Holanda heziton për negociatat, por mbështet platformat e azilkërkimit

Qeveria holandeze e pranon se ka shqetësime serioze sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. “Në këto dy pika lipset më shumë progres”, thonë burime të Ministrisë së Jashtme holandeze, të cituara nga e përditshmja “De Telegraaf”.

“Megjithatë – vazhdon gazeta, – ekzekutivi i vendit nuk ka vendosur ende nëse do t’ia mbyllë derën vendit ballkanik”.

Për këtë arsye, disa fraksione parlamentare po i mëshojnë rezistencës në Asamble, në përpjekje për të ndaluar “dritën jeshile” të qeverisë ndaj çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ato e pranojnë se ka pasur përparim, sidomos me Reformën në Drejtësi. “Por, nga 800 gjykatës, vetëm 10 janë testuar deri tani”, pretendojnë ligjëvënësit kundërshtarë. “Nuk mund të thuhet se vendi është gati për negocitatat e anëtarësimit”, shkruan Top Channel.

Mbështetësit, nga ana tjetër, që në Parlament janë shumë pak, vetëm dy parti – “D66” dhe “GroenLinks”, – argumentojnë se Shqipëria mund të ecë përpara me sundimin e ligjit dhe se bisedimet e anëtarësimit, në fund të fundit nuk do të thonë aderim në BE.

“Ne thjesht do t’i vëmë në rresht, pastaj sesa shpejt do të ndodhë bashkimi, ajo është çështje tjetër”.

Holanda ndërkohë e mbështeti propozimin e Donald Tuskut për krijimin e platformave të azilkërkimit jashtë Europës. Kryeministri Mark Rutte thotë se planet e presidentit të Këshillit Europian nuk janë përvijuar ende qartë, por ndërkohë 3 janë emrat vendeve të përmendur nga “De Telegraaf”: Tunizia, Egjipti dhe Shqipëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP