U zbulua pllaka memoriale për ushtarët e rënë të KFOR-it në Kosovë

Në sheshin “Nënë Tereza” në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, me një ceremoni u bë zbulimi i Pllakës Memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit të tyre nga 12 qershori 1999 që ishte viti i hyrjes së NATO-s në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të NATO-s, të ushtarëve të shteteve të ndryshme në KFOR, përfaqësuesve të misioneve diplomatike në Kosovë, u zbulua pllaka memoriale për të nderuar burrat dhe gratë që kanë shërbyer së bashku me ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it dhe të gjithë ushtarët të cilët kanë humbur jetën në Kosovës që nga vendosja e NATO-s.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij tha se Qeveria dhe populli i Kosovës është përjetë mirënjohës NATO-s dhe shteteve që kontribuojnë në KFOR. Ai theksoi se Kosova synon anëtarësimin në NATO në organizatën e ushtrive të paqes për të ndihmuar jo vetëm veten dhe rajonin por këdo dhe kudo që ka nevojë.

“Kosova është e gatshme të kontribuojë për sigurinë dhe paqen në botë. Ky memorial është një simbol që Kosova e ka vendosur për rrugën e vet dhe nderimin ndaj të rënëve. Ne e mirëpresim qëndrimin e përhershëm të KFOR-it në Kosovë. Liria është vlera jonë e përbashkët e Kosovës dhe aleatëve”, tha Haradinaj.

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza tha se NATO ka udhëhequr operacionet paqeruajtëse në Kosovë që nga 12 qershori i vitit 1999 pothuajse 19 vite me radhë. Manza tha se KFOR-i sipas mandatit të tij që buron nga rezoluta e këshillit të Kombeve të Bashkuara ‘1244’, vazhdon të jetë i suksesshëm në ofrimin e një ambienti të qetë dhe të sigurtë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.

Ai potencoi se gjatë këtyre viteve KFOR-i ka dëshmuar efikasitetin e vetë dhe është bërë njëra nga organizatat ndërkombëtare më të besuara në Kosovë. Duke nënvizuar se kosovarët duhet të ndjehen krenar për çka kanë arritur dhe çka përfaqësojnë sot Manza tha se NATO mbetet e përkushtuar në Kosovë dhe do të vazhdojmë të bëjë një gjë të tillë edhe gjatë viteve në vijim.

“Ky monument do të mbetet simbol për një kohë të gjatë për atë se çfarë kemi bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë, se si kemi arritur t’i tejkalojmë dallimet e së kaluarës e të ndërtojmë një Kosovë të re dhe të fortë që synon drejt së ardhmes. Kjo e ardhme është përfundimisht integrimi në familjen euro-atlantike”, tha Manza.

Ndërsa, ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se Kosova dhe NATO kanë të arritura të shumta dhe me të drejtë duhet të krenohen me arritjet e përbashkëta. Duke folur për memorialin që zbulohet sot ai tha se ky memorial shërben si testament për ata që kanë bërë sakrificën përfundimtare dhe për angazhimin tonë të përbashkët në interes të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL