Afro 10 mijë pjesëmarrës në “Wizz Air – Maratona e Shkupit” (VIDEO)

Me pjesëmarrjen e rreth 10 mijë pjesëmarrësve nga 58 vende, në Shkup sot u mbajt edicioni i 14-të i “Wizz Air – Maratona e Shkupit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo ngjarje sportive, e cila tubon mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të botës dhe e bën kryeqytetin e Maqedonisë pjesë të hartës botërore të atletikës, filloi në sheshin e qytetit “Maqedonia”, nga ku u nisën pjesëmarrësit e paraqitur.

Fituesi i Maratonës së 14-të të Shkupit është keniani Evans Kipkemoi Bivot, i cili pjesën prej 42 kilometra të gjatë e vrapoi me një kohë prej 2 orë, 14 minuta e 8 sekonda ndërsa në gjysmë-maratonën prej 21 kilometra më i shpejtë ishte atleti Dario Ivanovski me kohën 1 orë, 10 minuta dhe 10 sekonda.

Në konkurrencën e femrave, në gjysmë-maratonën, tre vendet e para i fituan Miljana Ristiç nga Maqedonia, me kohën 1 orë, 29 minuta e 15 sekonda, Amela Troziç nga Bosnjë e Hercegovina për 1 orë, 32 minuta e 22 sekonda dhe Silvija Shimunoviç nga Kroacia për 1 orë, 35 minuta e 6 sekonda.

Pas përfundimit të garës prej 5 kilometrash në konkurrencën e femrave, më e suksesshme ishte Gresa Bakraqi nga Kosova me kohën 19 minuta e 8 sekonda ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë e fitoi Bogdan Cvetkovski nga Maqedonia me kohën 17 minuta e 25 sekonda.

Në maratonën prej 42 kilometrash garuan 343 atletë ndërsa në gjysmë-maratonën prej 22 kilometrash kishte 1.909 persona të paraqitur. Në stafetën e maratonës ishin regjistruar 365 pjesëmarrës ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë patur një garë prej 5 kilometrash për të cilën ishin paraqitur 7.200 pjesëmarrës.

Promovuesja kryesore e edicionit të sivjemë të Maratonës së Shkupit ishte ish-kampionja botërore Paula Redcliffe.

Në kuadër të “Wizz Air – Maratona e Shkupit” dje u mbajt edhe Mini Maratona e Fëmijëve në Komunën Aerodrom, partnerë të të cilit janë Komiteti Olimpik i Maqedonisë dhe UNICEF.

Maratona tradicionalisht organizohet nga Qyteti i Shkupit dhe Misioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup me mbështetjen e Agjencisë për Rini dhe Sport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button