Kosovë, partitë politike takim rreth “konsensusit për temat me interes nacional”

Në një tryezë diskutimi të thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partive politike me qëllim të arritjes së konsensusit politik për agjendën shtetërore të Republikës së Kosovës është marrë vendim që secila parti të vazhdojë organizimin e tryezave të tilla për “temat e caktuara të interesit nacional”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një konferencë për media pas takimit duke falënderuar përfaqësuesit e subjekteve politike sipas tij, për gatishmërinë në përafrimin e arritjes së konsensusit nacional tha se janë dakorduar që tryezat e ardhshme për çështjet e iniciuara nga partia e tij të organizohen nga grupet parlamentare e të gjitha subjekteve me radhë.

“Do të shkojmë tani gradualisht. I kemi tani këto pesë temat e para të cilat janë iniciuar nga PDK-ja. Tani në tryezat e ardhshme do të shkojmë temë për temë, do të thotë se do të trajtohen temat e caktuara qoftë themelimi i ushtrisë së Kosovës, dialogu Kosovë- Serbi, axhenda e reformave evropiane, konsensusi nacional për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe në të njëjtën kohë reformat zgjedhore. Do të thotë në këtë formë do të vazhdojmë më tutje”, tha Veseli.

Ndërsa, nënkryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu tha se ekziston një konsensus i të gjitha partive politike që të adresohen të gjitha temat në interes të shtetit të Kosovës.

“Këto tryeza duhet të vazhdojnë sepse duhet të arrihet një konsensus mes subjekteve politike për trajtimin e këtyre temave, sepse koalicioni qeverisës nuk e ka tashmë një shumicë për disa tema më të thjeshta e lëre më për temat që janë të interesin nacional. Vullneti I LDK-së edhe në fillim të inicimit por edhe sot është që të arrijmë një konsensus për këto tema dhe pastaj ta diskutojmë çështjen e legjitimitetit të institucioneve të Kosovës”, tha Veliu.

Blerim Kuçi, përfaqësuesi i AAK-së, theksoi se Kosova ka humbur dhjetë vite meqë nuk është arritur një konsensus për disa tema të interesit nacional, ku shtoi se përmes këtyre tryezave do të provojnë të shkojnë më tutje drejt një konsensusi të plotë.

Në këtë tryezë ku kryeparlamentari Veseli ka ftuar të gjithë krerët e partive politike në Kosovë kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përfaqësues të partive Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa.

Në tryezë nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partisë Lëvizja Vetëvendosje ( LVV) dhe Lista Serbe. Ky takim është vazhdimi i takimit të parë që u mbajt më herët me ftesë të LDK-ës në të cilën nuk kishte kuorum për mbajtjen e takimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button