Mesazhi i Reisul Ulemasë së BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepi, me rastin e Fitër Bajramit

“Ata që japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” (El Bekare, 274)

Të dashur besimtarë! Vëllezër e motra! Le ta falënderojmë vetëm Krijuesin tonë i Cili na e mundësoi që të kalojmë edhe një Ramazan, një Muaj të shenjtë, duke përjetuar kënaqësi të papërshkrueshme të cilat arrihen vetëm në ibadete e lutje, në agjërim, duke e vënë në sprovë besimin, duke ngadhënjyer mbi tundimin dhe duke bërë vetëm vepra humane, të denja për një mysliman të devotshëm. Në këtë muaj erdhi e mira e njerëzimit, zbriti drita, u hap mendja, u urdhërua mëshira dhe bamirësia, mori formë dashuria dhe respekti, zbriti kodi i paqes dhe mirëqenies. Prandaj, ky muaj gjithnjë duhet të shënohet, duhet që të përjetohet me tërë qeien tonë, duhet ta madhërojmë duke i kryer të gjitha ibadetet që janë karakteristikë e këtij Muaji të shenjtë. Duke iu përkushtuar ibadeteve, ne, në fakt, jemi më pranë Zotit tonë, i Cili na e lehtëson përjetimin e kësaj kënaqësie duke i mbajtur nën pranga djajtë dhe larg nesh çdo gjë tjetër që mund të na tundojë e të na e zvogëlojë durimin. Kjo kënaqësi kulmon në ditën e Fitër Bajramit! Me këtë shpirt të pastër, solemnisht mund ta nisim festën e Bajramit të Ramazanit, duke e marrur ngryk njëri-tjetrin, vëllai vëllanë, motra motrën, fëmija prindin, fqiu fqiun, duke mos e harruar skamnorin, atë që ka nevojë, jetimët e bonjakët. Kështu do të jemi më humanë dhe më të ndërgjegjshëm për të mirat e Zotit që na i ka dhuruar. Muhamedi a.s. për ditën e Bajramit thotë: “Në ditën e Fitër Bajramit engjëjt qëndrojnë në çdo skaj të rrugës dhe thërrasin: “O besimtarë, shpejtoni te Zoti i juaj Fisnik, sepse Ai ofron të mirat e Tij të pakufishme, shpërblenë me dhurata më të mira. Për shkak se ju urdhëroi për falje gjatë natës e ju atë e bëtë, ju urdhëroi të agjëroni ditën, e ju këtë e bëtë. E respektuat Zotin tuaj, andaj pranoni dhuratat e juaja. Pas përfundimit të namazit të Bajramit, një thirrës thërret: “Zoti i juaj ua fali gabimet, andaj kthehuni të gëzuar në familjet e juaja, sepse kjo është ditë e dhuratave, gjithashtu kjo ditë edhe në qiej konsiderohet ditë e shpërblimeve”. Besimtarë të dashur, me fat dhe ju qoftë për hajër Fitër Bajrami! Paçit bekimin e Zotit Mëshirëplotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button