“Biblioteka me kube”, simbol i Prishtinës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, e cila ka një arkitekturë të veçantë të mbuluar me kube dhe kupola është ndër simbolet e kryeqytetit të vendit, Prishtinë.

Ndërtimi i bibliotekës të stilit modern ka filluar në vitin 1974 dhe është dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviç. Kubet dhe kupolat, që përdorën edhe në objektet e ndryshme në rajonin e Ballkanit, janë të mbështjella me membranë skeletore të çelikut, që krijon një sistem ndriçimi të mirë dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar.

Biblioteka ka një sallë të madhe për 400 lexues në katin e parë, ndërsa në katin e dytë sallat specialistike dhe në katin e tretë janë sallat për punëtorët shkencorë. Depoja e librit është e vendosur në dy katet nëntokësore.

Informatorja për literaturë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Zylfije Rexhepi, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se që nga dita kur është bërë hapja e bibliotekës ju ndihmon lexuesve të gjejnë literaturën e nevojshme. Sa i përket objektit ajo thotë se dizajnuesi Mutnjakoviç i ka punuar vetë edhe mozaikët e saj të brendshme.

Duke folur për kubet dhe kupolat e objektit të punuara në mënyrë moderne dhe të veçantë, Rexhepi tha se: “Këto rrethoja janë dizajnuar me qëllim që të ruhet libri, kupolat kanë domethënien e trurit të njeriut. Pra, janë 99 kupola në formën e trurit që tregon se merr dije në këtë institucion dhe kubet simbolizojnë plisin tonë kombëtar”.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )

Ajo thotë se inaugurimi i bibliotekës është bërë më 25 nëntor të vitit 1982. Si njëra nga punëtoret më të vjetra të kësaj biblioteke Rexhepi kujton se gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 regjimi i asaj kohe ka larguar punëtorët shqiptarë nga puna dhe ka shkatërruar një pjesë të madhe të librit shqip. Ndërsa shton se sot kushtet janë shumë më të mira.

“Pak është shkatërruar fonti e sidomos libri shqip në atë kohë por kemi filluar ta pasurojmë bibliotekën. Kemi bashkëpunim me të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe të botës, me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të cilët na dhurojnë libra. Tani është pasuruar mjaft”, thotë ajo.

“Janë dy milionë tituj, por aty hynë librat, gazetat dhe revistat”, theksoi Rexhepi duke bërë të ditur se çdo student i anëtarësuar në bibliotekë në mbikëqyrje të personit të autorizuar mund të shërbehet me literaturë në çdo lëmi dhe gjuhë.

Rexhepi më tej u shpreh se rreth 2.500 studentë në ditë e vizitojnë bibliotekën duke shtuar se kur janë provimet ka edhe më shumë qerkullim të studentëve brenda ditës. Përveç Rexhepit biblioteka ka edhe 77 punëtorë dhe është e hapur gjatë gjashtë ditëve të javës.

Ndërsa, Albian Gjoshi, student në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, thotë se e frekuenton shpesh këtë bibliotekë qe dy vite për atsye se ka një ambient të përshtatshëm për të mësuar.

“Është një vend i mirë që studentët mund të grumbullohen dhe t’i shkëmbejnë njohuritë e tyre pse jo edhe ato se çfarë bëjnë jashtë studimeve”, tha ai.

Duke përmendur edhe konferencat, promovimet e librave dhe aktivitet e ndryshme kulturore e shkencore që organizohen në këtë bibliotekë, Gjoshi shton se: “Është vend shumë i madh dhe atraktiv për të mësuar. Siç e shihni është edhe një vend ku mund të relaksoheni”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP