Rama për FETO-n: Jemi të përkushtuar të mos cenohet arsimi në Shqipëri (VIDEO)

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) ka folur në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, partneritetin strategjik midis dy vendeve, përpjekjet e përbashkëta për të eliminuar kërcënimin e strukturave të organizatës terroriste FETO në Shqipëri, për çështjet e brendshme dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë, si dhe për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Duke folur mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë, kryeministri Rama theksoi se është një proces i afirmuar më shumë sesa me dekada në kuptimin sipas tij që prirja e Shqipërisë ka qenë një prirje natyrale drejt Evropës.

“Nga ana tjetër nëse flasim konkretisht sot duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk varet vetëm nga ne, se procesi i integrimit evropian është gjithmonë e më i ndërlikuar dhe njëkohësisht më i paparashikueshëm për shkak të vetë turbullirave të brendshme në vendet e Bashkimit Evropian dhe të erërave kundër zgjerimit dhe kundër vetë Bashkimit Evropian brenda disa vendeve të rëndësishme anëtare. Kështu që përsa na takon do të vazhdojmë punën tonë, pasi për ne procesi i integrimit evropian nuk është një udhëtim për t’u spostuar nga Tirana në Bruksel, por është një udhëtim brenda vetes për t’u modernizuar dhe për të pasur një shtet funksional të standardeve evropiane”, tha Rama për AA

Ndërkohë mes Shqipërisë dhe Greqisë janë mbajtur disa raunde të bisedimeve për kufizimin e zonave detare dhe për çështjet e hapura mes dy vendeve, ndërsa Rama shprehet se është optimist që më në fund do t’i japin drejtim disa proceseve të bartura prej 70 vjetësh mes dy vendeve dhe njëkohësisht disa problemeve që herë pas herë sipas tij i gjejnë në rrugën e vendit për shkaqe të brendshme në Shqipëri apo Greqi.

“Ka patur një proces të vështirë për të arritur deri në uljen në tryezë, por besoj që ulja në tryezë do të dalë me një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet mes vendeve tona dhe në respekt të dinjitetit të njëri-tjetrit”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë në lidhje me bisedimet Shqipëri-Greqi për çështjet e hapura mes dy vendeve.

– “Pretendimet për kamp refugjatësh në Shqipëri nuk janë të vërteta”

Duke folur për pretendimet e fundit për mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh apo qendre për trajtimin e luftërave të huaj, Rama tha se këto pretendime nuk reflektojnë të vërtetën dhe tha se Shqipëria ka ngritur një qendër e cila është një qendër studimore, programesh, analizash, ndërveprimesh kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe që është propozuar që të zgjerohet në një qendër rajonale, qendër ekselence që ka të bëjë me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe që trajton në rrugë të ndryshme këtë fenomen.

Sipas tij kjo qendër nuk ka të bëjë asgjëkund me ndonjë koncept të një qendre në kuptimin e një qendre grumbullimi njerëzish dhe aq më pak pastaj me “konceptin krejtësisht të pavend dhe madje qesharak të mbledhjes së gjithë ish-ushtarëve të ISIS-it(DEASH) në këtë qendër.”

“Pra është thjeshtë një fantazi Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e BE nuk mund të ja hedhin topi njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Evropa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës. Secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe Shqipëria ka qenë e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta, për aq sa i takon. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP