Kosova, pa marrëveshje punësimi sezonal me vendet e BE-së

Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës.

Mimoza Kqiku, këshilltare për informim e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje me ndonjë nga vendet e BE-së për punësim sezonal, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Aktualisht, ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve tanë në këto shtete përkatëse, por jemi duke bërë përpjekje maksimale, jemi duke u takuar me ambasadorët e këtyre shteteve që të paktën të kemi në marrëveshje të tillë deri në fund të këtij viti”, thotë Kqiku.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është mbi 30 për qind.

Nisur nga ky nivel i lartë i papunësisë, punësimi sezonal në vendet e Bashkimit Evropian konsiderohet si një mundësi e mirë për të rinjtë. Në të kaluarën Kosova ka pasur marrëveshje për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë.

Përfaqësues të bizneseve kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button