“Eco Guerilla”: Sot në Ditën e Evropës, Tetova shumë larg Evropës (VIDEO)

OJQ “Eco Guerilla”, me rastin e Ditës së Evropës ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën ka numëruar një sërë problemesh me të cilën përballet kjo komunë që synon Evropën, raporton Portalb.mk.

“Sot në Ditën e Evropës ne vazhdojmë të jetojmë në qytet që është shumë larg Evropës. Sot kemi një kryetare komune e na mashtron, nuk e respekton fjalën dhe nënshkrimin që e ka dhënë përpara qytetarëve të Tetovës.  Sot është turp të fshihen informatat se si harxhohen paratë e qytetarëve nga komuna dhe nga ndërmarrjet publike. Edhe pse mori përsipër se do të jetë transparente dhe do t’i publikojë raportet financiare për vitin e kaluar dhe për 10 vitet e kaluara, kjo kryetare vazhdon me avazin e vjetër dhe me tre faqe bilanci përfundimtar u hedh pluhur syve qytetarëve”, tha kryetari i organizatës, Arianit Xhaferi.

Ata kërkojnë më tepër transparentë edhe në pjesën e borxhit publik të komunës, ndërkaq akuzojnë se fëmijët e qytetit përballen me sëmundje respiratorë për shkak të pluhurit në qytet.

“Sot në Ditën e Evropës është e papranueshme që qytetarët të mos jenë të informuar se sa është borxhi i komunës, kujt i kemi borxh, në kohën e kujt dhe për çfarë arsye është krijuar ky borxh. Po të kishte shtet të së drejtës, këta funksionarë o të përgjigjeshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe do të përballeshin me gjykatat. Sot në Tetovë jetojmë në një qytet ku pluhuri në lagjet e tona ende është pjesë e përditshmërisë, rrugët e qytetit tonë nuk pastrohen si në Evropë, por vende-vende si në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Tetova nuk ka infrastrukturë moderne. Shkaktarët që fëmijët përballen me sëmundje respiratorë janë pikërisht nga pluhuri që thithin nga ambienti. Sot, Tetova është qyteti me më pakë hapësira të gjelbra, edhe ato pakë hapësira që kanë mbetur, po betonohen dita ditës”, tha Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

“Eco Guerilla” ka kritikuar edhe punën e policëve në trafik për mos rregullimin e siç thonë ata, kaosit në trafik, ndërkaq e ka përshëndetur iniciativën e komunës për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara.

“Sot në Ditën e Evropës, policia e trafikut është bashkëpunëtore dhe e paaftë për ta zgjidhur kaosin e trafikut në qytet. Sot Tetova vazhdon të mbetet pa transport publik, uzurpimi i hapësirave publike në Tetovë është bërë zakon i të fortëve, Ne e përshëndetëm nismën e komunës për çlirimin e hapësirave publike të uzurpuara dhe e inkurajojmë atë që ta vazhdojë me intensitet edhe më të lartë dhe të mos jetë selektive, posaçërisht në trotuaret e zaptuara që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, anarkia duhet të marrë fund dhe vendosja e rendit dhe shteti të së drejtës duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme”, tha nga “Eco Guerilla”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP