Ju flet kamerieri

Suad Bajrami

Suad Bajrami

-Ej, ma bën një kafe ekspreso të shkurtër, me kajmak, i çet pak shkumë qumështi, si në Itali. Po nime, edhe ujin veç me një kockë akull se e di, kam problem me fytin. Ah loçkë je!

Ishte porosia e një myshteriu që më shumti e nevrikoste kamerierin e një restoranti që e frekuentonin që nga banorët e lagjes, e deri te kryetari i komunës dhe ministrat që bllokonin parkingun e vogël, me sigurimet dhe veturat zyrtare.

I kishte inat porositë speciale, me specifikime apo ato të cilat myshterinjtë i porositnin vetëm në restorant, sepse në shtëpi nuk ua çonin qejfet deri në atë shkallë. Herë i merrte me të shtruar, herë ndihej i ofenduar, megjithatë, më së shpeshti i sillej nëpër mend thënia e shefit se “myshteriu është mbret i mbretërve, madje edhe kur të sillet me arrogancë” dhe duronte, edhe atëherë kur i shkonte ndërmend t’ia derdhë supën për fytyre ndonjërit që e bezdiste çdo ditë dhe vazhdimisht me kërkesa të jashtëzakonshme.

Ai në shumicën e rasteve duhej t’u përshtatej dëshirave të personave me kravata që harxhonin për një drekë apo darkë, të cilat kushtonin sa dhjetëfishi (apo më shumë) se mëditja e tij.

-Po zotëri, mund t’u rekomandoj “Cordon blu” me sos “Carbonara” ose biftek “Hawai” apo me ananas, i tha një ditë ministrit, i cili sapo kishte ardhur nga një mbledhje e rëndë qeveritare dhe kërkonte të shërbehet sipas qejfit të kamerierit, të cilin e kishte bërë gjysmëshok dhe shpesh e pyeste nëse e ka ngucur dikush.

-Ej, aj sot bëm diçka të lëngshme. Mundet nëse ka çorbë pule, ma sjell edhe një spec djegës, bukën fërgoje në zgarë, po, më sjell edhe pak prej atij djathit që ua sjellin nga katundi, tha ministri, i cili ishte në shoqërimin e kryetarit të degës së partisë, i cili me përulësi para zotërisë së tij, tha bjeri edhe diçka për të pirë ministrit.

Servilët dhe pjatëlëpirësit ishin ata të cilët vazhdimisht e bezdisnin atë, jo për veten, por për bosin që u kishte siguruar një rrogë në administratë, apo u ka dhënë ndonjë tender, për shembull për të qenë përgjegjës për ndërrimin e faculetave të tualeteve të ndonjë drejtorie.

Ata as darkën nuk e hanin rahat, duke e vëzhguar çdo kafshatë dhe fytyrë të bosit të tyre se mos ndoshta (Zoti mos e bëftë), të mos i ketë pëlqyer ushqimi apo shërbimi.

-Na i sjell menytë, dhe po, a ju punon aparati? Pyeti një natë tjetër, kryetari i komunës i cili ishte i shoqëruar me 5-6 persona, shokë të partisë, të cilët ishin të lodhur nga uria.

-Për fat të keq, prej pasdites është bllokuar diçka dhe presim që nesër ta rregullojmë, pra sonte nuk punon diçka.

-Ej, e di pse të them, i tha me buzë në gaz kryetari i komunës, i cili zakonisht darkonte dhe paguante me kartelën zyrtare.

-E di, po ja që s’bën, i tha kamerieri duke u arsyetuar se nuk është faji i tij.

-S’ka problem, të pimë diçka pra, tha kryetari, dhe porositi një shishe ujë të pagazuar dhe disa kafe dhe lëngje për shokët e tij.

I tillë ishte kryetari i komunës, karakteristikë e tij ishte të eksperimentonte me ushqimet. Gishtat e pulës ishin ushqimi i tij i preferuar, a ai që u betua se më kurrë nuk do ta porosiste ishte pasta spageti, pasi nuk dinte s’i ti hante, në fakt ai i thithte.

-8.520 denarë qenka llogaria, i tha shokut të vet pronari i një ndërmarrje ndërtimtarie, pasi që kishin mbaruar me darkimin me një delegacion qeveritar, i cili i tha hajt se ti e ke xhepin e thellë, dhe e thirri kamerierin.

-Shumë bre, a mos i ke futur edhe llogaritë e rrymës dhe ujit, i tha me gjysmëshaka kamerierit.

Ai ia ktheu se, pjatat e porositura ishin ndër më të shtrenjtat, a kafetë pas bukës i kanë pasur prej shtëpisë.

-Haha, shaka bëra, ia pagoi dhe i la 80 denarë bakshish, dhe u ngrit bashkë me shokun e tij, pasi që te dera e restorantit, e priste punëtori i përlyer me gëlqere që t’i tregojë se sot kishin mbaruar më herët me punë dhe nëse mundet që të shkojnë më herët në shtëpi.

00:00 ishte ora, ai sapo kishte mbaruar orarin e punës, por nga dera sapo hyrën dy kafexhinj në restorant, të cilët zakonisht vinin vonë, pasi kishin të bisedonin muhabete pasmesnatëshe.

-Urdhëroni zotëria juaj, mbretër të kafeneve, me çka të ju shërbej? I pyeti një natë kamerieri me plotë nervozë, pasi që ia kishin sjellë te hunda çdo natë duke ardhur në orët kur ai duhej të shkonte në shtëpi.

-Haha, qeshën me buzë të ngrira, duke e kuptuar fajin dhe thanë s’do rrimë shumë, sa ta pimë nga një kafe dhe do ikim.

Ua solli kafetë, dhe u ngritën, duke i thënë me talljen më bajate, se nuk duhej të nervozohet pasi që i prishet bukuria.

Gjithsesi, pasi ishin mbretër, kamerieri i shau, por vetë me vete.

Derisa shkonte për në shtëpi, çdo natë kujtonte se si të ikë, si të largohet diku ku do të trajtohej më mirë, më me respekt për punën që bënte me nder. Ai s’e kuptonte se pse në vend që ta thirrnin në emrin e profesionit të tij, thirrej me fishkëllima e pasthirrma, natyrisht, me përjashtime.

Kur mbërrinte në shtëpi, nga lodhja menjëherë binte të flinte, ndërkaq e nesërmja kishte sfida të reja – t’ua plotësonte dëshirat, myshterinjve që kishin parë në ëndërr specialitete të ndryhsme.

08:00, -Ej, ma bën një kafe ekspreso të shkurtër, me kajmak, i çet pak shkumë qumështi, si në Itali. Po nime, edhe ujin veç me një kockë akull se e di, kam problem me fytin. Ah loçkë je!

One thought on “Ju flet kamerieri

  1. Bukur! Realiteti yne i mjere eshte ky. Sbehet tjeter. Fatkeqsisht, nuk guxojme te permendim emra, nuk guxojme te krijojme mekanizma njezerit, t’ i ndeshkojme! Prandaj vuajme dhe ikim nga vendlindja. Nese ka perendi, duhet t’ i denoje servilet dhe bossat e tyre, por si duket perendia ka ngritur dore nga to!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP