TË HUMBUR NË LEXIM

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Sot lexohet shumë. Kudo sheh njerëz të humbur në lexim. Njerëz me sy të ngulitur në celularë. Vetëm një pakicë, fare e vogël, e parëndësishme, gjurmon nëpër biblioteka virtuale. Pra, nuk është çështje se nuk lexohet, por çka lexohet. Të lexosh pa gjykim kritik është si puna e Don Kishotit. Sojliu, i ndikuar nga romanet kalorësiake, humbi kontaktet me botën reale dhe hyri në një botë virtuale.

Sot jetojmë në botën paralele. Një udhëtar, derisa priste të lirohej një rruga e bllokuar, i thoshte gazetarit: “Presim të shkojmë në punë. As Facebook nuk kemi”…

Predrag Matvejeviqi, gjatë një  vizite në Rusinë sovjetike, siç shkruan te libri “Epistolari lindor”, kudo shihte njerëz të humbur në lexim. Për ata letërsia ishte një dritare shpëtimi, por letërsia soc – realiste i largonte nga bota reale. Njerëzit jetonin me gënjeshtrat e “punëtorëve kulturorë”, “inxhinierëve të shpirtit”. Një shkrimtar dogmatik thoshte se njerëzit duhej të vepronin vetëm sipas linjës partiake, sepse këtë ua mësonte lexuesve letërsia sovjetike. Ideologjia ishte ngatërruar me artin. Gladkovi thoshte se “thjeshtësia dhe fuqia e fjalive, sipas stilit të Stalinit, janë shembull për ne shkrimtarët”. Shkrimtari tjetër, Babeli shtonte: “Të shohim si Stalini e farkëton stilin e tij që të na shërbejë si shembull për ta zbukuruar gjuhën tonë”, kurse shkrimtari Shollohov (madje edhe nobelist) vazhdonte: “Unë shkruaj sipas diktatit të zemrës, por zemra ime rreh për partinë”…

Pra nuk është e rëndësishme se sa lexojmë, por çfarë lexojmë. Leximi i tepërt nuk na shpëton nga injoranca dhe mashtrimi. Shumësia e informacioneve të kota është e barabartë me mungesën e informacioneve. Lexuesi i mirë merret me informacionet e shkallës më të lartë dhe ka vetëdije kritike. Si i tillë është më pak i manipulueshëm në këtë kohë kur propaganda është shumë e sofistikuar dhe paketohet si informacion i shkallës më të lartë.

Sot mediat elektronike dhe virtuale flasin me “gjuhën e re” që e përmend Oruelli. Kjo gjuhë pa mendim e dominon përditshmërinë tonë. Moderatorët mediokër nuk u mjaftuan me kontaminimin e hapësirës publike me ide të gatshme, por filluan të botojnë edhe libra, që i reklamojnë si kryevepra. Librat me vlerë nuk përmenden fare. Një moderator thoshte se botimit të dytë të librit i kishte shtuar disa faqe sepse ja kërkonte aktualiteti! Çfarë libri mund të jetë ai që humb nga aktualiteti brenda dy – tre muajve? Edhe shumica e botuesve nuk dallojnë nga moderatorët mediokër. Flasin me pasion për libra pa asnjë vlerë që i botojnë. Na flasin për “fabulën” e librit. Tregojnë përralla.

Shoqëria jonë ngulfatet nga diktatura e aktualitetit, prandaj merremi vetëm me politikanët dhe njerëzit e spektaklit. Politikë, kuzhinë e palestër. Nuk na intereson përvoja e së kaluarës. Nuk i referohemi dijes sociologjike. Jetojmë në botën ku reflektorët ndriçojnë vetëm politikanët dhe njerëzit e spektaklit. Në cilin vend të botës lajmet fillojnë dhe mbarojnë vetëm me politikanë? Në cilin vend mediat informojnë, madje, edhe për punën e komisioneve parlamentare? Pastaj reflektorët drejtohen te “vipat”, që kanë filluar t’i marrin nëpër studio edhe fëmijët e tyre. Duan t’i katapultojnë si personalitete të së ardhmes…

Sot në provincat tona më nuk të tallin pse lexon publikisht: në autobus apo në kafene. Provinca, që nuk e duron madhështinë e veçantisë, nuk të tall kur lexon në celular. Ajo nuk e duron vetëm librin në formë të shtypur. Celularët i shpëtuan lexuesit e librave nga shikimet përçmuese të provincës. Ata sot mund të lexojnë libra të vlefshëm në formate digjitale, teksa provinca jonë mendon se lexojnë statuse Facebooku të gjithologëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “TË HUMBUR NË LEXIM

  1. cilen fjale ta perdor per kete Margaritar?? Teksti krejt mendje, stil dhe referenca te nje te Humburi te mirefillte ne lexim.
    Ama mekat keto tekste te mbeten vetem per lexim nga ekrani, sahere e kemi fol’ Salo??

    A e kontaktove B.Jasharin per botimin e ciklit te librave?
    Pajaziti nuk e njeh, Xhabiri mbeshtet idene por aq, Facja i pakapshem ne email, Merselit nuk ia kam numrin.
    hajde te provoj t’ia gjej numrin dhe ai ti thote drejtorit te Metamorfozis, mes gjithe juve qe shkruani dhe iluminoni ketu jave pas jave mos te shkoj tash une te B.J e te flas ne emer te perbashket, le te mbetet kuvend burrash haha
    nese drejtori, per ndonje shkak nuk e mbeshtet, ama duhet ta mbeshtese se me honoraret e padenja mendoj qe u ka hyre pakez nen hak ketyre kolumnisteve ketu.
    ajo pagese, e them ne mexhlis, eshte tamam bile ndonjehere edhe shume(flas kur provoja t’ia lexoja shkrimet, se ka kohe qe s’provoj me) vetem per gjoja kolumnisten kiç kolumnisten ketu profesoren e asociouar haha sikur keta profesore te tjere universitare, kolumniste te mirefillte, te ishin mesues fshati qe nuk nenshkruhen provincialisht me tituj poshte emrave…

    Salo vertetim me i mire per te Humburit ne lexim eshte numri i klikimeve ketu, ka kohe qe kete numer as qe e konsideroj per parameter, por, prap them…sa per ilustrim te shikojme, dite per dite, rubriken Me te lexuara sot ne kete portal, aty perhere rradhiten Horoskopi i sotem, Horoskopi i djeshem, ku -ku, dhe ndonje titull bombastik me kushtin qe te mos perkoje shume me permbajtjen (nuk keni shume te tilla, por marifeti eshte te mos keni HIC) ose ndonje Vip mendjebosh ne rubriken e top leximeve…por shyqyr ato kengetare me nder me thene me breke e pa breke, kryesisht kosovare,e qe kendojne kotesira, tashme nuk i postoni fare.

    Salo them qe me numer me te madh te Pahumburish ne lexim ne shoqeri kjo perla yte sheruese do te ishte nder me te klikuarat, te shperndarat nga mesues e profesore e gazetare dhe njerez tjere te Fjales, do ishte e afishuar dhe e shperndare ne tavolinat e kafeterive ku ulen bashke Te humburit te lexim dhe nuk komunikojme pervec se me celularin e vet…gjithmone pyes veten pse atehere dalin bashke? Ose pse dalin bashke prinder e femije dhe serisht, si kajde alieni, secili me tlf e vet, pa muhabet pa dashni.
    hajde tash ta kalli ni se e kam meritu’.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL