ANALIZË: Transmetuesi publik RTM harxhon 6 milionë euro vetëm për rroga, aspak përfitime reale

Shpenzimet e rrugës dhe të transportit në rritje, të hyrat nga reklamat në rënie. Në vitin 2017 dukshëm janë zvogëluar të ardhurat nga taksa për radiodifuzion si rezultat i heqjes së obligimit për qytetarët që ta paguajnë atë. Ndërmarrja publike e radiodifuzionit RTM, e cila është në pritje të reformave të thella cilësore dhe të departizimit, e publikoi Raportin e konsoliduar financiar për punën e saj në vitin 2017, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Njëkohësisht, në Kuvend gjendet për miratim edhe Programi vjetor për punën e RTM-së.
Për rroga janë harxhuar mbi 6 milionë euro, ndërsa mbi 60.000 euro janë shpenzuar për kompensime për anëtarët e Këshillit programor dhe ata të Këshillit mbikëqyrës. 

Të ardhurat nga marketingu – pothuajse janë përgjysmuar

Në vitin 2017, Ndërmarrja publike e radiodifuzionit – RTM, ka disponuar me të ardhura të përgjithshme prej 16,9 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet kanë kapur vlerën 16,7 milionë euro. Pas heqjes së obligimit ligjor për pagesën e taksës për radiodifuzion (TRD), të hyrat nga kjo taksë janë zvogëluar dukshëm. Nëse analizohet Raporti i konsoliduar financiar, si rezultat i TRD-së janë arkëtuar 9,5 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 nga kjo taksë janë siguruar 13,0 milionë euro.

Të ardhurat nga buxheti qendror, në përputhje me Ligjin për ASHAAM-in, për mbështetjen financiare të RTM-së kanë qenë pothuajse 4 milionë euro, ndërsa për shkak të financimit të veprimtarisë radiodifuzive, nga buxheti janë transferuar 2,4 milionë euro, njofton Portalb.mk. Ministria për Kulturë për mbështetjen e produksionit muzikor vendor ka transferuar 115.838 euro, ndërsa nëpërmjet Ministrisë për Shoqëri Informatike janë transferuar 102.000 еuro. Gjithsej nga këto katër burime, praktikisht, nëpërmjet buxhetit, në llogarinë e RTM-së janë derdhur pak më shumë se 6,6 milionë euro.

Në vitin 2017 të hyrat nga reklamat në krahasim me ato në vitin 2016 pothuajse janë përgjysmuar. Kështu, vitin e kaluar nga marketingu RTM-ja ka arkëtuar 407.866 euro ndërsa në vitin 2016 nga reklamat janë arkëtuar 719.203 euro.

Dominojnë shpenzimet për të punësuarit… 

Në aspekt të shpenzimeve, në strukturë edhe më tutje dominojnë shpenzimet për të punësuarit. Konkretisht, vitin e kaluar, Ndërmarrja publike e radiodifuzionit ka shpenzuar 16,7 milionë euro, dhe në raport me shpenzimet e vitit 2016, ato janë zvogëluar për 7,5%. Nga shpenzimet e përgjithshme, shpenzimet për të punësuarit kanë qenë 6,3 milionë euro.

“Në këtë grup të shpenzimeve janë përfshirë bruto rrogat, kompensimet për pagesën e dëmshpërblimit për të punësuarit që i plotësojnë kushtet për të dalë në pension, shpenzimet për shërbime shëndetësore (kontrollimet e rregullta shëndetësore të të punësuarve), si dhe shpenzimet për kompensimet për terren për korrespodentët dhe incizuesit që raportojnë nga Uashingtoni, Brukseli, Beogradi dhe Athina” – thuhet në Raportin përfundimtar financiar për punën e RTM-së.

Për shpenzime të rrugës dhe të transportit vitin e kaluar janë harxhuar 154.000 euro.

“Kjo kategori i përfshin shpenzimet për udhëtimet zyrtare në vend dhe jashtë vendit – mëditjet, fjetjet dhe transportin, si dhe shpenzimet për shfrytëzimin e veturave personale, shërbimeve për udhëtim me taksi dhe mëditjet për udhëtimet zyrtare, për shkak se RTM-ja si transmetues publik i radiodifuzionit, i ndjek dhe i transmeton për shikuesit dhe dëgjuesit të gjitha ngjarjet e rëndësishme me karakter publik në vend dhe në botë” – thuhet në raport, njofton Portalb.mk.

Shpenzime për kompensime, seri, kuize… 

Mirëpo, edhe një zë shpenzues, me titullin “shpenzime të përbashkëta” është evidentuar në raportin financiar në vlerë prej 6,4 milionë eurosh. Këto shpenzime, në mes tjerash i përfshijnë materialet harxhuese, siç janë materialet elektrike dhe teknike, materialet për ndreqje dhe mirëmbajtje të pajisjeve, shpenzimet për materiale të zyrës, shpenzimet telefonike, shpenzimet për mirëmbajtjen e veturave të RTM-së. Konkretisht, vetëm për telefoni janë harxhuar 42.500 еuro, për mirëmbajtjen dhe regjistrimin e veturave 24.000 еuro, shpenzimet për sigurimin e pronës dhe të veturave kanë qenë 37.000 euro, ndërsa për kompensime për anëtarët e Këshillit mbikëqyrës dhe ata të Këshillit programor janë harxhuar 60.268 euro, njofton Portalb.mk. Për pagesën e shpenzimeve të mbledhura për arsye të ndryshme, si për shembull, taksa administrative dhe gjyqësore, kamata, shpenzime për konteste gjyqësore janë harxhuar pothuajse 350.000 euro.

Të drejtat programore në vitin 2017, RTM-së i kanë kushtuar 2,9 milionë euro, prej tyre 810.000 euro janë shpenzuar për blerjen e të drejtave për transmetim të ngjarjeve sportive, 322.000 euro për filma, ndërsa në zërin “blerja e programit nga producentët e pavarur” janë evidentuar shpenzime në vlerë prej 371.000 euro. Mjete në vlerë të përgjithshme prej 1,2 milionë eurosh janë shpenzuar për realizimin e projekteve me ko-produksion, si për shembull seriali “Kompromis”, “Pak më tepër”, “Tregime popullore shqiptare”, emisionet e kuizit, “Taksirat”, projekti televiziv “Tunel”, “Bota e komunikacionit”, “Super ylli”, “Stilisimo”, seriali televiziv “Hijet e Ballkanit”, dhe projekte të tjera, filma dokumentarë dhe shërbime të produksionit.

Shpenzimet për shërbime intelektuale që kanë të bëjnë me përkthimin dhe përpunimin e programit të blerë nga vendet e huaja, filmat dhe programet e tjera, mendimet e marra profesionale dhe të ngjashme, kanë kapur vlerën 42.000 euro. Për organizimin dhe realizimin e projektit në lidhje me zgjedhjen e përfaqësuesit të Maqedonisë, si dhe pjesëmarrjen në festivalin “Eurosong 2017”, janë shpenzuar 138.400 euro, dhe kjo shumë, siç thuhet në raport, ka qenë në suaza të mjeteve të planifikuara për këtë qëllim. Në vitin 2017, në RTM janë blerë pajisje të reja në vlerë prej 144.000 euro.

Reformat në media, veçanërisht departizimi dhe profesionalizimi, janë një nga prioritetet në agjendën për reforma të qeverisë, të përcaktuar që në raportin e Pribes, njofton Portalb.mk. Një pjesë e ekspertëve thonë se tani me rëndësi do të jetë miratimi i Ligjit të ri për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike.

“Është e qartë se me mënyrën aktuale të funksionimit dhe të menaxhimit të transmetuesit publik të radiodifuzionit nuk kemi pavarësi dhe profesionalizëm. Propozimi ynë, në mes tjerash, ishte të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të RTM-së, me çka do të hapet rruga drejt pavarësisë dhe departizimit. Domethënë, me rëndësi kyçe është të sigurohet pavarësi e organit rregullator” – thotë profesoresha Snezhana Tërpevska nga Instituti për studime të komunikimit.

Propozim-ligji me të cilin rregullohet sfera e mediave pritet të gjendet në rend dite në Kuvend pas festave. Një pjesë e palëve të interesuara kanë vërejtje dhe propozime të ndryshme sa i përket asaj se çfarë zgjidhjesh duhet të ofrohen që të sigurohet pavarësi, departizim dhe profesionalizim i mediave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button