Analizë: Dëshirat joreale apo “bojkoti” administrativ – çka i pengon investimet publike?

Për t’u realizuar paralajmërimet e qeverisë se këtë vit do të realizohen 80% e investimeve kapitale, do të duhet në secilin prej tre tremujorëve të ardhshëm realizimi të arrijë të paktën 24%. Në fillim të këtij viti ekonomik, gjegjësisht në tremujorin e parë, realizimi i shpenzimeve kapitale ishte vetëm 7.7%. Disa ekonomistë besojnë se arsyeja duhet të qëndrojë në kapacitetin e dobët administrativ të aparatit shtetëror dhe në mungesën e projekteve të qëndrueshme dhe të planifikuara paraprakisht. A do të jetë viti 2018 një nga vitet më të dobëta me investime?

Do të përshpejtohet ritmi i investimeve në infrastrukturë….

Me këtë dinamikë të realizimit të shpenzimeve kapitale, deri në fund të vitit do të jetë e vështirë të arrihet paralajmërimi për realizimin e së paku 80% të investimeve të planifikuara publike, komenton një pjesë e biznesmenëve pasi të dhënat zyrtare treguan se në tre muajt e parë realizimi arriti në vetëm 7.7%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Duke marrë parasysh parametrat e tanishëm, do të isha i lumtur nëse deri në fund të vitit do të realizoheshin 30% e shpenzimeve kapitale. Këtë nuk e them rastësisht, pasi që në skenën politike ende na presin ngjarje që ndikojnë mbi prekin ekonominë – rinkonstruimi i Qeverisë, pastaj vijnë pushimet verore, tani është duke u zgjidhur kontesti i emrit, gjë që dukshëm mund ta ndryshojë konturën aktuale ekonomike. Qeveria e tanishme ndoshta mund të ketë siguruar vazhdimësi në planifikimin e investimeve kapitale, por çështja është nëse ato kanë kaluar në një përkushtim deklarativ. Në të vërtetë, ekziston dilema nëse në letër janë parashikuar ambicie të mëdha, dëshira joreale ose me të vërtetë kemi administratë të dobët, e cila nuk mund ta realizojë atë që është hartuar” – thotë Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së biznesit të Maqedonisë.

Edhe ekonomistët vunë në dukje kapacitetin e dobët administrativ, si një nga arsyet për ngecej në realizimin e shpenzimeve kapitale.

“Një gjë është të planifikohen investimet kapitale, e diçka tjetër të realizohen ato. Gjithmonë ka problem me realizimin e tyre, sepse ne nuk kemi aftësi të mjaftueshme në administratën publike për menaxhimin e investimeve kapitale. Duhet të bëhen studime të mira fizibiliteti dhe paraprakisht të parashihen një sërë çështjesh në projektet që mund t’i zgjasin dhe t’i shtrenjtojnë ato, siç janë rregullimi i marrëdhënieve pronësore- juridike, problemet ekologjike dhe mbrojtja e lokacioneve arkeologjike përgjatë rrugëve gjë që kontribuon ato të mos realizohen me dinamikën e parashikuar ” – deklaroi akademiku, Taki Fiti.

Në vitin 2017, me Buxhetin e ribalancuar, u planifikuan shpenzime kapitale në vlerë prej 386.1 milion euro, prej të cilave janë realizuar 83.64% ose 322.9 milion euro. Një nivel më të ulët të realizimit ka pasur në vitin 2016, kur në buxhet ishin planifikuar 363.1 milion euro dhe janë realizuar 76.01% ose 276.0 milion euro. Në vitin 2015, në buxhet ishin planifikuar 361.5 milionë euro për shpenzimet kapitale, deri në fund të vitit u shpenzuan 303.5 milionë euro ose 83.96%. Në vitin 2014, realizimi i shpenzimeve kapitale arriti në 83.5%, në 2013 ishte 82.4%, në vitin 2012 realizimi ishte në nivelin e 87.5, në vitin 2011 ishte 84.3% dhe në vitin 2010 ka qenë 86.6%. Me buxhetin për vitin 2018, të cilin e ka nënshkruar për herë të parë qeveria aktuale, parashikohet një nivel shpenzimesh kapitale prej 400.7 milion euro, i cili në krahasim me vitin 2017 ka një rritje prej 20.3 milionë euro ose 5.3% . Disa nga projektet tashmë të filluara të infrastrukturës vazhdojnë edhe në vitin 2018, transmeton Portalb.mk.

Për shembull, për gazifikimin, projekt kyç që ishte në programin zgjedhor të LSDM-së, këtë vit, nga buxheti është planifikuar të ndahen 36.3 milionë euro. Për ta mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes programit për zhvillim të Ministrisë së Ekonomisë, në vitin 2018, është planifikuar shumë prej 630.000 eurosh është për projektimin, ndërtimin dhe kompletimin e infrastrukturës në zonat ekzistuese në ZZHTI Shkup 1, ZZHTI Shkup 2, ZZHTI Shtip, ZZHTI Tetovë, ZZHTI Prilep, ZZHTI Strugë dhe ZZHTI Strumicë, përmes Drejtorisë për zonat teknologjike zhvillimore industriale janë planifikuar 7.000 000 euro.

“Projektimi për rritjen e investimeve bruto në periudhën 2018-2020 është mesatarisht 4.4% në baza reale. Një kontribut pozitiv në rritjen e investimeve pritet të kenë investimet e planifikuara në sektorin publik, si dhe mbështetja për aktivitetet e investimeve të ndërmarrjeve vendase dhe të huaja. Kthimi i stabilitetit politik në vend do të ketë një ndikim pozitiv në pritjet dhe besimin e subjekteve ekonomike, e do të paraqesë edhe sinjal pozitiv për investuesit e huaj ekzistues dhe potencialë” – thekson krijuesi i politikave ekonomike, Ministria e Financave në Strategjinë Fiskale 2018-2020.

Sipas disa prej biznesmenëve që i konsultoi “Portalb”-i, në këtë “histori” të investimeve nuk duhet të përjashtohet edhe “bojkoti i heshtur partiak” në radhët e administratës me të cilin janë përballur disa nga biznesmenët.

“Ndodh që dokumente  “të humben” ose “të zhduken” gjatë rrugëtimit prej një zyre në tjetrën” – komenton një ndërmarrës.

Nga Qeveria deklarojnë se, pavarësisht nga të gjitha pengesat, investimet e paralajmëruara do të realizohen.

“Mendoj se tashmë do të fillojmë të kemi rezultate në drejtim të realizimit të tyre. Jam optimist sepse vitin e kaluar shumica e investimeve kapitale u realizuan në tremujorin e fundit dhe atëherë arritëm ta realizojmë nivelin më të lartë të realizimit prej rreth 20 miliardë denarësh”, thotë ministri i financave Dragan Tevdovski.

Sipas partisë opozitare VMRO DPMNE, treguesit aktualë të realizimit të dobët të investimeve janë pasojë e politikave të gabuara ekonomike, transmeton Portalb.mk.

“Ekonomia po fundoset, ndërtimtaria po ngec, investimet kapitale vetëm në 3 muajt e parë  arritën në 7.4%, ndërsa rritja e PBB-së është në nivelin më të ulët të mundshëm në Evropë dhe në rajon, duke qenë 0%. Sipas tyre “Projektet e papërgatitura dhe procedurat joefikase të tenderimit janë pasojë e drejtpërdrejtë e mosdijes dhe e paaftësisë së kartelit në pushtet, të cilat i vënë interesat e tyre mbi interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Paaftësia e tyre u pa kur pothuajse një vit ata mbanin të mbyllur një autostradë të gatshme të ndërtuar nga qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, vetëm për shkak të problemit të zhvendosjes së një shtylle”- thonë nga partia opozitare, VMRO DPMNE.

Viti i kaluar 2017 përfundoi me rënie të investimeve bruto prej 4.5% dhe i gjithë viti ekonomik përfundoi me ngecje. Me Strategjinë e re fiskale 2019-2020, Qeveria parasheh rritjen e borxhit publik në nivel prej pothuajse 54%, si rezultat i intensifikimit të ritmit të realizimit të investimeve, veçanërisht atyre në infrastrukturë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button