Republika e Pajonisë si zgjidhje afatgjate për emrin e shtetit

Çështja e emrit është në momentum që më në fund të zgjidhet. Në publik qarkullojnë propozimet tashmë tradicionale: Maqedonia e Epërme, Veriore, e Vardarit, Maqedonia e Re, si dhe Republika e Maqedonisë (Shkup).

Por ka edhe një propozim që duhet të shqyrtohet si opsion i mundur, që në plan afatgjatë është zgjidhja më e mirë, edhe sikur të mos ishte kontesti me Greqinë, e ajo është emri Republika e Pajonisë.

Skrinshot nga një video shpjeguese në YouTube kanalin “Shorts & Facts” (LARTË Pajonia, POSHTË Maqedonia antike)

Para se të diskutojmë pse sot është zgjidhja më e mirë, të flasim për disa fakte historike. I pari është se para pushtimeve të Filipit dhe Aleksandrit, Maqedonia ka qenë një territor i vogël në Greqinë e sotme. Madje nuk e ka përfshirë tërësisht as rajonin e sotëm të Maqedonisë në Greqi! Por pas atyre pushtimeve që arritën deri në Indi, Maqedonia është rritur drastikisht për të përfshirë edhe pjesë të Republikës së Maqedonisë së sotme. Por ajo nuk është shtrirë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së sotme. Për shembull, maqedonast antikë asnjëherë nuk kanë mbërritur në Shkup. Por për dallim prej tyre, pajonët kanë jetuar në Shkup, siç kanë jetuar edhe në pjesën më të madhe të territorit të RM-së së sotme. Ka mendime të ndryshme sa janë shtrirë pajonët në RM-në e sotme, llogaritjet janë nga 70 deri 100 përqind të territorit. Pra, më shumë nga ajo që kanë arritur të pushtojnë maqedonasit antikë. Por përveç se janë shtrirë më shumë, në RM-në e sotme pajonët kanë jetuar 400-500 vjet më herët nga ardhja e maqedonasve antikë. Që do të thotë se nga aspekti historik, shteti ynë shumë më shumë meriton të quhet Pajoni sesa Maqedoni, ose çfarëdo varianti që e përmban atë emër!

E tani, pse edhe nga aspekti i sotëm është zgjidhje më e mirë.

Dihet se sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, atij të bërë në vitin 2002, 36%, ose mbi 1/3 e popullsisë nuk identifikohet si etnikisht ma        qedonase. 25% nga ato 36% janë shqiptarë etnik, dhe çdo regjistrim të rradhës përqindja e tyre pëson rritje. Kështu, sipas regjistrimit të vitit 1971 shqiptarë janë deklaruar 17%, në vitin 1981 19.8%, në 1991 21.7%, në 1994 22.7%, dhe në 2002 25.17%. Në një rrethanë të tillë, emri i shtetit duhet ta reflektojë edhe realitetin demografik përmes një emri me të cilin do të identifikoheshin të gjitha grupet etnike. Emër që do të shërbente për atë qëllim është Republika e Pajonisë. Edhe emri Republika Ballkanike Qendrore mirë do ta kryente atë detyrë, por Republika e Pajonisë është zgjidhje shumë më e mirë. Së pari, sepse ka lidhje antike me territorin ndërsa emri “Ballkan” ka prejardhje turke; së dyti, më praktike është të thuash Republika e Pajonisë sesa Republika Ballkanike Qendrore; dhe së treti, është emër shumë më prestigjoz.

Në Botë ka shumë shtete dhe rajone që e kanë marrë emrin nga ndonjë popull që ka jetuar në atë rajon më parë. Shembulli më i ngjashëm me Maqedoninë është Belgjika që e ka marrë emrin nga fiset gale “belgae”, ndërsa sot emri “belg” i bashkon Flamanët dhe Valonët. Efekt i ngjashëm do të arrihej edhe me emrin Pajoni, sepse në rast të tillë, shqiptarët që janë vazhdimisht e më shumë në përqindje do të mund të identifikoheshin me emrin etnikisht neutral “pajon(as)”. Kjo do të çonte në krijimin e një emërtuesi përbashkues për të gjithë popujt që e përbëjnë Republikën e Maqedonisë, dhe me të edhe një shoqëri më homogjene.

Shembuj tjerë botërorë janë Zvicra me emrin e saj alternativ Helvetia të trashëguar nga populli galë helvetikët; rajoni Llombardi në Itali me emrin e marrë nga populli gjerman llombardë (sot ka shumë italianë që rajonalisht identifikohen ashtu edhe pse llombardët origjinalë kanë qenë gjermanë), Burgundia në Francë që është emër i trashëguar nga populli lindor gjerman burgundë, (siç e ka marrë emrin dhe tërë Franca), e kështu me rradhë. Madje edhe Prusia e fuqishme dikur emrin e ka marrë nga populli prus në bregun e Detit Baltik që ka jetuar aty para dyndjeve gjermane drejt lindjes që kanë ndodhur në mesjetë.

Arsyeja pse kontesti për emrin ka zgjatur aq shumë është frika e humbjes së identitetit të popullit maqedonas. Por përmes emrit Pajoni, paradoksalisht, do të mund më me sukses të mbrohet identiteti kombëtar i maqedonasve! Përse? Sepse në atë rast nuk do të kishte rrezik maqedonasit të shdërrohen në maqedonas të epërm, maqedonas veriorë, ose maqedonas të rinj, sepse në kushtetutën e Republikës së Pajonisë do të qëndronte se ajo është shtet i popullit maqedonas, popullit shqiptarë, dhe të tjerëve. Pra, emri Pajoni nuk krijon dilema për emrin e popullit maqedonas.

Sipas anketave, çfarëdo ndryshimi të emrit me mbiemra të tipit e Epërme, Veriore, e Vardarit, do të pësonin mossukses në referendum. Por edhe nga ana greke, nëse gjykojmë sipas anketave, çfarëdo varianti të emrit me Maqedoninë në të është e papranueshme për popullin grek. Edhe Zoran Zaevi edhe Aleksis Ciprasi më kot do të turpërohen para qytetarëve të tyre. Në Maqedoni referendumi ndoshta do të kishte sukses, por është diskutabile a është etikisht në rregull që një çështje aq senzitive për maqedonasit të kalojë me ndihmën e votave të jomaqedonasve, në veçanti shqiptarëve si një trup i madh votues. Në atë mënyrë edhe marrëdhëniet ndëretnike mund drastikisht të prishen. Në atë rast çfarë na duhet integrimi në BE dhe NATO?! (Ndërkaq, nëse pala greke insiston në emër të papërkthyer, atëherë në referendum edhe shqiptarët do të votonin kundër.)

Për të përmbyllur, për shkak të lidhjes historike me territorin, si dhe karakterit multietnik të saj, propozoj që shteti ynë i përbashkët të quhet Republika e Pajonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button