KRYETARI I DEGËS

Profesori plak, me fytyrë të oshënarit të përvujtur, i kërrusur, ndahet nganjëherë nga biblioteka e tij e shkon në kafene. T’i ikë vetmisë që herë pas here e shtrëngon për fyti. Në kafene mblidhen redaktorët që ia bëjnë qejfin pushtetit, ndërsa gazetarët, meqë nuk mund të reagojnë në vend të punës, e shprehin pakënaqësinë e tyre  kur dalin të argëtohen në kafene. Atje mblidhen të gjitha grupet politike dhe jopolitike, të gjitha rrymat, aktivistë e antiaktivistë, predikues folklorikë të fesë, atje dalin edhe  kryetari i degës dhe degës së partisë. Atje shpesh është edhe anëtari i kryesisë. Ku mund të shkojnë tjetërkund? Aty shumica janë në ambientin e tyre.

Pjesëtarë grupesh, sektash, aktivistë e antiaktivistë zakonisht hedhin gurë e dru kundër ministrave, zëvendësministrave, kryetarëve të kryesive, të degëve, të degëve, kur këta s’janë të pranishëm në kafene. Profesori rri i heshtur në një qosh e pi një kafe e del pa ndenjur gjatë.

Kur hyn kryetari, ministri, zëvendësministri, prokurori, gjykatësi a drejtori në kafene të gjithë e ndërrojnë temën e bisedës. Flasin për gra, për sport dhe për gjera triviale.Natyrisht edhe për sukseset e partisë.

Sot në kafene e ka nderin të jetë “i respektuari”  i ndenjës kryetari i degës. Sharjet, fyerjet e pakënaqësitë e pakmëparshme ua lëshojnë vendin lavdeve deri në glorifikime për punën që ma paska bërë partia. E zeza e përfolur për partinë, tash bëhet e bardhë. Dhe, del se i kemi gjithë të mirat e kësaj bote. Në saje të partisë. Të gjithë, pastaj shtyhen: kush do ta qerasë kryetarin. Mbushet tryeza e funksionarit të vockël me pije e me meze. E dinë të pranishmit se nga ai post mund të kërcehet lehtë në kolltuk të një anëtari të ndonjë bordi të madh, të një drejtori a ministri. Pastaj kryetarit që ngjitet lart në pushtet mund t’i kujtohet sajgia e ta kthen me një kundërvlerë pushtetare a nëpëunësore. Kamerieri i tregon në vesh kryetarit se kush qeras.

“Madhëria e tij” – kryetari e kthen kryet, kurse „ai“ që e ka qerasur e ngre dorën në shenjë përshëndetjeje dhe qesh. Ia bën me dije se unë jam ai që po të qeras, z. kryetar. Le të dihet se kam njehur para! Nuk turbullohet qerasësi fare para shokëve të tavolinës se pak më parë ishte i zjarrtë duke folur kundër po këtij kryetari. As shokët e tij nuk shprehin ndonjë shqetësim. Shumë vetë e ngrenë dorën kah kryetari duke i bërë: tung, tung, tung!… kurse kryetari e tund ngapak kryet vetëm nja dy herë në shenjë falënderimi. Pastaj merr një pozë dhe një nur hierëndësie. Gjithçka në kafene rrjedh thuajse  aq shumë e kanë pritur dhe se aq shumë e duan të sapoardhurin.

Pastaj fillon muhabeti.

I rehatuar, i rrethuar me sajgi e respekt, kryetari e merr fjalën. Flet, flet, flet. Rrëmbehet, ndonëse të pranishmit nuk e ndjekin aq sa i jep zor ai. Njerëzit rreth tij shpejt i lëshojnë mendtë të kullosin fushave e bjeshkëve sepse s’kanë çfarë të dëgjojnë. Janë pallavra të politikanit arrivist e të painformuar. Megjithatë ai sherri çehovian është i pranishëm te qytetarët e zakonshëm. Herë pas here ia bëjnë ndonjë pyetje me ferra të imta kryetarit. Pyetje nga politika. Po ka edhe nga letërsia, teknika, medicina, përkthimi i Biblës e Kuranit.

