Armeni, kreu i opozitës zgjidhet kryeministër

Udhëheqësi i opozitës, Nikol Pashinyan është zgjedhur në postin e kryeministrit të Armenisë këtë të martë, duke i dhënë fund një revolucioni paqësor të shoqëruar me protesta masive ndaj korrupsionit dhe nepotizmit në ish-republikën sovjetike.

Moska, e cila ka një bazë ushtarake në Armeni, po monitoron këtë ndryshim “të pakontrolluar” pushteti, që mund ta zhvendosë vendin jashtë orbitës së saj të ndikimit, por Pashinyan ka ofruar garanci se ai nuk do t’i prishë marrëdhëniet me Kremlinin, transmeton REL.

Zgjedhja e Pashinyanit, ish-kryeredaktor gazete që kaloni disa ditë në burg për nxitjen e trazirave, shënon fundin e sundimtarëve që kanë drejtuar Armeninë që prej fundit të viteve ’90.

Ai ishte ideuesi i një lëvizje të fuqishëm protestash që detyruan fillimisht udhëheqësin veteran, Serzh Sarksyan të jepte dorëheqjen si kryeministër, e më pas ushtruan presion ndaj partisë në pushtet që të braktiste përpjekjet për bllokimin e zgjedhjes së tij si kryeministër, posti më i fuqishëm në vend.

Në votimin e mbajtur në Parlament këtë të martë, 59 ligjvënës mbështetën kandidaturën e Pashinyanit, përfshi disa nga Partia Republikane në qeverisje, ndërsa 42 të tjerë votuan kundër.

Gjatë votimit të javës së kaluar, Partia Republikane bllokoi Pashinyanin, por të martën njoftoi se kishte vendosur ta mbështeste atë për hir të unitetit dhe stabilitetit në vend. Kryeministri në detyrë, Karen Karapetyan njoftoi menjëherë dorëheqjen pas rezultatit.

Ndërkohë, në sheshin qendror të kryeqytetit, mbështetësit e Pashinyanit të mbledhur për të ndjekur votimin në një ekran gjigant televiziv, shpërthyen nga gëzimi kur mësuan rezultatin.

Armenia ka një popullsi prej 3 milionë banorësh dhe ndodhet në një zonë malore mes Turqisë dhe Iranit. Protestat e thirrura nga Pashinyan u mbajtën në momentin kur Sarksyan, i ndaluar me Kushtetutë për rizgjedhjen si president, zgjodhi postin e kryeministrit. Shumë armenë e panë këtë lëvizje si dredhi cinike të Sarksyanit për të zgjatur edhe më tej periudhën e sundimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP