Të lindish dhe të vdesish për secilën fjalë

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Titulli i këtij shkrimi është varg i mjeshtrit të fjalës së shkruar shqipe Azem Shkrelit, kredoja e të cilit përkon me atë të poetit tetovar Numan Mustafës.

Fati deshi që të jem botuesi i veprës së parë poetike të Numanit me titullin “Imazh në sy engjëjsh”, që pa dritën në edicionin e SHB “BREZI 9”, në vitin 2008, kurse tani redaktori i vëllimit të dytë me poezi, që sigurisht do të pritet mirë nga publiku lexues.

Numan Mustafa shkruan vargje të veçanta, të kultivuara përgjithësisht “në lëmën e këngës shqiptare”, siç do të thoshte Çabej. Poezitë e tij janë të ngjyrosura me doza të matura religjioziteti dhe me një mistikë karakteristike naimiane. Ato të bëjnë t’i shijosh të gërshetuara aromat pikante dhe tonet e këngëtimit të Lindjes dhe të Perëndimit, sepse autori është rritur me artin e dy kulturave, të cilat, natyrisht, e kanë pikluar edhe kulturën dhe artin shqiptar.

Numani është poet i mendimit të rafinuar dhe i vargut shumështresor, të shkruar me gjuhë të thjeshtë dhe të qërruar dhjamesh të panevojshme. Pikërisht në këtë thjeshtësi atipike gjuhe, përndjehen shtresat e nëntëshme dhe idetë e thella, të zbërthyeshme nga lexuesit e kultivuar të vargut poetik.

Parë brenda kontekstit të letërsisë sonë, vargu i lehtë, i qartë, i kapshëm dhe gracioz i Numanit përfaqëson vazhdimësinë e traditës së bukur të lirikës shqiptare.

Ai ka dhuntinë e bartjes së emocioneve te lexuesi, është mjeshtër i formës së poezive që shkruan, po, në rend të parë, vë nëntekstin e fuqishëm dhe karakteristik, vë idetë filozofike.

Si gjithë poetët e lindur, ai këndon vetëm kur i këndohet dhe, para së gjithash, për qejfin e vet. Nuk ngutet, nuk improvizon, nuk e synon famën e atypëratyshme, si shumë krijues të tjerë. Për të, poezia nuk është fast food, ndaj, në këtë pikë, është më i ngjashëm me krijuesit klasikë, si poeti i famshëm Nazim Hikmeti apo Lasgushi ynë i madh.

Poezitë e këtij liriku me individualitet dhe me imagjinatë të bujshme, janë vargje të punuara me kujdesin e një filigranisti, vargje plot aluzione historike e religjioze, ku gërshetohen ankthet dhe shpresat për të ardhmen e njeriut. Numani i ka njësoj të bukura poezitë me motive biblike e kuranore, poezitë e dashurisë dhe në veçanti ato me tone elegjiake për Nënën e ngjitur lart në botën parajësore…

Numani është krijues modest, si gjithë artistët e mirëfilltë. Atë e ka mësuar përvoja si hesht e thëna dhe si flet e pathëna.  Ai nuk parapëlqen të teoretizojë mbi vargjet që shkruan. Por, nëse ke fatin të rrish me të dhe ta gjesh momentin kur nis e shpërfaq dijet universale dhe konceptin e tij mbi artin dhe letërsinë, në veçanti mbi poezinë shqipe dhe të huaj, mbi lririkën e Lindjes dhe dhe të Perëndimit…, mund të mësosh gjëra interesante të lëmës së estetikës dhe të befasohesh me universin e dijeve të tij.

Për kënaqësinë e lexuesve të PortAlb-it, po e mbyll portretin e shkurtë të Numanit me një poezi të bukur, sa për t’jua mundësuar shijimin e artit të tij të veçantë:

PORTRET

S’do të gënjej miku im:

nëna ime ish’ njeri

jo engjëll…

Prej balte i kish’ gishtat

sytë bojë dheu,

duart gur.

Dhe unë e dija

se s’kish’ njeri më të bukur

se ajo

kur qeshte…

Nëna ime s’ishte engjëll

miku im,

ish’ nëna ime…

Ajo më mësoi si pritet buka

gishtin pa e prerë

dhe si qahet

me kokën lartë

e pa klithma prej njeriu.

Ajo

pa kthyer kokën

kaloi tej pragut një ditë

dhe iku.

Ish’ mëngjes i nëntëmbëdhjetë

unë isha bërë njëzet vjeç

në jetë

dhe qiejt nuk ishin plakur ende.

S’të gënjej miku im:

Nëna ime

prej balte i kishte gishtat

sytë bojë dheu

duart gur.

Dhe e di:

asnjeri s’do të qeshë aq bukur

dhe njëherë.

Nëna ime

s’qe engjëll, miku im,

ish’ nëna ime…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP