ANALIZË: Si janë paguar rrogat dhe kompensimet – revizion në Institutin për shëndet publik!

Mospërputhje në pagesat e rrogave dhe pagesa subjektive të orëve të punuara jashtë orarit të punës, lëshime në sistemin e kontrollit të brendshëm, një person në disa vende pune – këto janë një pjesë e konstatimeve në raportin e sapo publikuar të revizionit për punën e Institutit për shëndet publik për vitin 2016, kur drejtori i këtij institucioni ishte dr. Shaban Memeti, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Me revizionin e kryer është konstatuar se gjatë periudhës raportuese, instituti ka funksionuar vetëm me një drejtor, si ushtrues i detyrës dhe deri në ditën e revizionit, nuk është marrë vendim për emërimin e drejtorit mjekësor dhe organizativ të institucionit.

Njëra nga vërejtjet ka të bëjë me sistemin e kontrollit të brendshëm të institucionit, i cili është vendimtar për të parandaluar rrezikun e pagesës në bazë të dokumentacionit jo të plotë dhe të pakonfirmuar, që sipas revizorit, mund të pasqyrohet në shpenzimet dhe të krijojë rrezik për shfrytëzim të parave jo për qëllimet për të cilat kanë qenë të dedikuara ato ose për shfrytëzim të paligjshëm të tyre.

“Gjatë vitit 2016, Instituti për shëndet publik funksionon pa kontrolle dhe procedura të përcaktuara të brendshme për: pranimin dhe dorëzimin e materialeve, disponimin me dhe përdorimin e mjeteve fikse, të drejtën e përdorimit të mjetevepër përfaqësim, gjë që e rrit rrezikun gjatë përdorimit të fondeve” – raportojnë revizorët, njofton Portalb.mk.

Një njeri në disa pozita – vendet e punës dhe rrogat nën revizion…

Mospërputhje në pagesën e rrogave dhe sistematizimin e vendeve të punës janë konstatuar në raportin e revizionit, e poashtu problematizohet edhe lartësia e rrogave për disa vende të punës.

“Në pjesën e llogaritjes dhe pagesës së rrogave, janë konstatuar parregullsi në zbatimin e gabuar të koeficienteve të rrogave, mënyrën e plotësimit të vendeve të sistematizuara të punës, për të cilat nuk ka përshkrim të detyrave të punës sipas vendeve të punës, si dhe pagesë subjektive e orëve të punuara jashtë orarit të punës” – thekson revizori dhe shton:

“Një vend pune është plotësuar me një person që ka paraqitur një diplomë arsimore nga kjo fushë (është përmendur konkretisht në raport), për të cilën nuk është dorëzuar dëshmi se është nostrifikuar nga organi kompetent në vendin tonë. Gjendja e konstatuar krijon rrezik në pjesën e përcaktimit të lartësisë së rrogave të punonjësve”.

Probleme janë identifikuar edhe në sistematizimin e vendeve të punës, si p.sh. një person në disa funksione udhëheqëse.

“Pozitat e udhëheqësit të sektorit dhe kryeshefave të disa njësive në disa raste janë të zëna nga personi i njëjtë. Një person në të njëjtën kohë paraqitet edhe si kryeshef i një njësie edhe si punonjës në një njësi tjetër” – thuhet në raportin e revizionit, njofton Portalb.mk.

Mospërputhje ka edhe në aspekt të lartësisë së rrogave.

“Nga mostra e zgjedhur prej 25 dosjeve personale të të punësuarve, për tre punonjës konstatuam se janë paguar rroga në vlerë që është më e lartë se sa koeficientet e paraparë në Marrëveshjen kolektive” – thekson revizori dhe e përmend mënyrën në të cilën janë paguar kompensimet për punën e kryer jashtë orarit të punës, me ç’rast është konstatuar se kompensime të këtilla janë aguar madje edhe me vendime të zbrazëta ndërsa te një pjesë e vendimeve fare nuk janë shënuar detyrat e punës që është dashur të kryhen jashtë orarit të punës, e megjithatë janë paguar.

“Konstatuam se pagesat sipas kësaj baze kryesisht kanë të bëjnë me të punësuarit e njëjtë” – thuhet në raportin e revizionit.

Lëshime dhe probleme janë konstatuar edhe në pjesën e inventarit.

“Nuk është bërë evidentimi i material i telefonave mobilë të cilët janë siguruar në bazë të kontratave të nënshkruara, me kërkesë të revizorit, subjekti nuk ka ofruar dëshmi për kontratat e nënshkruara për donacion të mjeteve të dhuruara në vlerë prej pothuajse 96.000 eurosh, që nuk është në përputhje me Ligjin për donacione dhe sponsorime në veprimtaritë publike“ – thuhet në raportin e revizionit.

Në raport poashtu konstatohet se ka gabime në përcaktimin e lartësisë së rrogave, koeficiente të përcaktuar në mënyrë joadekuate për udhëheqje, pagesë e pabazë e kompensimeve për punën e kryer jashtë orarit të punës, që e rrit vlerën e shpenzimeve, janë evidentuar mjete fikse pa vlerë të regjistruar dhe janë evidentuar mjete fikse që nuk janë në pronësi të institutit.

Në mars të këtij viti, personi përgjegjës ka dërguar vërejtje në lidhje me Propozim-raportin, dhe nga pesë vërejtjet e pranuara në lidhje me raportet financiare, një është pranuar, ndërsa katër janë refuzuar, njofton Portalb.mk. Në mes tjerash, instituti ka informuar se përveç pjesës tabelore, në Rregulloren për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës ka edhe përshkrim të detyrave të punës, udhëheqja e disa sektorëve ka qenë në përputhje me Rregulloren e lartpërmendur dhe se janë ndërmarrë masa për t’i trajtuar vërejtjet e revizorit.

Me revizion janë përfshirë tre llogari të Institutit për shëndet publik, llogaria e mjeteve nga FSSH-ja, llogaria e mjeteve nga të ardhurat e veta dhe llogaria e mjeteve nga donacionet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP