Arrihet akordi për transferimin e shekullit

Transferimi i shekullit në futbollin botëror po merr formë këtë javë. Juventusi do të jetë skuadra e re e futbollistit portugez, Cristiano Ronaldo, fituesi në fuqi i “Topit të Artë” dhe një kandidat për ta rifituar çmimin prestigjioz, transmeton Top Channel. 

Kjo e martë ishte dita vendimtare për të sheshuar edhe detajet e fundit të tratativës së bujshme, që do të çojë kapitenin e kombëtares portugeze në Torino për 105 milionë euro.

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez dha lejen për të dërguar kërkesën e transferimit për lojtarin më të vlefshëm të ekipit, që kishte arritur më parë akordin me Juventusin për 30 milionë euro, për 4 vitet e ardhshme.

Udhëtimi i presidentit të Juventusit në Kallamata, aty ku Ronaldo ndodhet me pushime prej ditësh, ishte vendimtar për ecurinë e negociatave, që bindën edhe agjentin e futbollistit Jorge Mendes. Ky i fundit, që ndodhet pranë lojtarit në resortin grek të Costa Navarinos, do të marrë rreth 25 milionë euro komision.

Kështu, ndodhi ajo që ishte paralajmëruar prej ditësh. I shtyrë nga pakënaqësitë me drejtuesit dhe oferta e majme financiare, Ronaldo vendos të provojë një aventurë të re në Itali. Më kot u tentua në orët e fundit një telefonatë mes trajnerit Lopetegui dhe lojtarit portugez, që ritheksoi dëshirën për t’u larguar nga Reali, madje pa asnjë ceremoni lamtumire.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP