Pas murrit…

Lajmi përtej lajmit…

Gazetaria hulumtuese në Maqedoni është shumë pak e lëvruar dhe kjo si pasojë e së kaluarës komuniste të Republikës së Maqedonisë. Si rrjedhojë  fryma komuniste nuk i është ndarë edhe kohës së tranzicionit, ku pas demokracisë në vend pushtete të ndryshme me mekanizma të ndryshëm janë munduar të privojnë të drejtën e gazetarëve për t’ju qasur lajmeve me një vëzhgim pak më zhbirues. Sundimi një  dekadash i politikës Gruevskiane e ka dëshmuar këtë fakt duke patur parasysh inskenimet e ndryshme për të cilat kurrë nuk u tha e vërteta por e keqja ia mbyllte gojën të keqes.

Gazetaria hulumtuese mund të themi që zë vendin kyç në një gazetari të mirëfilltë sepse ajo në radhë të parë kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, në ngritjen e vetëdijes së tyre për probleme të kategorive të ndryshme. Në kushte demokratike të mirëfillta ku gazetarit do t’i lejohej ushtrimi i detyrës së tij në mënyrë të pavarur do të kanalizoheshin në rrugë të duhur shumë problem, me çka do të rritej edhe besimi i qytetarëve për procese të ndryshme si në sistemin politik, gjyqësor, shëndetësor, social etj., por edhe pushtetarët do ta kishin më të lehtë qeverisjen e vendit..

Në kohë të sotshme redaksi të ndryshme gazetareske janë shumë të predispozuar për të krijuar imazhe, sipas interesave të tyre apo të pushtetarëve të tyre, apo të bizneseve nga të cilët përmbahen dhe këtë e bëjnë në mënyrë aq të sofistikuar saqë para publikut shfaqen shumë të besueshëm duke përdorur disa cikërrima të së vërtetës dhe duke i kamufluar me imazhe të qëllimshme për të krijuar një të vërtetë të paqenë. Dhe këto problematika më së miri mund t’i trajtojë gazetaria hulumtuese e cila është edhe një nga zhanret më të vështira të gazetarisë.

Shembuj në mbarë botën na kanë dhënë sinjale të qarta për peshën që ka gazetaria hulumtuese në zbardhjen e të vërtetave të ndryshme të cilat kanë qenë faktor kyç në hapjen e dritareve të prosperitetit të së drejtës në ato vende.

Gazetarët në gjithë botën akoma sot ballafaqohen me  kërcënime të natyrave të ndryshme dhe nuk e kanë aspak terrenin e lirë për të bërë punën e tyre të lirë dhe të pavarur. Por megjithatë gazetarët që kanë kurajë kanë dhënë shembuj të ndryshëm se si kanë mundur t’i kapërcejnë këto barriera dhe kanë arritur në cakun e dëshiruar duke i  dhënë dritë të drejtës dhe të vërtetës deri aty ku kanë rrëzuar dhe pushtete  të inkriminuar ne korrupsion dhe krime të organizuara .

Një gazetare e jona së fundmi po mundohet të jep kontributin e saj për të zbardhur të vërteta që kanë ngulfatur besimin e qytetarëve me raste të ndryshme flagrante ku është privuar qartazi e drejta e qytetarëve për të demonstruar të vërtetën përpara sistemit gjyqësor në Maqedoni. Edhe ajo është ballafaquar me shantazhe të natyrave të ndryshme për të hequr dorë nga qëllimet e saja për të zbardhur parregullsi sa i përket gjyqësorit në Maqedoni.

Sa shteti i Maqedonisë është i  gatshëm të lejojë të lulëzojë një gazetari e mirëfilltë është vështirë të thuhet për momentin por gazetarët e rinj me mbështetjen dhe përvojën e garniturës së çmuar të gazetarëve që kanë vepruar në kohë akoma më të vështira politike besoj që do të mund të bindin si shtetin dhe qytetarët se vetëm e drejta dhe liria e  të shprehurit do të mund të shtyjë përpara proceset demokratike..  Është trishtues fluksi i të rinjve që vrapojnë drejtë Evropës për një standard më të mirë jetësorë. Besoj që me një gazetari të mirëfilltë ku kompromisi i vetëm do bëhet vetëm për hirrë të së vërtetës këto standarde evropiane ne mund t’i krijojmë dhe këtu në vendin tonë me një qeverisje të mire e cila nuk do mund as ta blejë as ta kërcënojë gazetarin por të ketë mbështetje, respekt për punën dhe ndoshta pak drojë nga i njëjti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button