Gjyqësori në Maqedoni – simbol i padrejtësisë

Antipod i drejtësisë është padrejtësia. I çuditshëm dhe tepër akuzues tingëllon titulli i këtij shkrimi, por një gjë është e vërtetë dhe shumë e sigurt se korrespondon shumë me realitetin në Maqedoni.
Nuk është e domosdoshme që të jesh jurist i kualifikuar ose i ndonjë profesioni tjetër të ngjashëm për të kuptuar që gjykata është ajo që ndanë drejtësi. Dhe de jure ashtu është dhe ashtu duhet të jetë. Por ka raste kur nuk është edhe ashtu. Ka raste kur gjykata ky simboli i drejtësisë, e harron punën e tij, funksionin e tij, që është shpërndarja e drejtësisë dhe me apo pa vetëdije shndërrohet në simbol të padrejtësisë. E di që një formë e tillë tingëllon shumë çuditshëm!

Të tilla ka pasur shumë gjatë historisë, nuk janë raste të paprecedenta dhe si duket rol të tillë ka marrë edhe gjyqësori në Republikën e Maqedonisë.
Në teorinë juridike por edhe politike, gjyqësori konsiderohet si pushteti i tretë i një shteti, pas pushtetit ekzekutiv si dhe atij ligjvënës. Shteti duhet t’i kushtojë vëmendje të posaçme këtij pushteti si dhe kujdes maksimal, sepse edhe ajo e përbënë shtyllën e pushtetit të një shteti, nga e cila varen liritë dhe të drejtat e njeriut por varet edhe fati i qytetarit të saj.

Ndonjëherë me sarkazëm thuhet që në dyert e gjyqësorit dhe të doktorit, mos na dërgoftë Zoti! Në këtë kontekst dua të përmend një thënie të një figure markante të letërsisë shqipe, Faik Konicës i cili thotë: “Gjykatave duhet t’u kushtohet rëndësi e veçantë. Nëse emërohen gjyqtarë vërtet të ndershëm, të paanshëm dhe të zotë, qeveria do të fitoj menjëherë zemrën e popullit. Për gjyqtarë të tillë, asnjë rrogë nuk do të ishte tepër e madhe, asnjë shpenzim nuk do të ishte i kotë.”
Aktualisht Republika e Maqedonisë, me gjyqtarë të këtillë (jo të gjithë), e ka humbur zemrën e të gjithë qytetarëve të saj në përgjithësi e në veçanti të popullit shqiptar.

Rasti i djaloshit të vogël, Almirit, që bëri bujë të madhe ndër shqiptarët e Maqedonisë, është shembull frapant i gjykimit në Maqedoni, shembull se si drejtësia është bërë koncept i panjohur për qytetarët e saj, leksione se si nuk duhet vepruar, se si një gjykatë shpërndan drejtësi ku pabarazia ndaj qytetarëve të saj rri këmbëkryq.
Vrasja e Almirit, nga ku shihet edhe nga pamja e kamerave, nga qielli shihet se është vrasje e qëllimshme apo vrasje me dashje dhe çdo tendencë për ta rikualifikuar ndryshe nga çështë është fyerje e inteligjencës së qytetarëve. Fillimisht me rikualifikimin e lëndës nga vrasje me dashje në aksident komunikacioni është indikator vërtetë i dhimbshëm se në çfarë gjendje e kemi drejtësinë në Maqedoni dhe ç’ndërgjegje duhet të kesh për të vepruar në mënyrë të tillë.

Akoma edhe më e rëndë bëhet fakti kur e mendon se vrasësi i Almirit, njëherë u lirua, ua tregoi gishtin e mesëm familjarëve të Almirit, duke e paraqitur vetën hero, se ndjehet i pafajshëm (veti e zakonshme e kriminelëve që e bëjnë për të mbrojtur veten ashtu siç bëri Crowley, një ndër kriminelët më të rrezikshëm në historinë e New Yorkut, në prag të vrasjes së tij veten e kishte përshkuar si: “Nën këtë këmishë fshihet një zemër e lodhur por e butë, zemër e cila askujt nuk ia dëshiron të keqen.”) dhe zakonisht justifikohen se krimin e kanë bërë në vetëmbrojtje.
Sidoqoftë, vrasësi dënimin e morri, por dënim i tillë nuk paraqet satisfaksion moral për asnjë njeri normal. Dënim i tillë 6 vjet për vrasje me dashje si dhe dënimi i familjarëve me 6 muaj burg dhe 9 muaj burg kundrejt Naser Eshtrefit në Gjorçe Petrov, i cili në vetëmbrojtje u dënua me 14 vite burgim është paradoksale, disproporcionale, jashtë çdo logjike të shëndoshë si dhe duhet të kesh ndërgjegje të vdekur për të shqiptuar një aktgjykim të tillë dënues.
Këto raste, janë raste të paprecedenta, që në një shtet normal demokratik nuk ndodhin dhe as s’dua të besoj se mund të ndodh një gjë e tillë.

Gjykata e Maqedonisë, me aktgjykim të tillë, Almirin e vogël e vrau përsëri, për të dytën herë me rradhë si dhe familjen e tij e dënoi pse ndërrmori veprimin për t’i dal zot fëmijës së tyre.
Rastet e tilla, më nuk më habitin personalisht, nuk përjashtoj mundësinë që në të ardhmen prap të kemi aktgjykime të tilla të njëanshme, të montuara, skajshmërisht të politizuara e të korruptuara.
Këto raste janë indikator serioz se në çfarë gjendje të mjerueshme e kemi drejtësinë dhe konstatimin se në pushtetin gjyqësor të Maqedonisë ka shumë punë për të bërë dhe kjo duhet të jetë në fokus kryesor të Qeverisë reformatore, që sa më shpejtë, në mënyrë imediate të angazhohet maksimalisht dhe ta merr seriozisht përsipër çështjen e implementimit të reformave, sepse prej një gjyqësori të tillë si në romanin “Procesi” të Franc Kafkës janë duke vuajtuar dënimin shumë qytetarë të pafajshëm, kryesisht me përkatësi shqiptare, ndërsa shumë qytetarë të cilët vërtetë e kanë vendin brenda nëpër burgje pa dallim përkatësisë etnike, janë të lirë ose rëndom përfundojnë me dënime qesharake, që nuk i percpeton dot truri normal i një njeriu të zakonshëm.

Të udhëheqësh me drejtësi, kuptohet nuk është shumë e thjeshtë dhe e lehtë, mirëpo së paku duhet pasur kujdes që padrejtësi të mos ketë.
Si përfundim, ndihem shumë i habitur se kjo nuk është drejtësia që e njoh dhe e kam mësuar unë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button