E dinë se kryetari “ka përgjigje” për gjithçka. “Çfarë do të ndodhë me bisedimet midis Maqedonisë e Greqisë për emrin”? “Kjo është punë e kryer”, përgjigjet me kryet e ngritur lartë kryetari i degës duke i mbyllur sytë e duke rrudhur buzët. “Ende nuk ka ardhur ai babaçkoja nga Amerika, po këto ditë do të vijë dhe kjo punë do të marrë fund”! thotë me një siguri të paparë. “Po çështja e armatimit të Koresë Veriore”?  Pason përgjigja e kryetarit: “Punë e thjeshtë kjo”… Pastaj të pranishmit i kthehen rikonstruimit të qeverisë. Kjo e nxit kërshërinë e të gjithëve, sepse të gjithë kanë shpresë mos po e nxjerrin një copë ashti prej këtij kryetari të vockël, po me ndikim të madh. Helbete. Njëri pyet në shumës t’ia rrisë mendjen kryetarit: “Çfarë mendoni për këto ndryshime të qeverisë, o z. kryetar?… E kam fjalën çfarë jua merr mendja pse BDI-ja e mori arsimin e Besës ia dha kulturën”? Kryetari përgjigjet: “Dihej se arsimi na takonte neve, sepse ne kemi përvojë në reformimin e arsimit… Suksese e suksese, rezultate e rezultate kemi lënë pas vetes ne në arsim… Kurse për kulturën… e dhamë kulturën ngase e dimë se Besa nuk mund të ndërmarrë asnjë hap pa ne”! thotë.

“Nuk e kanë ata të Besës as përvojën, po as numrin e deputetëve. Pastaj kultura nuk është punë e vogël”!… Ndërkohë njëri nga rrethimi i tavolinës e kthen kryet e i pëshpërit dikujt: “E kënaqët ju me arsimin”!

Dikush tjetër s’përmbahet. Qesh. “Qetësi, qetësi”! reagon një i tretë.  Pason një pyetje (në njëjës) nga letërsia, sepse kryetari i degës e ka kryer gjuhën dhe letërsinë. “A e ke lexuar romanin Dada Hajrie  të Sulo Zhelos”? ia fut kot njeriu sa për ironi. Të tjerët aktrojnë seriozitet dhe kureshtje. Ndërkaq mezi e mbajnë gazin. “Po, sigurisht që e kam lexuar…” përgjigjet kryetari dhe i kthen rrjedhën muhabetit. I ikën pyetjes.  “Dëgjoni, Aleancës ia treguam vendin. Edhe Besës do t’ia tregojmë. Do t’i hedhim në humnerën e historisë… Ne bëjmë politikë. Nuk jemi teatër”, thotë me krenari kryetari.

“O e përmende teatrin”, për çudi dëgjohet zëri i mekur i profesorit plak. “Desha të pyes a do ta hiqni Bit Pazarin para hyrjes së Teatrit shqiptar? Ai pazar e shëmton teatrin tonë“, komenton profesori. “Po ku e di ti? Ku merr vesh ti prej politikës? Je vetëm një copë e mjerë profesori! Në atë pazar e kanë bukën me qindra qytetarë të ndershëm! Ne kujdesemi për ekzistencën e tyre”! ia kthen kryetari me zë të lartë.

Të gjithë sa janë në kafene ia plasin gazit. Profesori largohet padiktueshëm i ndjekur nga vetmia e tij.

Vijnë pijet tjera, vijnë mezet tjera në tavolinë…

Askush s’çan kokë për profesorin. Kryetari i degës është ai që i mban çelësat për dyert ku duan të hyjnë e të vendosen shpirtërat e imtë…

Çfarë u duhet profesori këtyre shpirtërave? Profesori që s’lidhet as me parti e as me pushtet, që e kalon jetën në botën e të vërtetës së strehuar në pluhurin e bibliotekës?…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button