Libri për Hamletin Shqiptar

“Emblema” titullohet libri i Isak Gutës mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, që rikthen në kujtesën shqiptare njërin prej mjeshtërve më të mëdhenj të skenës teatrore evropiane. Libri vin para lexuesit në momentin kur të tjerët përpiqen t’na i përvetësojnë kubarisht kuotat e larta të gjenisë së racës dhe kur ne e neglizhojmë kujdesin e domosdoshëm për personalitetet e kalibrit të Moisiut, pa të cilët nuk mund të thirremi në qytetërim, duke qenë se etnitë vlejnë aq sa i kanë dhënë botës figura të shquara në art, kulturë, shkencë, politikë… Këtë fakt e kanë shfrytëzuar të tjerët, veçmas fqinjët tanë, të cilët, përveç copëtimeve të territorit, nisën herët t’na i përvetësojnë edhe vlerat shpirtërore. Shi për këtë, veprën e Isak Gutës mbi aktorin e mirënjohur shqiptar, që gjithsesi nuk ka mundur t’u shpëtojë tendencave përvetësuese të shumëkujt, e përjetoj si sakrificën e një dalëzotësi të shpirtit, në një kohë kur mes nesh është shtuar numri i stërshitësve të paskrupullt të thesareve etnike.

Kjo është arsyeja e parë përse e çmoj punën e autorit të librit mbi Alkeksandër Moisiun. Arsyeja tjetër, ndërkaq, lidhet me të dhënën se Isak Guta, tamam si një studiues klasik i së shkuarës, ia ka kushtuar gjithë jetën Moisiut, për të sjellur përpara nesh frytet e punës së lodhshme dhe të këndshme njëkohësisht me një vepër monografike jetëshkrimore, të cilën ai vetë e konsideron: letrare-publicistike.

Synimi i autorit është shpalosja e figurës së Moisiut, duke nisur që nga përkatësia e tij etnike, e mbetur për shumëkë si punë enigme, gjer te gjeneza e forcës së artit të tij eruptiv, të cilin Isak Guta e gjen në vullkanin iliro-shqiptar dhe në kodet e etnisë. Ai ia ka dalur që, me të vërteta shkencore, të shkruajë veprën më të kompletuar për Aleksandër Moisiun e studiuar qe 100 vjet nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Me të ai synon edhe demaskimin përfundimtar të shtrembëruesve të përkatësisë etnike të aktorit emblematik. Ai, në njëfarë mënyre, ia rikthen kombit ikonën më përfaqësuese të artit skenik të epokës më të lulëzuar të teatrit evropian, gjithnjë i nxitur nga nevoja e brendshme e promovimit të kulturës shqiptare dhe përfaqësimit të figurës së Moisiut me identitetin e tij të mirëfilltë. Autori beson se nëpërmjet aktrimit të Aleksandër Moisiut rrezaton “gjenia artistike e kombit”. Mjeshtrin e madh të skenës ai e konsideron “emblemë të shqiptarit të madh dhe të qëndresës shqiptare – mërgimtare”, madje “emblemë të emblemave shqiptare”, artist të klalibrit të madh botëror, figurë të madhe krijuese intelektuale, maestro dhe gjeni, që ngriti në përsosmëri krijimtarinë interpretuese nëpër metropolet e globit, me shfaqjet e luajtura në katër gjuhë të mëdha të botës.

Parë nga ana strukturore, monografia mbi Moisiun është e ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë autori sjell të dhëna për trungun gjenealogjik të familjes së Moisiut dhe prindërit e tij, për rrethanat e kohëve të shkuara, për Rilindjen shqiptare dhe bartësit e kësaj lëvizjeje kombëtare, shpalon jetën dhe veprën e artistit që nga fëmijëria, duke iu referuar shkrimeve të bëra për aktorin prej personaliteteve të shquara të jetës kulturore e artistike evropiane, flet për  rrugën e formimit të tij, për ngritjen e pandalshme në karierë gjer në fazën e shkëlqimit dhe ngjitjen në olimpin e artit skenik botëror…

