FIFA pranoi 2 kandidatura për organizimin e Botërorit 2026
FIFA njoftoi se ka pranuar dy kandidatura për organizimin e Kupës Botërore 2026. Në raportin e publikuar nga FIFA, komisioni është duke e shqyrtuar kandidaturën e Kanadasë, SHBA-ve dhe Meksikës të cilët dëshirojnë të organizojnë turneun së bashku, si dhe të Marokut.
Pas vlerësimit të bërë është bërë e ditur se FIFA ka pranuar aplikimin e të dy kandidatëve. Votimi për të përcaktuar se kush do ta organizojë Botërorin 2026 do të bëhet më 13 qershor të mërkurën në Kongresin e 68-të të FIFA-s.
Në raport thuhet se kandidatura e Marokut është pranuar në kategorinë e “rrezikut të lartë” për shkak të vazhdimit të ndërtimit të stadiumeve dhe objekteve tjera. 9 nga 14 stadiume të cilat Maroku planifikon t’i përdorë në Botërorin janë në procesin e ndërtimit, ndërsa të tjerët kanë nevojë për rikonstruksion të rëndësishëm. Nga ana tjetër 17 stadiumet që do të përdoren nga Kanada, SHBA dhe Meksika janë në gjendje të mirë.