Shtatëdhjetë vjet Izrael, si u themelua shteti hebre dhe lufta me shtetet arabe

Izraeli filloi festimet dje në mbrëmje, me një ceremoni ku u ndezën pishtarë, që shënuan fillimin e disa ditë festimesh me rastin e 70 viteve pavarësi.

Fakti që festimet zhvillohen tani lidhen me orientimin e Izraelit nga kalendari hebraik, shkruan Gazeta Dita.

Zyrtarisht themelimi i shtetit modern të Izraelit njihet më 14 Maj 1948. Këtë ditë kryeministri i mëvonshëm i Izraelit, David Ben Gurion lexoi në Tel Aviv deklaratën e pavarësisë.

Por si u themelua shteti hebre?

14 maj 1948 ishte një ditë, që e tronditi Lindjen e Mesme. Në këtë ditë në një muzeum në Tel Aviv u shpall shteti i Izraelit.

Disa fotografi të zbehura bardh e zi, regjistrime të turbullta filmike dhe një regjistrim radiofonik me ton si të gërvishtur dëshmojnë për këtë ngjarje.

Këto fotografi tregojnë shefin e vetadministrimit hebre të Palestinës, David Ben Gurion. Mbi kokën e tij varet një portret i Theodor Herzl, themeluesit të sionizmit. Në dorën e majtë ai mban fletën me tekstin e deklaratës së pavarësisë.

Themelimi i shtetit të Izraelit, më 14.5.1948.

“Në tokën e Izraelit u krijua populli hebre. Këtu u krijua qenia e tij shpirtërore, fetare dhe politike”, deklaroi Ben Gurion.

Në mënyrë festive Ben Gurion proklamoi: “Ne deklarojmë themelimin e shtetit hebre në tokën e Izraelit. Ky është shteti i Izraelit.”

Në ditarët e tij kryeministri i parë i Izraelit më pas shkruante: “Mbledhja përfundoi duke kënduar Hatikva, himnin tonë kombëtar. Jashtë, në rrugët e Tel Avivit, populli kërcente”.

Lufta e pavarësisë

Gëzimi për themelimin e shtetit ishte megjithatë i eklipsuar nga pritja e luftës që ishte në prag.

Shtetet arabe e refuzuan vendimin e OKB-së të vitit 1947, për ta ndarë zonën nën mandatin britanik mes hebrenjve dhe arabëve.

Në këtë dokument hebrenjve u garantohej më shumë se gjysma e Palestinës.

Këtë territor duhej ta ndanin gati 500.000 banorë hebrenj me 440.000 palestinezët. Kjo ishte një recetë e sigurt për një tragjedi, që do të pasonte, thotë historiani izraelit Ilan Pappe.

Lufta gjashtëditore dhe pasojat e saj

Por më pak se njëzet vjet më pas, në luftën gjashtëditore në vitin 1967, Izraeli e shtriu sundimin edhe në këto territore.

Mes 5 dhe 10 qershorit 1967 trupat izraelite mposhtën ushtritë egjiptiane, të Jordanit dhe të Sirisë dhe morën Jordanin Perëndimor, Rripin e Gazës dhe kodrat Golan nën kontrollin e tyre.

Suksesi i madh i papritur ushtarak shkaktoi një valë entuziazmi kombëtar dhe fetar në radhët e popullsisë izraelite.

Kryesisht pushtimi i Jerusalemit Lindor me pasurinë më të shenjtë hebreje murin e vajtimit ngjalli ndjenja çlirimi sikur të kish ardhur Mesia.

Shumë shpejt në territoret e pushtuara u themeluan vendbanimet e para hebreje.

Ato jo vetëm u toleruan prej qeverisë nën udhëheqjen e partisë së punëtorëve, por edhe u nxitën qëllimisht.

Me ndihmën e vendbanimeve të konceptuara si fshatra mbrojtjeje synohej që të bllokohej popullsia palestineze në Jordanin Perëndimor dhe në Rripin e Gazës dhe të parandalohej këtu krijimi i strukturave autonome.

As Marrëveshja e Paqes me Egjiptin në vitin 1979, as procesi i paqes i nisur në vitin 1993 ose tërheqja nga Rripi i Gazës në vitin 2005 nuk mundën t’i japin fund politikës së ngulimeve.

Edhe kryeministri Itxhak Rabin, i vrarë në vitin 1994, i cili ishte një kundërshtar i shpallur i ngulimeve, stepej kur ishte fjala për shpërbërjen e vendbanimeve në zonat e pushtuara.

Sot jetojnë rreth 500.000 banorë hebrenj në Jordanin Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Ndër ta janë shumë migrantë të rinj të ardhur nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, të cilët pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik u vendosën në Izrael. Rreth një milionë hebrenj rus pranoi Izraeli.

Në vitin 1991 përveç tyre u sollën në Izrael edhe rreth 14.000 hebrenj nga Etiopia.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP