Nervi shiatik, si t’i qetësojmë dhimbjet

Dhimbjet e shpinës mbeten një problem mjaft i përhapur në vendin tonë tek grupmosha të ndryshme, kjo edhe për shkak të stilit të jetesës. Vlera Lekaj, mjeke familje pranë Qendrës Shëndetësore Nr. 8 në Tiranë tregon për gazetën “Shëndet+” se përballet çdo ditë me pacientë me dhimbje të shpinës për shkak të punës apo aktivitetit të sforcuar fizik. “Nëse dhimbjet e vogla të shpinës nuk trajtohen në kohë, shton ajo, problemi mund të rritet duke dëmtuar nervin shiatik”, shkruan Shëndeti.al.

Si ndikon dhimbja kronike e shpinës në dëmtimin e nervit shiatik?

Me kalimin e viteve dobësohen muskujt dhe elasticiteti i tyre. Si pasojë, fërkimi gjithnjë e më tepër ashpërsohet. Për shkak të fërkimit, njëra nga kockat në fund të shtyllës kurrizore merr formë me majë dhe është pikërisht pika ku prek nervin shiatik. Për shkak të formës që merr, pickon nervin shiatik mund ta themi. Ky është thelbi që gjithë këto dëmtime të lartpërmendura deformojnë kockat dhe më pas nisin dhimbjet e nervit shiatik. Nga deformimet që pësojnë kockat nis gjithçka. Pra, dhimbjet e nervit shiatik janë pasojë e disa dhimbjeve kronike dhe sëmundjeve degjenerative të artikulacioneve.

A ka raste që edhe tek të rinjtë mund të ketë dëmtime të nervit shiatik?

Ndodh. Tek të rinjtë mund të ndodh kryesisht për shkak të aktivitetit të sforcuar. Si pasojë e sforcimit mbi kapacitetet e trupit, hernia fiskale apo nervi shiatik mund të shfaqet edhe tek të rinjtë. Por këto janë gjithmonë pasojë e traumave gjatë sforcimeve fizike.

Cilat janë simptomat e nervit shiatik?

Nervi shiatik ka një dhimbje specifike që dallon nga rastet e tjera. E ka fillimin tek pjesa e pasme e kofshës, dhimbje të pulpave të këmbëve dhe më pas dhimbja shkon deri tek gishti i madh i këmbës. Pra dhimbja e nervit shiatik ka një trajektore të tillë që shtrihet deri tek gishti i këmbës. Dhimbja është me intensitet të lartë dhe përveç saj ndjehen therje ose mpirje. Mund të jetë diçka e papritur, pra pacienti mund ta ndjejë dhe nuk e kupton arsyen pse i ndodh. Nervi shiatik në pjesën më të madhe të rasteve nuk është formë e rëndë që të sjellë invaliditet, por dëmton cilësinë e jetës. Ndërhyrja operatore është e rekomandueshme në raste të tilla. Megjithatë, ne përpiqemi që t’u rekomandojmë pacientëve medikamente për forcimin e nervit.

Nëse nervi dëmtohet edhe më tepër çfarë ndodh?

Pacienti pasi është diagnostikuar me nerv shiatik rekomandohen ndërhyrjet me medikamente siç thashë. Në varësi të rastit hapi i parë është me mjekime nga goja, me xhel ose me gjilpëra. Synimi është që fillimisht të rigjenerohet nervi sa më shumë që të jetë e mundur, por në varësi të shkallës së dëmtimit të nervit përcaktohet edhe ndërhyrja. Përmes një detaji ne e kuptojmë se sa i dëmtuar është nervi. Kur nervi është shumë i komprimuar dhe pacienti ka dobësim të funksionit të këmbës, kemi të bëjmë me një rast urgjent, pra rast me dëmtime të mëdha. Kur nervi është shumë i shtypur, njëra nga këmbët ka ulje të ndjeshmërisë dhe të funksionit, pra dobësohet ecja. Pasojat e nervit shiatik shfaqen gjithmonë tek njëra prej këmbëve. Në këtë rast pacienti referon dobësim të forcës komanduese të këmbës. Këtu kuptojmë se kemi një gradë të rëndë të problemit. Ky është momenti kur mjeku specialist më pas mund të vendosë nëse është e nevojshme të bëhet ndërhyrja. Por ka diçka pozitive pasi vit pas viti numri i ndërhyrjeve kirurgjikale për nervin shiatik po ulet, sepse pacientit e diagnostikojnë dhe e njohin deri diku sëmundjen. Po ashtu, pacientët janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e fizioterapive. Përmes fizioterapisë, artikulacionet e dëmtuara shkojnë në vend sërish, kështu që dhimbjet mund të shmangen deri në masën 100%, por nuk përjashtohet kroniciteti tyre, pra mund të rishfaqen, sepse gjatë një sforcimi tjetër, pacienti është më i predispozuar për ta përjetuar sërish problemin. Pra, krahas medikamenteve dhe fizioterapisë, pacienti duhet të ndryshojë edhe mënyrën e jetesës. Një pacient mbipeshë është më i predispozuar që të ketë rishfaqje të problemeve me nervin shiatik.

A mund të rigjenerohet nervi shiatik i dëmtuar apo vetëm mund të mbahet në atë pikë deri ku ka mbërritur dëmtimi?

Medikamentet në fakt nuk janë rigjeneruese, janë thjeshtë shqetësuese. Synimi ynë është që të shmangim dëmtimin e mëtejshëm të nervit shiatik, pasi rigjenerimi i tij është shumë i vështirë. Pasojat e nervit shiatik mund të jenë fatale nëse dëmtimi i tij është i madh. Ajo që unë gjykoj të rëndësishme ta them është sensibilizimi që duhet të kenë pacientët që për dhimbjet e shpinës të kryejnë vizita tek mjekët e familjes. Ky është hapi i parë për të shmangur shfaqjen e problemeve me nervin shiatik. Është më mirë ti parandalojmë këto patologji sesa t’i trajtojmë më pas. Mjeku i familjes do t’u japë gjithmonë rekomandimin e duhur për kontroll tek specialisti. Nëse dhimbje të tilla i lëmë të rriten, pasojat mund të jenë shumë të rënda.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button