TRE DITË N’SERBI

E premte, herët në mëngjes, me dy kolegë, një profesor dhe një doktorant të UEJL-së, marrim udhën për në dherat e njërit nga fqinjët veriorë, Vërnjaçka Banjë, Serbi, në konferencën shkencore me titull interesant “Dituri pa kufij” (Knowledge without borders). Nisemi në një kohë të ndryshueshme të marsit, shi, diell. Rrugës bisedojmë me kolegun e lindur preshevar, të shpërngulur në Gjilan, që jeton në Prishtinë, dhëndër Ohri. Një lakore interesante e fateve shqiptare. Predejane, ushqim natyral, bukë me kajmak dhe ushtrim i gjuhës serbe. S’e di pse, po sa e çuditshme: çdoherë kur kalojmë në territorin serb aktivizohet sllavishtja vetvetiu, saqë edhe mes veti nisim të diskutojmë në këtë gjuhë. Imperializëm kulturor a si ta quajmë? Njëri nga ne ka studiuar në Beogradin komunist, tjetri në Sarajevën e paraluftës, tjetri i lindur në Serbinë politike alias Kosovën Lindore. Rrugës observojmë anë e mbanë, shtëpi të vjetra, në përgjithësi fotografi deprimuese, ngathtësi totale. S’duken suvatime të reja, vatra të stilit ish-jugosllav. Nëpër fashtra e qyteza shumë rrallë vërejmë rini. Dominojnë mosha e tretë dhe pleqtë. Të dhënat statistikore flasin se ky shtet çdo vit humb nga një qytet, gjegjësisht nga 40 mijë banorë. Dhe bëjmë një krahasim me fshatrat tona që edhe vlojnë, por edhe zbrazen nga të rinjtë. Arrijmë në një hotel të vjetër të blerë nga një tajkun serbo-austriak (Zepter) ku janë bërë shumë pak makiazhe. Klientë hiç, pos pjesëmarrësve në konferencë. Letargji e vërtetë. Asnjë dyqan shqiptari – thotë me nostalgji profesori, ish dyqanxhi në Petrovac na Mlavi.

Të nesërmen dalim rrugëve të Vërnjaçka Banjës për kafe, mezi që e gjejmë një rreth lumit. Dhe më kujtohen ca statistika lidhur me liderizmin shqiptar në korniza europiane për numër kafesh. Dyqane me pamje anakrone, si në vitet 1980. Nëpë lokale muzika e ish-trojeve jugosllave, Bajaga, Merlin, Ballasheviq, Bijelo Dugme… Dalim në parkun e qytetit, i paprekur, i gjelbër, ekologjik. Profesori thotë: “Imagjino sikur të ishte kjo tek ne çfarë monstrumi do kishte prodhuar mafia urbane, drunjtë do priteshin natën, gropa do bëhej ditën, ndërtesa do ngrihej brenda disa muajve. Planifikim urban i nëntokës i stilit sui generis. Kalojmë te “Ura e dashurisë”, lexojmë poezinë “Lutje për dashuri” të Desanka Maksimoviq.  Kjo është një urë që iu bën konkurrencë atyre të Parisit (NYT), ku të martuarit lidhin drynat e tyre në të cilat shkruajnë emrat për të mos u ndarë kurrë. Supersticion. Ulemi për kafe në “Boss”. Na afrohet një plakë, në fakt kalon atypari, e rraskapitur, të lë përshtypjen si lypsare. Kosovari nxjerr ca qindra dinarë që t’ia dhurojë. Na e kthen me ters: “Ja nisam ciganka bre!” (Nuk jam rome.) Dhe i gjuan paratë kah ne. “Unë shes – thotë. Nuk jam lypsare, çka mendon ti?” Duke e pasur parasysh mendësinë tonë, na kaplon një ndjenjë e çuditshme, edhe të duash të japësh edhe të bëhesh fajtor. Dhe më pastaj e interpretojmë këtë reagim nga kënde të ndryshme. Sa interesante, plaka dëshiron që kafshatën ta fitojë me punë, jo me dorën e shtrirë, nuk dëshiron të jetojë nga lëmosha. Shikuar sociologjikisht ky akt flet për një mendësi tejballkanike, shumë më të avancuar, për një kulturë tjetërfare. Ç’tu thuash një pjese të të rinjve tanë që tërë ditën hanë e pinë në kurriz të të tjerëve, babait, gjyshes, vëllait kurbetqar, entit, administratës… Dhe shfletojmë gazetat, Политика: “Pogromi” antiserb në vitin 2004 (shqiptarët në shënjestër). Humbet kultura, përshpirtësia, mjediset urbane, katunde të tëra. Vlladika Teodosije në akademinë në Graçanicë me titull “Varrët e përhershme të jonjerëzishmërisë” kumton se “Kosova është hapësirë e shenjtë që kapërcen historinë, politikën, kufijt kalimtarë dhe realitetet e ashtuquajtura politike”. Kur kleri bën politikë ndodhin gjëra të tmerrshme. Dhe një gjë me vend: “të gjithë ne pa vertikalen shpirtërore do të ishim kungull pa rrënjë.” Vuçiq: “Çdo ditë humbim nga 107 veta. Në vitin 2060, nga shtatë milionë sa i kemi sot mund të zbresim në 3.9 milionë banorë”. Mbështetje financiare për fëmijën e tretë dhe të katërt (për këtë të fundit 18 mijë euro për 10 vite).

Pas konferencës, në të cilën elaboruam temën e perceptimeve të identitetit në një mjedis multikulturor (Tetovë), ku njoftuam dhe biseduam me prof. Zariqin nga Shkupi që tani jetonte në Beograd-Bolonjë, B-ja, që pos akademizmit, merret edhe me prodhimin e thasëve të letrës, na shpie te një bashkëpunëtor i tij nga Novo Sella, Mirkoja, prodhues makinash, pronar fabrike (Pak Projekt) për vegla të paketimit, që na rrëfen për këtë fshat të industrializuar me rreth njëmijë punëtorë në sektorin prodhues. Duke pirë kafe na tregon se shet makina në Poloni, Kroaci, Rumani, Maroko etj. E xiglojmë me pyetjen se si iu bën ballë prodhimeve kineze dhe turke. Rrëfen se s’arrin t’u dalë me krye kërkesave. Kualiteti të mban gjallë. Më pas vazhdojmë për në Çaçak; vizitojmë një fabrikë thasësh, ku brenda sallës prodhuese gjejmë ambalazh për një gjigand shqiptar të prodhimit të miellit. Ekonomia dhe biznesi nuk njohin kufij. Thasët me tekstin shqip prodhohen në Shumadi. Njeriu mes tjerash është edhe qenie politike, por edhe ekonomike. Interesi material i bashkon njerëzit në një kauzë tjetërfare, qoftë ajo edhe e çastit.

Konkluzion: Serbinë e kanë pllakosur mëkatet e bëra në vitet 1990, po e vjell gjakun e pirë në kalvarin ballkanik, shumë e ngathët, pa dinamizëm, po thahet demografikisht. Aktive vetëm me gojën e politikës, Kosovën e ka kompleks nga i cili ende po kurohet. Mediat dhe kisha, bashkë me Akademinë, agjentët që shkaktuan gjenocidin ende të pamësuara nga e kaluara, po shesin patriotizëm dhe nacionalizëm me afat të skaduar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button