Në Universitetin e Tetovës u hap ekspozita tradicionale e studentëve të Artit Figurativ

Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, më 23 maj 2018, së bashku me profesorët e tyre, në prag të përmbylljes së semestrit veror, në hapësirat e këtij fakulteti e hapën ekspozitën tradicionale. Në këtë ekspozitë përfshihet puna vjetore e studentëve, që e kanë realizuar gjatë një viti në bashkëpunim me profesorët e tyre.

Ekspozitën e shpalli të hapur Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Miftar Memeti. Ai tha se kjo është ekspozitë vjetore, e cila organizohet çdo fundvit dhe ka për qëllim që të ekspozojë punën njëvjeçare të studentëve tanë. “Nëpër klasa janë ekspozuar të gjitha punimet e studentëve nga viti i parë e deri në vit të katërt. Puna e bukur që kanë bërë këta studentë tregon se ne si pedagogë të tyre kemi punuar dhe kemi arritur që ta realizojmë me sukses, sikurse e dimë të gjithë se pjesa dërmuese e studentëve nuk kanë kryer ndonjë shkollë të mesme të artit, por falë angazhimit të pedagogëve të Fakultetit të Arteve ata për një kohë të shkurtër i mësojnë teknikat dhe fillojnë të profesionalizohen qoftë në pikturë, skulpturë, dizajn e kështu me radhë” – tha Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Miftar Memeti.

Në hapjen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai tha se studentët e Fakultetit të Arteve, me punën e tyre na bëjnë të ndihemi krenarë ne si universitet. “Studentët e kanë treguar performancën e tyre duke i ekspozuar këto vlera, këto produkte. Kjo është një dëshmi se Universiteti i Tetovës ka ngritje në cilësi. Kjo është një vlerë e madhe në përgjithësi për ne si Universitet dhe mbarë popullatën. Fakulteti i Arteve zakonisht është renditur në tre vendet e para në projektin “Ura me tri harqe” dhe unë dua t’i përgëzoj këta studentë për punën e tyre që bëjnë dhe kudo që shkojnë na bëjnë krenarë të gjithëve” – tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti

Profesoresha e Dizajnit grafik, Nora Halimi, vlerësoi se ekspozita në vetvete është kurorëzimi i punës që bëhet gjatë një viti akademik. “Nëpër të gjitha drejtimet e Fakultetit të Arteve janë realizuar vepra të ndryshme artistike nga vetë studentët dhe sot është kënaqësi kur këtë produkt final të tyre e ndajmë bashkë me miqtë, familjarët dhe të gjithë ata të cilët e duan artin” – deklaroi profesoresha Nora Halimi.

Të gjitha punimet e përzgjedhura në këtë ekspozitë janë punime të studentëve nga të gjitha programet studimore: pikturë, skulpturë, grafikë dhe dizajn grafik. Në këtë ekspozitë u ndanë edhe mirënjohje për studentët më të dalluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL