Rekomandim i pastër, perspektivë e qartë

Rezultati i parë i rëndësishëm i suksesit të qeverisë së re është Raporti i posapublikuar i Komisionit Evropian me të cilin vendi mer rekomandimin e pakushtëzuar për të hapur negociatat e aderimit në Unionon Evropian. Në krahasim me vitet e kaluara, kur ky rekomandim ishte i kushtëzuar, marja e një rekomandimi të tillë inkurajues, që në formë shumë të qartë i identifikon arritjet e qeverisë së re është vërtet një sihariq që duhet përshëndetur. Raporti i Komisionit Evropian qartazi bën dallimin mes vullnetit politik tani të dukshëm për të bërë reformat dhe ndryshimet e nevojshme sipas Raporteve të Pribesë dhe vërejtjeve të Komisionit të Venecias, dhe situatës së gjertanishme që mbizotëronte në gjyqësorin e Maqedonisë.

Raporti qartazi përshëndet ndryshimin e qasjes ndaj punës së Prokurorisë Speciale, dhe përgëzon faktin që gjykatat kanë filluar ti trajtojnë rastet e ngritura nga kjo Prokurori. Poashtu, ka shumë rëndësi që në raport theksohet se nuk duhet konsideruar që PSP është i vetmi institucion që duhet të luftojë korrupsionin, por që edhe institucionet tjera kompetente duhet ta bëjnë punën e tyre në këtë drejtim.

Poashtu, në Raport qartazi identifikohet vullneti politik për të bërë reformat në gjyqësor, i shprehur përmes adoptimit të Strategjisë për reforma në gjyqësor të cilin doKument Raporti e quan kredibil dhe të harmonizuar me vërejtjet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe nga Komisioni i Venecias. Raporti poashtu nënvizon rëndësinë e asaj që ndryshimet ligjore të parapara me këtë Strategji të jetësohen edhe në praktikë, duke marrë parasysh praktikën e gjertanishme kur problem kryesor në këtë shtet ishin jo vetë ligjet por zbatimi i tyre.

Në këtë drejtim, vërejtja kyçe konstruktive e identifikuar në raport është që organet kryesore të gjyqësorit të ofrojnë drejtësi jo vetëm kuantitative por edhe kualitative. Kjo bëhet duke mundësuar që gjyqtarët dhe prokurorët të zgjidhen, të përparojnë, ose të shkarkohen në procedura të qarta dhe sipas kritereve të sakta ligjore. Kjo mundëson edhe transparencë më të madhe në sferën e gjyqësorit, e cila gjë ka ndikim në kualitetin e drejtësisë së fituar.

Poashtu, Raporti thekson që në mënyrë që të rritet efikasiteti i organeve gjyqësore shteti duhet të investojë më shumë mjete finansiare dhe kuadro njerzore në organet kompetente të gjyqësorit. Kështu, buxheti për gjyqësorin duhet të rritet si dhe trupat e ndryshëm, si Këshilli i prokurorëve ose Komisioni shtetëror për ndalimin e korrupsionit, duhet të pajisen me kuadro të përgatitur për të kryer këto punë të rëndësishme. Vullneti poltik që qartazi identifikohet në raport, duhet të jetësohet përmes investimit serioz në këto organe kyçe për vendosjen e përgjegjësisë penale për vepra që lidhen me korrupsionin.

Sa i përket pavarësisë së gjyqësorit, Raporti përshëndet anulimin e Ligjit për matjen e dënimeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese, të cilin ligj Raporti e identifikon si njërën nga format e ndërhyrjes në pavarësinë e gjyqësorit. Poashtu, në raport theksohet që ligjet që janë në proces të reformimit sipas Raporteve të Pribesë dhe sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias, duhet domosdoshmërisht të ndryshojnë pjesët me të cilat ndërhyheshte ashpër në pavarësinë e gjyqësorit, veçanërisht, përmes procedurave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve ose përmes ndryshimit të shpeshtë të orareve të gjykimit të gjyqtarëve.

Por ajo që theksohet në Raport është kërkesa specifike për ndryshim të sjelljes së institucioneve të gjyqësorit. Raporti thekson që dëmi i bërë në gjyqësinë e vendit gjatë viteve të kaluara është i përmasave të tilla që nuk mund të përmirësohet për kohë të shkurtër, dhe në këtë drejtim, ndryshimi i sjelljes së institucioneve është kyç. Në fakt për një kohë shumë të gjatë në Maqedoni u krijua bindja se gjyqësia është e nënrenditur poshtë pushteteve tjera, dhe jo anasjalltas. Për tu ndryshuar kjo qasje sigurisht që duhet të reformohen ligjet që pozitën e gjyqtarit e shndëruan në pozitë të nëpunësit administrativ. Por mbi të gjitha për t’u arritur një pavarësi e vërtetë e gjyqësorit sipas standardeve evropiane të sundimit të së drejtës, duhet domosdoshmërisht të ndryshohet sjellja e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse në fund të fundit, integriteti përveç komponentave objektive, e ka më të fuqishme komponentën subjektive të qasjes që vetë gjyqtari ose prokurori e ka ndaj profesionit të tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button