Ligji i Akademisë së Mësimdhënësve –Institucion paralel i fakulteteve të mësuesisë

Ligji për Akademinë e Mësimdhënësve, i cili është në diskutim e sipër, është një ligj i cili dëshiron që do ta degradojë profesionin më human të njerëzimit – mësuesinë. Në të vërtetë, këtij profesioni nuk i nevojiten ligje, por vetëm motivacion, sepse ai me nder e kryen këtë punën, sepse ai që zgjedh këtë profesion, së pari duhet të posedojë virtyte dhe aftësi, siç janë: qëndrueshmëria, këmbëngulësia, zhdërvjelltësia, dituria, kreativiteti, entuziazmi, dashuria e vërtetë ndaj nxënësit dhe profesionit etj.

Sipas pedagogut dhe reformatorit të madh J. H. Pestaloci, mësuesi duhet të dijë çka i duhet nxënësit, çka e lartëson, çka e nënvlerëson, çka e motivon ose çka e demotivon atë.” Ai lypset t’í dojë nxënësit, se duke i dashur ata, do të fitojë edhe dashurinë e tyre, hapjen e zemrës së tyre…”. Se vetëm në këtë mënyrë mund ta gjejë rrugën e vërtetë.

Por, kjo që po ndodhë ose që mund të ndodhë me Ligjin e Mësimdhënësve, është skandaloze. Ai është një ligj kundërthënës, i paqartë, poshtërues, nënçmues dhe diskriminues. Ndonëse nuk do të ndalem në të gjitha ligjet dhe nenet që parashihen të miratohen me këtë ligj, sa për ilustrim, do të jap disa vërejtje që mendoj se janë në dobi të fakulteteve dhe mësimdhënësve.

Së pari duhet thënë se Ligji i Arsimit të Lartë kaloi nga ligji i vjetër pa asnjë ndryshim, pos që zbatimin e tij e parasheh pas një viti. Por, Ligji i Mësimdhnësve, që është në diskutim e sipër, nuk guxon të aprovohet, sepse ka shumë mangësi, dilema, nënçmime paralelizëm, politizim, diskriminim, humbje motivi e diferencim

Në nenit 2, paragrafi 1 të këtij ligjit thuhet se qëllimi i Akademisë është t’i “profesionalizojë mësuesit e ardhshëm”. Pas kësaj detyrimisht duhet të pyesim se ç’funksion kanë fakultetet pedagogjike apo fakultetet me programet studimore të drejtimeve arsimore? Kjo i bie se me këtë ligj synohet të përgatitet ose të formohet një trup i ri arsimor në shkollat tona. Ndërkaq, nevoja për formimin e një trupi të ri për këtë qëllim është e paqartë: në vend që të gjendet ndonjë mënyrë të përshtatshme që t’u ndihmohet fakulteteve gjegjëse, po aktivizohet një institucion që quhet Akademi e Mësimdhënësve. Kujt i duhet ky paralelizëm institucional? Në këtë mënyrë mohohet arsimi i fituar më parë, siç është statusi i institucioneve të arsimit të lartë, ku njohuritë e nevojshme tashmë janë fituar. Në këtë kontekst e theksojmë nevojën e një bashkëpunimit në relacionin ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe shkollave, që kanë për qëllim zbatimin e suksesshëm dhe të dobishëm të pjesës së detyrueshme praktike të hospitimeve dhe moduleve mësimore të studiuara në institucione përkatëse

Mjaft diskutabil është edhe neni 21, paragrafi 5 ti Ligjit, ku thuhet: “Nëse anëtarët e Këshillit Programor, që janë shtetas të R. Maqedonisë, ku gjuha maqedonase nuk është gjuhë amtare, parashikohet që anëtari në këtë Këshill të posedojë një certifikatë të njohurive aktive të gjuhës maqedonase?”

Neni 36, paragrafi 3 i Aktit thotë: “Programi për trajnime organizohet me qëllim të marrjes së njohurive dhe shkathtësive teorike dhe praktike, me qëllim që arsimtaret ose profesorët të trajnohen, mësuesit të kualifikohen dhe të bëhen efektivë në shkollat ​​fillore dhe të mesme, për të fituar kompetenca profesionale për mësimdhënie në shkollat ​​fillore dhe të mesme, si dhe për përmirësimin e cilësisë së punës arsimore në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”. Ne besojmë se përvetësimi i kompetencave për mësimdhënësit në arsimin fillor dhe të mesëm është një proces sistematik afatgjatë, që përfshin vitet akademike, të paktën 8 semestra të lëndëve të moduleve mësimore dhe lëndëve bazike profesionale, andaj me këtë ligj assesi nuk mund të arrihet kjo me një trajnim disamujor.

Neni 37 thotë: “Kuotat për regjistrimin në një program trajnimi, duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të vendeve të lira për mësimdhënës në shkollat ​​fillore dhe të mesme të miratuara nga Qeveria.” Ky nen nënkupton diskriminimin e mësuesve të ardhshëm, duke bërë përzgjedhjen joparimore sipas kritereve formale dhe, përsëri, mohohet arsimimi i tyre katërvjeçar në institucionet e arsimit të lartë.

Neni 38 në paragrafin 5 të Ligjit është diskriminues për mësuesit, të cilët nuk do të regjistrohen në Akademi dhe studentët e tyre. Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies në arsimin fillor dhe të mesëm është detyrim dhe e drejtë e çdo mësuesi, pra jo vetëm e mësuesve që do të marrin licencën përkatëse. Një nga mënyrat për angazhim të barabartë të mësimdhënësve në këto synime është sigurisht përfshirja e tyre në forma të ndryshme të edukimit të përhershëm.

Neni 39, i cili e rregullon përmbajtjen e provimit pranues, është absolutisht poshtërues për kandidatët, pasi aty parashikohet “të kontrollohen njohuritë e përgjithshme”, pra ai mbulon një gamë të gjerë të testimit të njohurive të kandidatëve nga fusha të ndryshme, të cilat nuk lidhen me qëllimet e deklaruara të Akademisë ose duke krijuar pasqyrë reale të kompetencave të kandidatit.

Neni 41, paragrafi 1 i Ligjit është i paqartë për shkak të kritereve të ndryshme, të bazuara në klasën e tyre mesatare të studimit për kandidatët që i kanë përfunduar studimet në matematikë, shkencat teknike dhe mjekësore (me notë mesatare më të ulët se 7) dhe kandidatët që i kanë përfunduar studimet në fushat e shkencave shoqërore dhe humanitare (me mesatare 8). Kjo i bie se ata studentë të cilët janë diplomuar me një mesatare më të ulët nga ajo që është përshkruar nuk mund të punësohen si mësues? Për nenin 41 paragrafi 2 të Ligjit duhet të pyesim se a është kriteri i parashikuar sipas suksesit mesatar të arritur gjatë studimeve? Sepse, në qoftë se kandidati posedon titull master ose doktor nga fusha e Metodikës, a është menduar që nga Akademia ta marrë licencën / titullin mësues-këshilltar ose mësues-mentor?!

Në nenin 42, paragrafi 7 të Ligjit thuhet se do të publikoehn të paktën 8.000 pyetje për pjesën me shkrim të provimit pranues?! Ndërkaq neni 42, paragrafi 10 i Ligjit e përcakton se provimi i pranimit do të regjistrohet dhe do të postohet drejtpërdrejt në internet. E njëjta vlen edhe për provimin përfundimtar (neni 51, paragrafi 4). Ky realizim i provimeve do t’i vinte mësuesit e ardhshëm në një pozicion poshtërues.

Neni 45 (paragrafi 6) thotë: “Kohëzgjatja e programit të trajnimit përcaktohet siç  vijon: – Pjesëmarrësit me studime të përfunduara në programin e trajnimit të mësimdhënies programi zgjat tetë muaj dhe atë tre muaj trajnim teorik dhe pesë muaj trajnim praktik; – Kandidatët që i kanë përfunduar studimet në drejtimin e studimeve joarsimore ose studime që nuk kanë të bëjnë me mësimdhënie, programi i trajnimit do të zgjasë 12 muaj dhe atë katër muaj teori dhe tetë muaj mësim praktik. Kështu Akademia e Mësimdhënësve ngrihet mbi institucionet e arsimit të lartë, duke e vendosur veten si i vetmi institucion për arritjen e kompetencave për trajnimin e mësuesve të ardhshëm, pavarësisht studimeve të kryera më parë. Pra, ata bëhen të barabartë vetëm pasi të kenë vizituar Akademinë. Së dyti, edhe kohëzgjatja e trajnimit për të ndjekur mësuesit e ardhshëm është diskriminuese.

Neni 50 parashikon që provimi pranues të përbëhet nga dy pjesë: me shkrim dhe me gojë. Në pjesën me shkrim mësuesit u përgjigjen pyetjeve nga një “databazë e pyetjeve” publike, e cila i kujton bazat e pyetjeve nga testimet eskterne. Ndërkaq provimi me gojë e kontrollon “shprehjen, elokuencën dhe njohjen e kuptimit të punës së mësuesit”. Pyetja që parashtrohet është se si bëhet kjo: në bazë të bukurisë apo bindjeve partiake?

Në të njëjtin nen (neni 50) theksohet se provimi final bëhet nga një komision i përbërë nga anëtarët e Akademisë, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Qendra për Arsim Profesional, Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Ministria e Arsimit. Është për t’u habitur që mësuesit nga praktika dhe stafi i universitetit nuk janë përfshirë fare aty. Është gjithashtu shqetësuese që vlerësimi i pjesës praktike të provimit do të bazohet në vetëm një orë të vëzhguar.

Me neni 53 të Ligjit avancimi në karrierë i mësimdhënësve është i kushtëzuar me marrjen dhe rinovimin e licencës, si dhe pagë pas marrjes së licencës. Sipas kësaj, masa të tilla janë burim i motivimit të jashtëm, që nënkupton se mësuesit duhet të jenë të inkurajuar për t’u zhvilluar profesionalisht për shpërblim ose për shmangien e dënimit

Neni 54 (paragrafi 2) thotë: “Në qoftë se mësuesi sipas paragrafit (1) të këtij neni, brenda tre vjetëve nga data e marrjes së licencës, punësohen në shkollë, ata do të paguhet me një tarifë mujore prej 80% të pagës mesatare mujore të paguar në Republikën e Maqedonisë”. Ky është diskriminim për mësuesit, të cilët tashmë janë të punësuar në shkollat.

Ligji për Akademinë për Mësimdhënieve është një tekst i diskutueshëm, sepse në vend që të kërkojë të avancojë metodat për dhënien e mësimit, ai bën atentat ndaj mësuesit e mësimdhënies. Prandaj, jemi të mendimit se do të ishte shumë më e dobishme që shteti, për ta mbështetur reformën serioze për zhvillimin profesional të mësuesve, këto programi t’i integrojë në personelin dhe programet ekzistuese të infrastrukturës së universiteteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button