e lavdishme”, atëherë nuk duan që të përballen me sfidat e së tashmes, nuk kanë vizion për të ardhmen dhe synojnë shpërqendrimin e vëmendjes së njerëzve nga e tashmja e pa perspektivë, me të vetmin qëllim: të ruajnë apo të marrin pushtetin.

Lëvizjet populliste, zakonisht, shfaqen në kohë çekuilibrimesh të raporteve shoqërore, në kohë kthesash të paqarta në shoqëri, shoqëruar me tronditje ose degjenerim të sistemit të vlerave të caktuara. Atmosfera e këtillë shfrytëzohet nga politikanët që gjithçka e vënë në shërbim të vullnetit të tyre për pushtet dhe nuk janë të interesuar të dalin nga kjo mjegullnajë, pavarësisht se çfarë thonë. Shumë sovranë erdhën në pushtet me votë të lirë, duke shfrytëzuar rrethanat e kohës. Në kohë paqartësie u panë si misionarë, por abuzuan me këtë besim dhe shkaktuan akte të panumërta çnjerëzore. Tronditjet dhe çekuilibrimet në shoqëri janë shfrytëzuar e shfrytëzohen edhe nga politikanët e këtushëm.

Politika sa herë prodhon parulla ajo tregon se është e paaftë për të krijuar mirëqenie dhe jetë më dinjitoze për qytetarin. Një “politikë” e këtillë e përjashton qytetarin. E kështu ndodh për sa kohë ka mungesë qytetarie dhe politikanë që besojnë se populli duhet t’u shërbejë atyre. Për sa kohë mungon qytetari i përgjegjshëm, për aq kohë do të kemi politikë për turmat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button