Në pjesën e dytë shpaloset preokupimi i gjatë i Isak Gutës me arritjet e papërsëritshme të Aleksandër Moisiut. Këtu ai hap përpara publikut lexues DITARIN MOISI, nëpërmjet të cilit synon përjetësimin e emrit të kolosit të skenës dhe inaugurimin e një komunikimi ndërmjet artit të tij dhe kombit që e lindi. Në faqet e pjesës në fjalë mësojmë për ekspozitat që ka realizuar autori i monografisë mbi këtë “thesar të vyeshëm” në disa metropole evropiane, po edhe për sakrificat e mëdha me të cilat është përballur në punën e tij fisnike. Përveç fotografive të aktorit famëmadh, pjesë e ekspozitave kanë qenë dhe mbresat, vlerësimet, artikujt e gazetave, letrat dhe referatet e autorit, falënderimet, prononcimet e aktorëve dhe personaliteteve të jetës artistike e kulturore të kohërave të mëvonshme, të gjitha të reprodukuara e sitemuara me kujdes edhe në faqet e monografisë.

Në pjesën e tretë, ndërkaq, kemi rrëfimin interesant të Isak Gutës mbi performancat e shkëlqyeshme të roleve të Moisiut, jehonën e madhe të shfaqjeve të tij dhe mahnitjen e publikut skenëdashës evropian, i cili nuk e kishte të qartë se kush ishte ai në të vërtetë dhe nga cili areal kulturor e artistik erdhi të pushtojë skenën botërore? Autori  i hulumton shkaqet e kësaj mosnjohjeje dhe psenë e injorimit të përkatësisë së aktorit nga ana e bashkëkohanikëve, duke vënë kësisoj në vendin e vet dhe duke sqaruar shumë të panjohura rreth veprës dhe karierës emblematike të Moisiut…

Isak Guta sjell në vepër edhe rolet e shumta të aktorit të madh, që nga “Fundërrinat” e Maksim Gorkit, “Gjenovefa” e Hebelit, “Cubat”, “Don Karlos” dhe “Komploti i Fieskos”  të Shilerit, “Edipi Mbret” e Sofokliut, “Vdekja e Dantonit” e Buhnerit, “Edipi dhe Sfinksi” e Hofmanstalit, “Hijet” e Ibsenit, “Mesia e bardhë” e Hauptmanit, “Ai i ka fajet për të gjitha”, “Drita ndriqon në errësisre” dhe “Pushteti i errësirës” të Tolstoit, “Komedia e fatit” e Evreniovit, “Klavigo” e Gëtes, “Dilema e mjekut” e Bernard Shout, „Pentesilea“ e Klajstit, „Georg Dandin“ e Molerit, „Henriku IV“ e Pirandelos,  “Ivanovi” e Çehovit, „Romeu e Xhuljeta“, “Mbreti Lir”, “Henriku IV” e „Otello“ të Shekspirit, duke i kushtuar kujdes parësor rolit antologjik të “Hamletit”, të cilin, para Aleksandër Moisiut, e kanë luajtur aktorë të mëdhenj, si: Garriku, Talma, Rasheli, Kini, Shrenderi, Inflandi, Salvini, Kainci, Duze, Vojani, Basermani, Kaçallovi, Oliveri, Smoktunovski e shumë të tjerë. Megjithatë, është roli i aktorit shqiptar për të cilin akoma sot flitet me respekt e përulje nga profesionistët dhe njohësit e skenës teatrore botërore.

Në fund të këtij shkrimi më duhet të them se Isak Guta është autori i parë që flet për konceptin e interpretimit krijues të Moisiut, Hamleti i të cilit revolucionarizoi artin skenik, duke qenë ndryshe prej gjithë të tjerëve dhe duke u dalluar qartësisht me vijat origjinale të karakterit.

E gjithë kjo e bën monografinë e Isak Gutës vepër të rëndësishme që meriton të zë vend në çdo bibliotekë shqiptare, për ta pasuruar dijen tonë mbi aktorin e përmasave botërore dhe për të qenë pikë reference për gjithë studiuesit e ardhshëm, të cilët do të vazhdojnë ta studiojnë këtë gjeni të skenës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button