Shefi i Policisë gris banderolën e PD, Basha: Polici private e dyshes Rama-Xhafa

Në Fier, kryeministri Edi Rama u përball sot me protestuesit e Partisë Demokratike, të cilët e pritën me pankartën “Poshtë pashallarët e krimit”, ndërsa ai ua u ktheu duke i përshëndetur me dy gishtat, si në kohën e fushatës, kur numri i PS në fletën e votimit ishte i ngjashëm me simbolin e PD, njofton Gazetashqip.

Por disa orë më pas në rrjet qarkulloi një video, për të cilën PD tha se drejtori i Policisë së Fierit ka grisur banderolën e FRPD me urdhër të kryeministrit. Për këto pamje ka reaguar edhe vetë kreu i PD, Lulzim Basha, i cili thotë se Policia e Shtetit “ka përfunduar në një polici private në shërbim të dyshes Rama-Xhafaj”.

“Drejtori i policisë i pari dhe policët e tjerë pas tij rrëmbejnë dhe grisin banderolën e qytetarëve që protestojnë paqësisht dhe me dinjitet kundër krimit dhe drogës. Policë që kacafyten me qytetarët për të mbrojtur shefin! Turp dhe mjerim!”, shkruan Basha në Facebook.

Sipas liderit të opozitës, “këta policë as nuk e kanë idenë se veprimet e tyre janë dhunim i çdo të drejte njerëzore dhe politike, të drejtës së shprehjes, të drejtës së protestës, të drejtës për t’u dëgjuar”.

Për Bashën kjo ndodh sepse “ata njohin vetëm shefin dhe jo Kushtetutën dhe ligjin”.

“Janë Jaerd Çelët dhe Ermalët e policisë që edhe trafik droge bëjnë për shefin e vëllezërit dhe kushërinjtë e shefit. Shikoni hendekun e madh që ekziston sot në Shqipëri mes qytetarëve europianë dhe shtetit antieuropian. Këta policë duhet të luftojnë drogën dhe krimin që Shqipëria të hyjë në BE, por si banditë ata luftojnë qytetarët që ngrenë zërin kundër drogës dhe krimit”, thekson kreu i PD.

Në përfundim të postimit Basha nënvizon se nervozizimi i policëve është “shenjë e një sistemi që po rrëzohet, siç rrëzohen regjimet antipopullore dhe antidemokratike”.

“Qytetarët europianë po triumfojnë përditë mbi qeveritarët antieuropianë!”, përfundon Basha reagimin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button