Varësia digjitale i rrit vetminë, anksiozën dhe depresionin

Telefonat e mençur janë pjesë integrale e jetës së shumicës së njerëzve, duke na mundësuar të mbesim të lidhur dhe në rrjedha në çdo kohë. Dobësitë e kësaj lehtësie janë që shumë prej nesh janë të varur nga notifikimet, zilet, dridhjet dhe alarmet e tjera të vazhdueshme nga pajisjet tona, të paaftë për t’i injoruar emailat, tekstet dhe fotot e reja, transmeton KTV.

Në një studim të ri të publikuar në NeuroRegulation, profesori i Edukimit Shëndetësor në Universitetin Shtetëror të San Franciskos Erik Peper dhe profesori i asociuar i Edukimit Shëndetësor, Richard Harvey, argumentojnë se përdorimi i tepërt i telefonave të mençur është i njëjtë me çdo lloj tjetër të abuzimit të substancave, transmeton koha.net.

“Varësia e sjelljes së përdorimit të telefonave të mençur fillon të krijojë lidhje neurologjike në tru në mënyra të ngjashme me atë se si varësia opioide përjetohet nga njerëzit që marrin Oxycontin për lehtësim të dhimbjes – gradualisht”, shpjegoi Peper.

Për më tepër, varësia ndaj teknologjisë së rrjeteve sociale mund të ketë efekt negativ në lidhjet sociale. Në një sondazh të 135 studentëve të Universitetit Shtetëror të San Franciscos, Peper dhe Harvey zbuluan se studentët që i përdorën telefonat e tyre më së shumti raportuan nivele më të larta të izolimit, vetmisë, depresionit dhe anksiozës. Ata besojnë se vetmia është pjesërisht pasojë e zëvendësimit të ndërveprimit ballë për ballë me një formë komunikimi, ku gjuha e trupit dhe sinjalet e tjera nuk mund të interpretohen. Ata gjithashtu zbuluan se po të njëjtit studentë pothuajse vazhdimisht multitaskuan derisa studionin, duke i shikuar mediat e tjera, duke ngrënë apo duke e vijuar mësimin. Ky aktivitet i vazhdueshëm u mundëson pak kohë trupave dhe mendjeve për t’u çlodhur dhe rigjeneruar, thotë Peper, dhe gjithashtu rezulton në “semi-tasking”, ku njerëzit i kryejnë dy ose më shumë detyra në të njëjtën kohë – por për gjysmë më pak sesa do të kishin kryer nëse do të përqëndroheshin në një detyrë plotësisht.

Peper dhe Harvey vunë në dukje se varësia digjitale nuk është faji ynë, por rezultat i dëshirës së industrisë së teknologjisë për t’i rritur fitimet e korporatave. “Më shumë sy, më shumë klikime, më shumë para”, tha Peper. Notifikimet, vibrimet dhe alarmet e tjera në telefona dhe kompjuterë na bëjnë të ndihemi të detyruar t’i shikojmë ato duke i nxitur të njëjtat rrugë nervore në trurin tonë, që dikur na njoftonin për ndonjë rrezik të afërt, si sulmi i një tigri ose grabitqari tjetër të madh. “Por tani jemi të rrëmbyer nga të njëjtët mekanizma që dikur na mbronin dhe na mundësonin të mbijetonim – për pjesët më të parëndësishme të informacionit”, tha ai.

Por ashtu siç mund ta trajnojmë veten për të ngrënë më pak sheqer, për shembull, mund ta marrim iniciativën dhe të ushtrojmë për të qenë më pak të varur nga telefonat dhe kompjuterët tanë. Hapi i parë është ta kuptojmë se kompanitë e teknologjisë po i manipulojnë reagimet tona të lindura biologjike ndaj rrezikut. Peper sugjeron t’i fikim notifikimet, të përgjigjemi vetëm ndaj emailit dhe rrjeteve sociale në kohë të caktuara dhe të caktojmë periudha pa ndërprerje për t’u përqëndruar në detyra të rëndësishme.

Dy studentë të Peper thonë se kanë marrë masa proaktive për t’i ndryshuar modelet e tyre të përdorimit të teknologjisë. Studenti për rekreacion, parqe dhe turizëm Khari McKendell i mbylli të gjitha llogaritë e tij në rrjetet sociale rreth gjashtë muaj më parë, sepse donte të bënte lidhje më të forta ballë për ballë me njerëzit. “Unë ende u telefonoj dhe u shkruaj njerëzve, por dua të sigurohem që shumicën e kohës të flas personalisht me miqtë e mi”, tha ai.

Sierra Hinkle, studente e Holistic Health, thotë se ajo e ka ndërprerë përdorimin e kufjeve gjatë ecjes në këmbë për të qenë më e vetëdijshme për mjedisin e saj. Kur ajo del jashtë me miqtë, të gjithë i vendosin telefonat e tyre në qendër të tryezës, dhe i pari që e prek atë i paguan pijet. “Ne duhet të bëhemi kreativë dhe t’i qasemi teknologjisë në një mënyrë tjetër që ende i përfshin aftësitë që na duhen, por nuk na largon nga eksperienca reale”, tha Hinkle.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button