Kosovë, deputetët diskutojnë për Kartonin e Gjelbër

 Kuvendi i Kosovës ka filluar sot një seancë plenare me 28 pika të rendit të ditës, ndër të cilat është shqyrtimi i Projekt-platformës shtetërore për finalizimin e dialogut Kosovë-Serbi ndërsa në pjesën e parë të seancës debati u zhvillua për Kartonin e Gjelbër, raporton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të mungesës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dy interpelanca të kryeministrit janë shtyrë sot. Njëra ka të bëjë me situatën e kompanisë publike Telekom dhe Posta e Kosovës dhe e dyta për vendimet e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikal për të shkarkuar drejtorët dhe për të ndarë fondet për grante dhe subvencione.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, informoi deputetët se kryeministri do të jetë i gatshëm të përgjigjet në interpelancë të premten.

Me kërkesë të grupit të deputetëve të Partisë Socialdemokrate, gjegjësisht 12 ish-deputetëve të “Vetëvendosjes”, u mbajt debat për Kartonin e Gjelbër, të cilin Kosova ende nuk e ka.

Në hapjen e debatit, deputeti i PSD-së, Faton Topalli, deklaroi se edhe 19 vjet pas luftës, Kosova nuk është anëtare e Byrosë Evropiane për Kartonin e Gjelbër, me çka qytetarët e Kosovës paguajnë kosto të larta të sigurimit sa herë që udhëtojnë jashtë vendit për një periudhë të caktuar kohore. Gjithashtu, mijëra kosovarë nga diaspora paguajnë sigurime edhe në vendet ku ata jetojnë dhe kur hyjnë në Kosovë.

“Shuma e paguar për polisat kufitare të sigurisë që nga përfundimi i luftës deri më tani ka arritur vlerën prej 200 milionë euro, ndërsa shpenzimet për dëmet materiale janë rreth 10 për qind e kësaj, pra 20 milionë euro. Mendoj se kjo nuk është një trajtim dinjitoz i atyre që sjellin para përmes dërgesave në pothuajse gjysmën e buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha Topalli.

Poashtu edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se është absurde që kjo çështje deri më tani nuk është zgjidhur duke shtuar se bëhet fjalë për interesa financiare.

“Gjatë 15 viteve të fundit, nga viti 2001 deri në 2014, diasporës i janë shitur polisa kufitare të sigurisë në vlerë prej 131 milionë euro ndërsa dëmet e paguara nga këto polisa ishin vetëm 11 milionë euro. Pra, dallimi është 120 milionë euro, 8 milionë në vit dhe për këtë arsye çështja nuk zgjidhet”, tha Abdixhiku.

Shumica e deputetëve janë dakorduar se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë që të jetë e mundur, por gjithashtu duhet të dihet se ku po shkojnë saktësisht këto para. Në fund të debatit, Topalli propozoi që grupet parlamentare të harmonizojnë tekstin e një rezolute që më vonë do të vihej në votim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button