MBI UDHËTIMIN DHE IKJEN

Njerëzit përherë kanë dashur të udhëtojnë.

Ka udhëtarë, turistë e pelegrinë.

Udhëtarë që duan të lexojnë kultura të tjera.

Udhëtarë që duan të lexojnë kohëra të lashta.

Udhëtarë që duan të vizitojnë vende të shenjta.

Ka edhe ikje.

Ka ikje nxitur nga zhgënjimi.

Ka ikje prej boshësisë gërryese.

Ka ikje nga rrena e mashtrimi.

Ka ikje nga krimi i pandëshkuar.

Ka ikje nga vendi që ik prej njerëzve.

Ka ikje nga rregullat e serta e frymëzënëse.

Ka ikje nga dita që ta han të njëjtën mëlçi.

Që ta hedh mbi shpinë të njëjtin gur.

Që ta tregon të njëjtën përrallë.

Që ta përsërit të njëjtin refren.

Që ta servon të njëjtën kotësi.

Që të gënjen me të njëjtën rrenë.

Që të deh me të njëjtën marrëzi.

Që t’i lexon letrat në xhep.

Që të mban pareshtur leksione morali.

Ikin njerëzit prej aty ku qeshet e qahet njësoj.

Ku tregohen barsoletat e njëjta.

Ku bekohet e mallkohet njësoj.

Ku flitet e shahet njësoj.

Ku nuk ka shtigje që të nxjerrin përtej kotësisë.

Ku ecet nëpër rrugët e njëjta.

Nëpër rrugët që të kthejnë në vendin ku ke nisur.

Ikin njerëzit sepse duan të tashmen tjetër.

Ikin se nuk duan ta përsëritin rutinën…

Se nuk besojmë më në të “ardhmen e ndritur”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button