Kosovë, Komisioni heq nga rendi i ditës diskutimin për INTERPOL-in (VIDEO)

Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës në mbledhjen e sotme ka hequr nga rendi i ditës diskutimin lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Xhelili propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, duke theksuar se Qeveria ka bërë të gjitha lobimet dhe punët e duhura për anëtarësim në INTERPOL.

“Me një përkrahje të komisionit tonë propozojë që kjo temë të mos diskutohet”, tha Xhelili.

Xhelili theksoi se është krijuar një klimë favorizuese për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe këmbimi i informacioneve për krimet transnacionale dhe krimet e organizuara në rajon me policitë tjera janë në dobi të të gjitha shteteve por edhe të Policisë së Kosovës.

Ndërsa edhe deputeti nga radhët e partisë Vetëvendosje (VV), Rexhep Selimi, tha se në parim do ta mbështesin nismën e qeverisë për anëtarësim në INTERPOL. Ai theksoi se përkrahja e tyre ndaj Ministrisë së Brendshme apo asaj të Jashtme që punojnë që Kosova të jetë e angazhuar në mekanizmat ndërkombëtare do të jetë e përhershme.

“Përkrahja e Komisionit për Punë të Brendshme në integrimin e Kosovës ka qenë dhe do të jetë e përhershme, qoftë në EUROPOL, qoftë në bashkëpunim policor rajonal, qoftë për iniciativa tjera sepse e gjithë Kosova është në proces të integrimit. Unë mendoj se nuk kemi ndonjë lëndë që të diskutojmë. Kjo është arsyeja që do ta mbështesë kolegun Xhelili”, tha Selimi.

Komisioni vendosi në unanimitet dhe kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.

Ndryshe, Komiteti ekzekutiv i INTERPOL-it kishte vendosur që aplikimin e Kosovës për anëtarësim ta vendos në axhendë për votim vitin e kaluar, mirëpo autoritetet kosovare vendosën që të shtyhet votimi për arsye se nuk do të mund të sigurohen votat.

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj pati deklaruar se synojnë që në muajin nëntor të këtij viti Kosova ta marrë mbështetjen e mjaftueshme të votave për anëtarësim. Për anëtarësim në INTERPOL shteteve u duhen 2/3 e votave totale (apo 126 vota) nga shtetet anëtare të kësaj organizate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button